KMDLNj kërkon të hetohet Aeroporti i Prishtinës dhe Bechtel-Enka

23 maj 2018 | 12:16

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar të hetohet Aeroporti i Prishtinës për rastin e “6 gylenistëve” dhe Bechtel – Enka për policët e aksidentuar në lumin Lepenc.

KMDLNj përmes një komunikate për medie ka theksuar se Kosova kohëve të fundit është përfshirë në një veprim thuajse ilegal, me ç’rast me kërkesë të Turqisë u bë protagonist i një shkeljeje të rëndë të të drejtave të njeriut duke i grabitur 6 shtetas turq me lejeqëndrim të rregullt sikurse edhe me leje pune në Kosovë për një kohë të gjatë.

KMDLNj ka vlerësuar se tashmë kur edhe zyrtarisht është sqaruar se një aviokompani turke, duke falsifikuar dokumentet ka siguruar një leje nga autoritetet kosovare për transportimin e 6 qytetarëve, duhet të nisin hetimet ndaj udhëheqëseve të aeroportit.

“Meqë bëhet fjalë për 6 shtetas turq, për shtetin turk, për aviokompaninë kriminale turke, për aeroportin e Prishtinës që i është dhënë në koncesion kompanisë  Limak – Calik (nga Turqia) dhe e afërt në mos edhe pronare e udhëheqësve të lartë të shtetit turk, atëherë nuk mjafton shqiptimi i dënimit qoftë edhe prej 1 milion eurosh për aviokompanin kriminale turke, dënimin eventual të cilën e paguan vet shteti turk dhe për këtë bashkëpjesëmarrje në këtë krim kundër lirisë dhe të drejtave të njeriut do të shpërblehet shumë nga Turqia, por duhet të zhvillohen hetimet ndaj drejtueseve (turq) të aeroportit të Prishtinës dhe në rast se sigurohen prova për përfshirjen e tyre në këtë krim dhe shkelje të rëndë të drejtave të njeriut, koncensionarit të aeroportit Limak – Celik duhet t’i merret leja e punës”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Po ashtu pas raporteve të obduksionit dhe pas hetimit të prokurorisë për vdekjen e dy policëve të Kosovës në lumin Lepenc, KMDLNj ka kërkuar të intensifikohen hetimet kundër Bechtel – Enka për përgjegjësi eventuale.

“Sipas raportit të Policisë dhe Prokurorisë së Shtetit, automjeti i policëve të aksidentuar teknikisht ka qenë në rregull kurse shpejtësia ka qenë 30 – 35 km/h. realisht, në një terren ku nuk ka akull apo që është i rrëshqitshëm për shkaqe tjera me një automjet teknikisht në rregull, frenimi nuk paraqet problem. Mospasja e sinjaleve dhe ndriçimit në rrugë ku bëhen punët dhe e cila ngushtohet e që është përgjegjësi e kompanisë që i ka kryer punët mund të jetë shkaktar për humbje të jetës së dy policëve dhe këto, pas një hetimi duhet të kërkohet përgjegjësia eventuale e Bechtel – Enka”, është thënë në komunikatën e KMDLNj-së.

 

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, në emisionin “Studio e hapur”…