Komuna e Junikut do ta ketë përkrahjen e Qeverisë

19 janar 2018 | 16:24

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar të premten komunën e Junikut, me ç’rast është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune me bashkëpunëtorë.

Pas takimit me kryetarin Kuçi, kryeministri i shoqëruar nga ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, kanë zhvilluar një bashkëbisedim me asamblistë dhe qytetarët e kësaj komune.

“Jemi afër përvjetorit të Hakifit, Zahirit, Edmondit dhe është lehtë ta kujtojmë se Juniku i sotëm, Kosova e sotme është falë një rruge të gjatë e të vështirë deri në liri, flijimeve dhe vuajtjeve të mëdha. Jemi afër shënimit të 10-të vjetorit të pavarësisë dhe e dimë që asnjë shtet nuk është lindur dhe rritur lehtë, por me gjithë vështirësitë në të cilat po kalon vendi, po punohet për anëtarësimin e Kosovës në BE, në NATO, dhe fuqizimin e miqësisë me SHBA-në”, ka thënë Haradinaj.

Më tutje ai ka përmendur gjendjen në arsim, si prioritet i Qeverisë që drejton. “Testi PISA është një test ndërkombëtar dhe nëse del i keq na turpëron. Është me interes që drejtorët e shkollave, drejtori i arsimit ta marrë seriozisht këtë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Junikut, Agron Kuçi, ka njoftuar kryeministrin Haradinaj me zhvillimet në komunë, sfidat, nevojat, por edhe me objektivat e qeverisë komunale. “Jam i sigurt se komuna e Junikut, qytetarët tanë do ta ketë një perspektivë dhe një ardhmëri të sigurt”, ka deklaruar Kuçi.
Haradinaj e Kuçi kanë biseduar edhe për sistemin e shëndetësisë, ofrimin e barnave esenciale, furnizimin me energji, por edhe për projekte tjera me rëndësi, siç janë përfundimi i rrugës për Gjeravicë, objekti i ri i shkollës, transformatori 110 kilovat, ujëmbledhësi për grumbullimin e rezervave të ujit të pijshëm, shtëpinë e kulturës, palestrën e sportit dhe probleme të tjera të kësaj Komune.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pele, legjenda e futbollit botëror, është shtruar në spital pasi…