KOKALARI QINDVJEÇARE (3)

12 Janar 19:19

Albanë Mehmetaj

 

 Nënua plakë në Romë

Musine Kokalari, siç është parë edhe te shkrimet autobiografike,bën objekt të drejtpërdrejtë jetën e vet “romane” (kohën e studimeve në Romë), me dëshirën për të mësuar diçka të vërtetë po nga jeta e vet rinore. Ndërsa në Nënua plakë në Romë e shohim Kokalarin të ndarë nga autobiografia, për t’i shenjëzuar përshtypjet e saj në Romë nëpërmjet formës së novelës. Motivimi është i përbashkët i këtyre dy formave letrare, por tash objekt është nënua plakë, figurë e fuqishme për dashurinë ndaj tokës, vendit, etnisë e, po ashtu, simbol i fuqishëm kundër jetës në tokën e huaj, çfarëdo të mire të ketë ajo.

Nënua plakë në Romë është novelë e përbërë nga nëntë kapituj: I. Në shtëpi, II. Udhës…, III. Ditën e parë…, IV. Ç’i zuri siri, V. Nënua në Thjatro, VI. S’mar vesh fare…, VII. Nënua në shkollë të madhe, VIII. Nënua u duk prapë… dhe IX. Nënua do Gjirokastrën. Kështu, vetë renditja dhe titujt e kapitujve sugjerojnë një lexim tematik duke i ndjekur një pas një.

Siç e jep edhe titulli i novelës Nënua plakë në Romë ndërton temën e vendit, nëpërmjet një vendi tjetër. Rrëfimi bëhet për Romën nga Gjirokastra, i rrëfyer për shkak të kureshtjes dhe dëshirës së të afërmve të protagonistes për të mësuar më shumë për një qytet që prekte majat e zhvillimit kulturor, artistik dhe arkitekturor. E kështu, anasjelltas rrëfimi për Romën e zbulon Gjirokastrën e Kokalarit, si një hapësirë të vogël dhe të banuar nga një numër i vogël personazhesh: nënua plakë, e cila është personazhi ide, si dhe rrethi i saj: nuset, vajzat, fqinjët, nipat dhe mbesat. Edhe te kjo novelë, sikurse te skicat, rrëfimi është projektuar të ndodhë brenda shtëpisë së nënuas plakë, në dy kohë, pra nëpërmjet kthimit retrospektiv, si dhe monologut dhe dialogut. Kështu, në këtë mënyrë të thjeshtë, përveç pretendimeve të tjera, arrihet të përshkruhet më së miri jeta gjirokastrite, me të gjitha specifikat e veta.

Në këtë vështrim, nënua plakë del heroinë në dy funksione: për t’i rrëfyer përjetimet për Romën dhe për të mësuar se si duhet jetuar në Gjirokastër dhe si është Gjirokastra. E krejt këto dalin përmes një rrëfimi spontan e të pasherr të plakës, duke i dhënë shijen themelore novelës. Përmes gjuhës shpirtërore të plakës shfaqen mendime, pamje dhe situata që i nxjerrin qartë ambientet të cilat Kokalari do t’i shënjojë (Romën e bukur dhe Gjirokastrën e dashur e të shenjtë). Pra, nënua plakë, e dhënë si një qenie shumë e brishtë njerëzore, e mirë në të gjitha kuptimet e fjalës, që flet sinqerisht dhe që nuk ka shumë njohuri, është “ura” kaluese ndërmjet dy kulturave. Prandaj, në këtë kontekst, projektimi i plakës për përshtypjet në Romë bëhet në mënyrë të habitshme dhe si për një botë tjetër.

Novela në këtë mënyrë jep shpirtin e një krijueseje të veçantë që di t’i ndërlidhë kuptimet e jetës dhe të moshave nëpërmjet plakës 60 vjeçe. Ajo rrëfen të mirat e jetës krejtësisht të tjera, të cilat as që i kishte ëndërruar. Pikëpamjet dalin nga mentaliteti i saj dhe në disa plane nga diskursi i fascionimit dhe i zmadhimit, do të thotë duke përshkruar e rrëfyer për gjërat e mëdha dhe të bukura, arkitekturore dhe natyrore të Romës; nga rendi dhe organizimi i jetës së Romës, që po kështu duken edhe në sytë e plakës, p. sh., se si nata bëhej ditë nga dritat; për dyqanet e mëdha që të fluturonin trutë nga koka etj.

Plani tjetër dhe më i bukuri i novelës, i cili e bën të veçantë krejt rrëfimin, është ai i perceptimit të plakës për gjërat e shëmtuara dhe veset e këqija të Romës, natyrisht sipas këndvështrimit të saj. Këto përshtypje dalin nëpërmjet një diskursi gazmor të Kokalarit dhe çudisë së nënës plakë: p. sh., kur vajzat dilnin të kapura me djem dorë për dore, mënyrën e veshjes të shkurtër etj. Kjo mënyrë e të menduarit realizohet më së miri në kapitullin e pestë: Nënua në Thjatro, kur nënua nuk arrin ta dallojë shfaqjen teatrale nga jeta reale, prandaj gjërat që luhen aty për të kënaqur, për nënuan përbëjnë çdo të keqe të paparë deri atëherë: S’latë gjë pa dëftuar, ju shohin edhe burrat kështu, si u bë kjo botë, s’mbeti turp, s’mbeti të thom. Pastaj vija re ata burra që kishin ardhur me ra në krah, se mos vështronin atë që kishin pranë po ato që kërcënon.4

E bukur dhe plot humor është mënyra se si reagon nënua përballë këtyre ngjarjeve, si dhe mënyra se si mendon dhe moralizon ajo: Më vinte turp të ngrija kokën, lanet thaçe dhe të parët. Më vinte të rihja mbesën bam e bam, sa të më ngoses dora. Kur duallme jashtë me dridhesh buza dhe ju dredha femrës. Uu – aferim i thaçë, ashkosun të qoftë, për këto ke ardhur këtu. U pika në kokë me gjithë mësim që mësoni në shkollë, në vent që t’ju mësoni në shkollë, në vent që t’ju mësojmë nasihat, ju mësojnë se si të terboheni…5

Ky diskurs e përcjell edhe kapitullin e shtatë Nënua në shkollë të madhe, në të cilin nënua gjykon se mbesa nuk po merr dituri, por po njihet me rrugë jo të mira. Ajo, në këtë kapitull, edhe brengoset për të ardhmen e mbesës, për martesën e saj, sepse sheh mbesën duke biseduar me shokë të universitetit, që për nënuan nënkupton turpin më të madh.

Plan tjetër, i cili, po ashtu, prodhon efekte të humorit, është edhe gjykimi i plakës për mënyrën se si gratë moderne duan t’i udhëheqin burrat: E doni burrin t’a mblidhni në grusht, të bëni si të doni, të kumandoni ju. Burri ka vendin e tij dhe gruaja vendin e saj.6 Kjo pjesë hap pikërisht një mentalitet të vjetruar dhe të ngrysur të grave shqiptare, të cilin, nëpërmjet shakasë, Kokalari mundohet ta çrrënjosë, duke e vënë përballë një kulture tjetër. Me një fjalë, Kokalari përcaktohet që problemin ta definojë edhe si faktik, edhe si problem të brezave, të cilët i ndërlidh në kontekste të ndryshme që dalin si formula të të vjetrave dhe që përsëritet: Fëmila në kohën t’onë i hapë sitë pas 40 ditë, kurse tani me të lindur, kanë shejtanin në bark.7Përfundimisht, ky rrëfim, qoftë në trajtën e përshkrimit, apo në atë të dialogut, zhvillohet përmes një filli të humorit, duke bërë që të ky tekst të mbetet ndër më domethënësit në krijimtarinë e Kokalarit.

Teksti për nënuan plakë, po ashtu, po me këtë stil, ndërton një rrëfim të jashtëzakonshëm për dashurinë ndaj atdheut, e cila definohet në kapitullin e fundit Nënua do Gjirokastrën. Teksti sjell paraprakisht planin tjetër të nënuas plakë, e cila po me atë naivitetin e saj, shpreh dashurinë për të mirën, në mënyrën e saj shenjëzon edhe dashurinë për Gjirokastrën. Ajo e do vendin e vet, aty ku hante, pinte, rrinte e flinte; punën e rëndë të saj dhe e bukën e vet, odën e saj, krevatin e saj, pastërtinë e kafenë shqiptare; muret e shkallët e shtëpisë ku ka jetuar tërë jetën, sokakët e ngushtë, të qartë dhe ulërimat, këngët e vallet; ajo njëjtëson shtëpinë me kokën, prandaj nënua do Gjirokastrën.

Një temë, stil dhe sensibilitet i tillë dhënë të Nënua plakë në Romë shpërfaq Musine Kokalarin në një format tjetër dhe në temën për autenticitetin. Nënua plakë, protagonistja e veprës, edhe pse pothuajse huazohet nga vepra e botuar një vit më herët Siç më thotë nënëua plakë te ky tekst bëhet më domethënëse dhe më zbuluese e idesë së Kokalarit. Nënua është po ajo qenie njerëzore, me po atë ngrohtësi dhe pak dituri, por këtu ajo ka edhe një qëllim letrar që lidhet më se miri me titullin e kapitullit të katërt të novelës Ç’i zuri siri. Nënua pra do të rrëfejë për botën e madhe dhe të modernizuar, me syrin e saj të vogël e të ngushtuar.

 

Naim Frashëri 1846-1900

Teza e diplomës rreth letërsisë shqipe, Naim Frashëri 1846-1900, e Musine Kokalarit, është monografia e parë e autores dhe mbetet projekti themelor i saj në kërkimet letrare. Ajo lexon dhe interpreton Naim Frashërin nën këndvështrimin e poetit nacional dhe nga kjo do t’i zbërthejë të gjitha pikat e tjera, prandaj ky vështrim del nëpërmjet metodës dyplanëshe: si kërkim biografik dhe si kërkim struktural dhe kuptimor i veprës së Naimit. Në këtë mënyrë dhe duke pasur objekt Naim Frashërin, Kokalari veprën e strukturon në tri pjesë: Pjesa e parë me: Hyrjen, Kushtet historike, Mjedisi, Jeta; Pjesa e dytë përbëhet nga: Mendimi, Historia dhe Doktrina e bektashinjve, Bota shpirtërore e Naim Frashërit; ndërsa pjesa e tretë nga: Veprat, Hyrje në veprat e Naim Frashërit, Veprat fetare, Veprat shkollore, Veprat me karakter politik, Veprat me karakter sentimental dhe Veprat me karakter të përzier. Duket që strukturimi i menduar kështu lejon hapjen më të madhe të jetës dhe të veprës së tij, si dhe mundëson më shumë përqendrimin e Kokalarit në pjesët që i interesojnë.

Te pjesa e parë e studimit Kokalari sjell informacione të shumta lidhur me jetën e Naim Frashërit, duke bërë kështu një lloj portreti të tij. Në fillim të tekstit autorja bën një hyrje në planin paraqitës për ta sqaruar interesimin e saj për kushtet historike, “të luftës dhe evolucionit të shpirtit shqiptar”, në raport me autorin e saj. Këtu synohet të sqarohet situata e Shqipërisë në shek. XIX, si kohë e pjekurisë së saj, duke pasur luftëtarë e mendimtarë, me shumë nga të cilët është marrë Naim Frashëri. Pra, duke u nisur nga këtu, shohim se autorja kërkon që autorin e saj ta zbërthejë imtësisht që nga interesimet e para.

Në këtë rend përfshihen edhe pikëpamjet e Kokalarit për vlerësimin e Mjedisit të Naim Frashërit. Karakteristikë është intenca e saj për ta analizuar vendin ku ai ka provuar gëzimet dhe hidhërimet e para, vendin ku ka fituar përvojat e para të jetës si shkrimtar dhe si njeri.8 Për ta ilustruar sa më shumë atë në këto dy anë, Kokalari ndalet veçanërisht edhe te Jeta e vet, duke e përshkruar atë që nga lindja, duke folur për familjen e tij, si dhe duke shënjuar poetët e tij të dashur si: Dalib-Bej, Shahin Bej dhe satirikun Baba Nasib. Pra, ky konstatim i Kokalarit, sa i përket anës artistike, si dhe ai që në teqe Naim Frashëri ka dëgjuar për herë të parë fjalën Shqipëri dhe aty ka mësuar ta dojë dhe ta nderojë vendin, specifikon çështjen e vështrimit të saj. Me këtë, ajo kërkon ta lidhë karakterin e tij, botën e brendshme dhe formimin e parë me teoritë e bektashizmit.

Pos theksimit të këtyre aspekteve, i rëndësishëm konsiderohet edhe hetimi i faktit që Naimi si lëndë studimi kishte gjuhën franceze, të cilën e perfeksionon nëpërmjet leximit të autorëve tij të preferuar: Lamartin dhe Viktor Hugo. Kokalari, duke qenë e vetëdijshme për rëndësinë e letërsisë greke, nuk e lë pa e përmendur edhe faktin se Naimi i pëlqente edhe Ezopin dhe Homerin. Në këtë plan, diskutimet e saj për jetën e Naimit shënjojnë edhe faktin që ai ndër autorët e preferuar që edhe i studioi ishin: Firdus, Haffiz dhe Saadi. Këtu ajo nënvizon se Naimi për herë të parë ka shkruar në moshën 27-vjeçare dhe gjuha e tij e përdorur ishte persiane, gjuhë me të cilën Kokalari mendon se ai ishte i dashuruar.

Pastaj, Kokalari shkruan për jetën e vështirë të Naimit, braktisjen e atdheut dhe sëmundjen e tij të përhershme, por edhe për karakterin e tij të butë, të hapur, refleksiv dhe për sjellje prindërore. Dhe, kështu, duke i prekur pothuajse të gjitha pikat më të rëndësishme të jetës së tij, në një formë që mendimet dalin shumë qartë dhe rrjedhshëm, Kokalari përmbyll tekstin për jetën e Naimit, duke menduar se me vdekjen e tij atdheu humbi një apostull, sekti i bektashinjve idealistin e vet, dhe rinia këshilltarin.9 Ky është edhe formulimi më domethënës i Musine Kokalarit për Naim Frashërin, e cila e çmon atë në radhë të parë si shkrimtar patriot dhe çmon idenë e tij për kombin dhe shqiptarizmin, duke e parë edhe veprën e tij të dalë nga ky brumë. Por, siç edhe e pamë më lart, sipas Kokalarit, Naimi mësoi për herë të parë të dojë Shqipërinë në teqe, prandaj mendon se veprat e tij përbëhen nga aspekti fetar, do të thotë mendon se ato përshkohen doktrinarisht. Mirëpo, mbi këtë mendim, ndryshe nga disa studiues të Naimit, ajo konstaton se ky aspekt fetar i veprave të tij lë një gjurmë të pamatshme në krahasim me çdo letrar tjetër bashkëkohor. Lidhur me këtë, ajo mendon që në plan të përgjithshëm, aspekti fetar përbën botën shpirtërore të Naim Frashërit, nga mendon se pastaj rrjedhin temat politike, sentimentale, shkollore etj. Pra, konceptet e tilla të Kokalarit dalin te kreu i dytë, Bota shpirtërore e Naim Frashërit. Këtu ajo thekson edhe aspektin politik si mjaft të rëndësishëm në gjithë veprën e tij e natyrisht aspekt i dalë në radhë të parë nga formimi fetar. Këtë problem Kokalari e shtron për të gjetur fillin se ku burojnë idealizmi politik dhe misticizmi i tij që përbëjnë esencën e veprës.

Sipas këtyre vlerësimeve, duke shqyrtuar problemin e botës së tij shpirtërore, për ta bërë profilizimin e aspekteve që përbëjnë botëkuptimin e tij si shkrimtar, Kokalari e përfundon këtë pjesë duke e vlerësuar Naim Frashërin poet mistik.

Në pjesën e tretë Kokalari bën një lloj klasifikimi të veprave të Naimit, duke i ndarë në vepra me karakter fetar, shkollor, karakter sentimental dhe vepra me karakter të përzier. Në këto klasifikime Kokalari shtron e trajton çështje dhe probleme të ndryshme, që janë përfaqësuese për veprën e Naimit, e për ndarjen e bërë. Këtë shqyrtim e realizon duke filluar nga data e viti i botimit, vendi i shtypjes e numri i faqeve, nga forma letrare, vlerat fetare, morale, sociale, gjuha, estetika, forma e shprehjes, figurativiteti etj. Kështu, ajo kërkon që ky tekst të kuptohet si udhërrëfyes i veprës së Naim Frashërit, duke menduar se: Veprat e tij, gjithsej shtatëmbëdhjetë, trajtojnë argumente që për një vëzhgues sipërfaqësor mund të duken nga më të llojllojshmet por që, në fakt, kanë lidhje unike, një argument, do të thosha të përsëritshëm – atë edukativ, sepse qëllimi i vetëm i prodhimtarisë së tij pjellore, ishte pikërisht edukimi i rinisë. Pikërisht për këtë qëllim ai i trajton të gjitha pamjet e diturisë: nga bujqësia e blegtoria tek politika, nga pedagogjia e mirëfilltë tek lirizmi sentimental, nga historia tek besimi fetar.10

Te veprat me karakter fetar Kokalari rendit: Fletore e bektashinjëve, Qerbelaja dhe Mësime. Në tekstin për veprën e parë me karakter fetar ajo bën vështrimin e ideve teologjike e myslimane të Naim Frashërit. Pra, këtu ndalet te filozofia e bektashinjve, në tekst të Naimit, duke nxjerrë përfundimin se si themelorë ky besim ka panteizmin e metapsikozën.

Në vështrimin për Qerbelanë, Kokalari thekson se kjo vepër duhej të ishte një poemë epike dhe ashtu kishte synuar poeti, por këtë zhanër mendon se Naim Frashëri nuk ka arritur ta realizojë, edhe pse nuk i mungon materiali historik, por natyrën rrëfimtare dhe filozofike të Naimit ajo e sheh të mangët dhe si penguese të krijimit të kësaj forme. Do të thotë, sipas saj, është sensi krijues që i ka munguar Naimit për të bërë një poemë epike dhe për këtë mendon se rol të madh ka ndikimi i letërsisë persiane, duke i dhënë veprës kështu prirje morale-teologjike. E në këtë drejtim, ajo mendon se si pasojë është stopuar hovi lirik e entuziast që është karakteristikë e krijimit epik dhe e vlerave letrare. Por, mbi të gjitha, ajo e vlerëson Qerbelanë për vlera morale dhe e shquan si vepër shumë të rëndësishme për dervishët, por nuk e vlerëson letrarisht.

Në kuadër të veprave fetare të Naimit, klasifikuar nga Kokalari, kemi edhe veprën Mësime, në të cilën, po ashtu, trajtohet problemi i Zotit, morali i urtësisë njerëzore dhe Kurani trajtuar nga Naim Frashëri, duke e përmbyllur vështrimin me mendimin se kjo vepër është ndër krijimet më të mira të Naimit sa i përket thellësisë së mendimit dhe kënaqësinë së shprehjes. Po kështu, në vazhdim Kokalari flet edhe për veprat e Naim Frashërit me karakter shkollor, të cilat i veçon për vlerën e madhe nga pikëpamja edukative dhe vlerë të ngushtuar të pikëpamjes letrare.

Vështrimi tjetër në radhë bërë nga Kokalari është për veprat me karakter politik të Naimit: Dëshira e vërtetë e shqiptarëvë, si dhe për Istroi e Skënderbeut. Kjo e dyta në tekstin e autores tonë del si vepra më e madhe poetike e Naimit me karakter historik dhe politik, e cila trajton bëmat e heroi kombëtar Gjergj Kastriotit. Argumentin për këtë vepër Kokalari e sheh të kompensuar nga veprat në prozë të dy shkrimtarëve francezë: Paganelli dhe Verdaine du Pleisy, të cilët thotë se kanë shkruar gjatë mbi jetën dhe veprën e heroit shqiptar. Dhe, në këtë vijë, duke folur për Skënderbeun dhe bëmat e tij, mendon se me vdekjen e Skënderbeut mbaron edhe argumenti i veprës bërë nga Naimi. Kështu, në aspekt të mendimeve të Kokalarit për Istori e Skënderbeut,shohim se ajo, ashtu siç edhe e klasifikon, niset ta vlerësojë karakterin politik të tij sepse, sa i përket pretendimit të Naimit s’e ka bërë për poemë epiko-heroike, nuk mendon se i plotëson kushtet. Njëjtë sikurse te vlerësimi i Qerbelasë, edhe këtu Kokalari mendon se autori i saj priret nga natyra lirike-sentimentale dhe përsëri mendon se sistemi i tij krijues është i lidhur me letërsinë persiane. Për më hollësisht, gjykon se patosi i Naimit është pa dinamizëm edhe atëherë kur ka lirizëm epik.

Më tutje, Kokalari vështron veprat e Naimit, të cilat i konsideron me karakter sentimental: Ëndërrime, Eros, Bagëtia eBujqësia e kjo e fundit në gjykimet e Kokalarit del si vepra me ndjesi më të mëdha e poetikisht më e bukura e tij. Vlerësimin e tillë e nxjerr në bazë të mendimit se vepra ka lirizëm të theksuar dhe se përbëhet nga një timbër i vazhdueshëm nostalgjie për gjithçka që ai ka përjetuar dhe që jeta ia ka ndaluar. Këtë vepër e konsideron të rëndësishme duke menduar se aspektet mendimtare, fetare e politike dalin si koncepte të zhytura në vijën sentimentale të poetit.

Në këtë mënyrë Kokalari e shkruan edhe kapitullin e fundit që ka për objekt veprat me karakter fetar, të cilat mendon se janë: Parajsa, Vjersha dhe Lulet e verës. Pasi gjen të gjitha karakteristikat fetare që i përbëjnë këto vëllime poetike, ajo bën veçmas klasifikimin e poezive me karakter fetar, shkollor, politik dhe poezitë me karakter sentimental. Te kjo e fundit Kokalari vështron më me kujdes, sepse mendon se e përbëjnë numrin më të madh të poezive të Naimit. Ato trajtojnë argumente nga më të ndryshmet, mjaft që t’i prekin ndjenjat e një poeti, veçanërisht të një poeti si Naim Frashëri, që nga çdo aspekt i jetës do të nxjerrë një vibracion, një këngë, një përfundim filozofik, një lutje a këshillë.11 Me interes më të madh e konsideron pjesën ku Naimi është sentimental e erotik nga edhe mendon se dalin elementet estetike në vepër, nëpërmes gjuhës e penës së tij “të dashuruara në të bukurën”.

Kështu, mendimet kritike të Musine Kokalarit për Naim Frashërin janë dhënë me shumë qartësi dhe sidomos është manifestuar mjaft mirë përpjekja e saj që ta shënjojë lidhjen e madhe të personalitetit shpirtëror të Naimit me veprën e tij letrare. Dhe, në gjithë analizën që bën për të, Kokalari vëren një lloj përputhje të këtyre dy anëve, përpos në poezinë Uji i bekuar (Lulet e Verës), në të cilën ajo e lexon më ndryshe Naimin, më “skeptik” e të “trullosur”, pasi mendon se ka kopjuar koncepte e mendime të tëra nga letërsia perse. Para së gjithash, kur analizon elementet poetike te kjo poezi, vërehet një ton negativ i Kokalarit për poezinë perse, sepse pikërisht aty e sheh ndikimin e kësaj letërsie. Një ndikim të drejtpërdrejtë e vëren nga Omar Khajami, të cilin e konsideron poet të dashur të Naimit. Është me rëndësi të theksohet se me këtë rast Kokalari qartëson idetë e veta, duke mos vlerësuar gjurmët letrare të Omer Khajamit e të kësaj letërsie, që objekt kanë pesimizmin dhe nevojën e vazhdueshme për t’i harruar dhimbjet, në gotat e mbushura në ndonjë tavernë të largët.

Përpos këtij shqyrtimi të preferencave të Naim Frashërit, Kokalari thekson edhe “një zbulim interesant”, kur po lexonte poetin e madh Rumi, të përkthyer italisht nga profesor Italo Pizzi: Më duhet të pranoj, që çudia ime qe e madhe kur konstatova që shumë vargje të Naimit rezultojnë identike me ato të poetit persian.12 Më tutje, ajo vëren edhe disa ngjashmëri të tjera të modelit të këtij në poezinë e poetit të saj e shpeshherë edhe kopjim, por mund ta arsyetojë vetëm me mendimin se Naim Frashëri ka gjetur idealet dhe ndjeshmërinë e vet te Rumi. Ndërsa, përfundimisht kur është fjala për konceptin themelor të Naimit, Kokalari mendon se ai shpërthen nga veprat e veta të mëdha. Kokalari këtyre poezive të fundit u kushton vëmendje të posaçme, duke i vërejtur që nga pikëpamja estetike janë më të bukurat krijuar nga “muza frashëriane”.

Në fund të tekstit, Musine Kokalari bën një Konkluzion për të definuar edhe një herë, në mënyrë përfundimtare pikat e saj më të rëndësishme për Naim Frashërin si njeri dhe si idealist, rreth të cilave sillet i gjithë teksti: ajo vlerëson qëllimin e tij që ta theksojë idealin, atdheun; e shquan anën estetike të veprës së tij dhe, krejt në fund, mendon e sugjeron se: Çdo shqiptar duhet të shoh tek ai një pararendës e duhet të admirojë tek vepra e tij vullnetin krijues e formues të racës sonë.13

Në këtë kontekst, mund të përfundojmë se Kokalari Naim Frashërit i jep një vend të rëndësishëm në letërsinë shqipe për shkak të idealit tij dhe anës estetike të veprës, duke e përsëritur këtë konstatim disa herë, si për të bindur më shumë. Po ashtu, duhet theksuar se ajo kishte një dashuri dhe informacion të mirë për letërsinë e Naim Frashërit dhe jetën e tij, prandaj edhe teksti i saj është shoqëruar me një sensibilitet të veçantë dhe shumë ide të saj në forma të ndryshme janë trajtuar edhe më vonë.

 

(Marrë nga revista “Akademia”. Tekstin, me vazhdime, nga data 10 e deri më 13 janar, e gjeni edhe në versionin e shtypur të gazetës “Epoka e re”. Fund)

4 Musine Kokalari, Nënua plakë në Romë, revista Tomori, 17 korrik 1940

5 Po aty

6 Po aty, qershor 1940

7 Po aty, qershor 1940

8 Musine Kokalari, Vepra, vëllimi i parë, Geer, Tiranë, 2009, f. 261

9 Po aty f. 271

10 Po aty f. 286

11 Po aty f. 232

12 Po aty f. 326

13 Po aty f. 329

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Finalistja e Kupës dhe kampionia vjeshtore për edicionin 2017/2018, Llapi…