KOKALARI QINDVJEÇARE

10 Janar 19:26

Albanë Mehmetaj

Kokalari për Kokalarin

Jeta ime universitare e Musine Kokalarit, që është objekt studimi i këtij teksti, me vetë titullin shënjon zhanrin ose formën e shkrimit, me bazë kujtesën. Kujtimet, si shkrim personal, paraprakisht e kanë të përcaktuar destinimin dhe synojnë të sjellin informacion mbi jetën e mbi ngjarjet personale e që, struktura e tekstit ndërlidhet edhe me rrëfimin për vendin ose vendet, kohën, situatën dhe personazhet e tjerë që lidhen me rrëfimin bazik.

Do të thotë, struktura tekstore e kujtesës së Kokalarit Jeta ime universitare përcaktohet nga statusi i tekstit, nga destinimi e synimi. Edhe pse autobiografia është një variant i jetës së kujtuar, kujtesa si shkrim personal nuk mund të quhet autobiografi (sipas Filip Lezhenit) por, si autobiografia, edhe kjo formë ka pikë esenciale identitetin e autorit dhe realizohet nëpërmjet tregimit retrospektiv mbi jetën dhe historinë e personalitetit në një kohë të caktuar.

Jeta universitare e Musine Kokalarit rrëfehet si prozë nëpërmjet kujtimeve, si formë personale, si tekst poetik e si prodhim i dëshmive të përvojave jetësore, prandaj realizohet nëpërmjet rrëfimit në vetën e parë e shumë të përqendruar (narracionit autobiografik), për ta shquar subjektivizmin dhe për ta dhënë sistemin e gjurmëve e të shenjave subjektive. Kokalari rrëfen në trajtë të fragmentuar, më shumë sesa duke ndjekur kronologjinë, duke zgjedhur pjesë të rëndësishme të jetës, për t’i elaboruar në një kuptim më të thellë dhe për t’i dhënë artistikisht efektet e të vërtetës e ndodhitë reale që nganjëherë duken të pamundshme.

Kujtimet objektivojnë jetën studentore të autores, por pse zgjedh Musine Kokolari t’i shkruajë kujtimet e veta të rinisë në rini? Cili është motivimi? Kjo mund ta diskutohet në dy mënyra: duke iu referuar hyrjes së tekstit apo vetë tekstit.

Në plan të parë dalin rrëfimet për vitet e universitetit, për ta theksuar zhgënjimin që ka pasur me Romën, në raport me atë se çfarë i prodhonte fantazia rinore. Në këtë plan ajo e zbulon veten në dy faqe: si vajzë të vogël që, së bashku me moshataret e saj, kanë fantazuar Romën, bukuritë e dijen e saj, pastaj veten të rritur, pas një periudhe katërvjeçare të jetës në Romë.

Kokalari, më konkretisht, te kjo pjesë do ta theksojë idenë që, pasi shfrytëzon bukuritë dhe prodhimet artistike të Romës, ato kalojnë në rëndomtësi, pasi kërkesat e saj janë të tjera dhe fantazia e saj disa gjëra të tjera. Situata e ndjesia e tillë mund të zbërthehen më së miri nëpërmjet leximit të psikobiografemave të Kokalarit që do t’i shohim më tutje.

Në planin e dytë, motivimi buron nga mjeshtëria e të rrëfyerit, pasi që Musineja në atë kohë ishte provuar si tregimtare dhe, paralelisht me studimet, shkruante e më vonë edhe e botoi përmbledhjen me novela Siç më thotë nënua plakë (Tiranë, Gutenberg, 1939), pas një studimi deri në imtësi të zakoneve dhe të riteve autentike shqiptare gjirokastrite.

Edhe pse te tregimet synon të krijojë distancë me objektin, duke mos u pozicionuar hapur, te kujtimet, për shkak të formës, Musineja del më ndryshe, duke theksuar subjektivitetin, por me po të njëjtin stil të prozës tregimtare trajton pjesë të jetës në format e vogla të saj ose në miniatura, siç i emëronte Lasgush Poradeci. Kur i lexojmë kujtimet dhe tregimet, konkludojmë se në të dy rastet, përveç pamjes që ka dhënë për një ambient të vogël e ngjarje të vogla, Kokalari ka trajtuar botën e brendshme të femrës shqiptare, psikologjinë e saj, si dhe vështirësitë e jetës femërore.

Musinesë, në njëfarë mënyre, edhe i sugjerohet të shkruajë për përshtypjet e saj në Itali, si një grua shqiptare, nga Shkëlqësia Parinu, komisionar në Shqipëri. Ajo përpiqet të shkruajë për këtë formë, e motivuar nga tregimi Gjyshja plakë në Romë, në të cilin rrëfehet shkuarja e gjyshes në Romë te mbesa (që është vetë autorja), e që mrekullohet nga gjërat e reja që sheh aty por, përfundimisht, do të vdesë në vendin e saj e në shtëpinë e saj.

Musine Kokalari, duke e dashur dhe ndjerë letërsinë deri në pafundësi, bën që diskursi i saj i kujtimeve ta marrë formën e tregimit, edhe pse synon që t’i radhisë faktet. Sikurse te tregimet, edhe te kujtimet ajo ka objekt femrën, por tash si rrëfim i vetes në vetën e parë, në trajtën Kokalari për Kokalarin.
Te përmbledhja Siç më thotë nënua plakë Poradeci vlerësonte që “skicat” dalin si copa jete dhe të kënaqin dhe të shijojnë estetikisht, ndërsa kjo kërkesë hetohet edhe te kujtimet, duke u dhënë me po atë mjeshtri e fuqi stili, për t’i prodhuar “copëzat e jetës” ose biografemat.

Në të dy format, në tregime e kujtime, autorja jep estetikisht jetën, jo në plan sociologjik, pasi që ajo do t’i shënjojë bukuritë e vendit dhe ta zbulojë të bukurën edhe brenda të së shëmtuarës: në rrugët e papastra, në baltë, në fëmijët e veshur keq e në jetën e vështirë, si dhe në vetminë e saj (kujtimet), në të cilën gjen më së miri motivet e së bukurës. Kështu që, nga kjo optikë duhet vlerësuar edhe zgjedhja e shkrimit që thekson estetikën e tekstit, për t’i rrëfyer kujtimet universitare. Kjo formë shkrimi ka bërë që edhe kujtimet e saj të mund të lexohen si “skica”, si pjesë “të këputura” të një jetë të gjallë e të rrëfyera artistikisht.

Tani duhet që tekstin ta lexojmë në biografema, pra nëpërmjet kujtimeve dhe rrëfimeve që bëhen shtyllat kryesore të jetës së rrëfyer të Kokalarit. Nëpër shënjimin e situatave jetësore e të përvojave vetjake, ndër më përfaqësueset të një kohe të caktuar, Kokalari e strukturon tekstin në katër kapituj që rrëfejnë katër vjetët universitarë të saj. Ky lloj strukturimi i tekstit kap moshën e rinisë, të jetës universitare të Kokalarit, siç është theksuar në titull Jeta ime universitare e, herë-herë, siç e do zhanri, kap edhe copëza përpara, nga mosha e fëmijërisë.

Biografema e parë duket që në Hyrje të tekstit dhe është me peshë për shkak të rrëfimit të vështirësive të femrës shqiptare për t’u arsimuar, si dhe për shkak të raportit të autores me ëndrrën për studimet universitare: Në qershor të vitit 1937 përfundova në Tiranë studimet e shkollës së mesme dhe pikërisht atëherë fillova të mendoj me intensitet, për muaj e muaj të tërë, të realizoj një aspiratë të madhe e të re për ne vajzat shqiptare: studimet universitare.1 Dhe: Përjetimet e universitetit gjatë këtyre viteve kanë qenë me të vërtetë të kundërta me atë çka më kishte krijuar fantazia.

Në pjesën e parë Kokalari rrëfen jetën e vet prej momentit të largimit nga shtëpia e nga Shqipëria, duke shënuar edhe muajin e vitin, ndarjen nga familja e ëndrrën për Romën e saj. Kështu, duke e ndjekur rrjedhën e rrëfimit, del se biografema esenciale e Musine Kokalarit të jetë së pari e ëndërruar. Kjo biografemë predispozon ndërtimin e biorafemës tjetër të rëndësishme të Kokalarit: atë të zhgënjimit shpirtëror, duke bërë që Kokalari të mos e njohë lumturinë, duke u familjarizuar me monotoninë.Kjo biografemë del shumë herë në tekst dhe e orienton diskursin e autores, për të shkuar edhe drejt pyetjeve filozofike: Ç’është jeta? Pse gjithë kjo dëshirë për të jetuar? Kjo është arsyeja për të cilën durojnë shumë dhimbje, megjithëse duke e ditur se, një ditë apo tjetrën, duhet të vdesin gjithsesi? Në këtë mënyrë ajo nis të thurë si rrëfim formulat e saj jetësore, duke konkluduar se nga jeta nuk mbetet asgjë, përpos pluhurit dhe se, e përjetshme është vetëm natyra.

Biografemë e rëndësishme është edhe rrëfimi për dashurinë e saj, e këputur nga zhgënjimet që dashurinë e bëjnë të duket qesharake, ndërsa të dashurin komedian. Metoda e punës dhe e studimit, me obligime shumë të mëdha, është biografemë që zbulon: idetë, pikëpamjet, botëkuptimet e Kokalarit. Në pamjen që e krijon ajo vetë për veten, del si femër me karakter të fortë kërkues e që gjithmonë mbetet e pakënaqur nga punët që i bën, pasi që gjithmonë kërkon perfeksionimin.

Në këtë mënyrë rrëfimi i Kokalarit e ndërton edhe tekstin karakterizues e vlerësues për vetë Kokalarin, duke dhënë ndjeshmërinë e saj që ka për të afërmit, posaçërisht nipin dhe mbesën (Karolinën dhe Hektorin).
Një informacion tjetër që del nga një tjetër biografemë e Kokalarit është paraqitja e kulturës oksidentale të Italisë në raport me atë orientale të Shqipërisë; mënyra e konceptimit të fesë së krishterë nga italianët dhe asaj myslimane nga shqiptarët, mendimi i italianëve për shqiptarët e përshkrimi i Kokalarit për italianët e për fetë.

Përmallimet e Kokalarit për familjen, vendin, gjuhën, përbëjnë një biografemë të rëndësishme të kujtimeve të saj, gjë që e bën atë të kthehet në tokën e saj, të cilën e koncepton si një vend me kujtime e tradita e me thirrje nostalgjike të tokës. Kjo vërehet më së miri kur krejt në fund Kokalari shkruan se do të kthehet në vendlindje, për ta kaluar jetën në mjedisin e vjetër, duke i lënë mbrapa ëndrrat dhe vendin në të cilin mbeti përherë e huaj.

Ndërsa në biografemën e fundit, në të cilën shënjohet momenti i saj i laurimit për letërsi (me tezën: Literatura shqiptare, botim Naim Frashëri), përfundon rrëfimi për jetën romane të Musine Kokalarit. Pra, kemi një përkufizim të personalitetit të Kokalarit nga vetë Kokalari që ndërtohet shkallë-shkallë dhe lidhet me çastet themelore të formimit të saj.

Nëse i zbërthejmë këto biografema hollësisht, fitojmë pamjen e plotë të Kokalarit, e cila, në radhë të parë, ka kërkuar qetësinë shpirtërore, duke e gjetur në vetmi, do të thotë duke e kërkuar brenda qenies së vet, si dhe Kokalarin si një studente e studiuese të shkëlqyer që nuk ndalet pa e përmbushur misionin e vet.

Biografemat e jetës studentore të Kokalarit i lexojmë nga Kokalari, nga një autore që shquhet për stil rrëfimtar e që nëpërmjet kulturës së gjuhës informative dhe letrare i jep pikat kyçe të jetës. Kokalari për Kokalarin lexohet me dhemshurinë më të thellë, kur e kemi të njohur fatin e saj dhe jetën e humbur për të ruajtur aq sa mund të ruhej nga vlerat morale të shoqërisë shqiptare në një gjysmëshekull çnjerëzor të saj.

(Marrë nga revista “Akademia”. Vijon në ditën e nesërme)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Kryetari i Prishtinës, njëherësh anaëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Shpend…