Komunikimi diplomatik i Skënderbeut

21 Janar 12:14

Dr. Sabri Kiçmari

Me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit (3)

Periudha e Skënderbeut karakterizohet me marrjen formë të diplomacisë si veprimtari dhe si profesion. Gjergj Kastrioti e ndërton sistemin e tij të komunikimit dhe përfaqësimit diplomatik, duke u përqendruar në personalitete me nivel të lartë kulture dhe negocimi. Diplomacia e Skënderbeut ishte e thjeshtë dhe e qartë. Duke pasur parasysh rrethanat e shekullit 15, mënyra se si ka operuar mekanizmi i tij i politikës së jashtme ishte mjaft i avancuar.

Dërgimi dhe pranimi i misionarëve diplomatikë ishte pjesë e përditshmërisë së asaj që mund ta kualifikojmë si diplomaci të Skënderbeut. Edhe vizitat e tij jashtë vendit, sekrete dhe të hapura, janë pjesë e veprimtarisë së tij diplomatike në mbrojtjen e interesave të vendit.

Në Shqipëri Kastrioti ndërtoi një sistem të pritjes dhe përcjelljes së diplomatëve, ju kushton vëmendje atyre, i pranon dhe i dëgjon, pranon dhe ju jep dhurata për princërit dhe mbretërit e vendeve të tjera. Ai e demonstron rolin e tij si mbret në rrafshin diplomatik.

Kryengritja e Skënderbeut nuk do të mund të zgjaste për 25 vjet, në rast se ai nuk do të mbështetej me të holla dhe armë nga jashtë. Kjo ndihmë nuk është organizuar nga luftëtarët, por nga diplomatët. Skënderbeu ka dërguar në misione diplomatike një numër të madh diplomatësh, por më të njohurit janë Pal Engjëlli, Gjon Gazuli dhe Gjergj Pelini.

Pal Engjëlli është kryepeshkop i Durrësit dhe diplomati kryesor i Skënderbeut. Ai ka luajtur rol të rëndësishëm në ushtrimin e një numri detyrash, që shkenca bashkëkohore i njeh si detyra të diplomacisë. Nga të dhënat e deritanishme rreth biografisë së tij mund ta saktësojmë se Pal Engjëlli luante rolin e ministrit të jashtëm, këshilltarit dhe ambasadorit të Skënderbeut.

Ai takon Mbretin e Napolit, bisedon me senatorët e Venedikut, dërgon mesazhe te Papa dhe e bind Skënderbeun që të heqë dorë nga armëpushimi me Perandorinë Osmane në të mirë të aleancës së krishterë. Engjëlli shkruan letra, shënime, memo dhe dokumente të tjera në emër të Skënderbeut, të cilat, sipas gjasave, janë diktuar dhe nënshkruar nga vetë Gjergji.

Pal Engjëlli konsiderohej një njeri i ditur, i matur dhe me kulturë. Ai e ka ndikuar ndjeshëm mendimin politik të Skënderbeut.
Gjergj Pelini, ishte prift katolik shqiptar dhe diplomati më i njohur i Skënderbeut që kishte lindur në Kosovë (Artanë). Pelini ishte i autorizuar të angazhohej në marrëdhëniet e shtetit të Arbërit me Venedikun. Ainegocion Marrëveshjen e Arbërit me Venedikun të vitit 1448, e përfaqëson Skënderbeun në Venedik në vitin 1451, pastaj në vitin 1456 e arrin të negociojë një koalicion në mes të Arbërit dhe Venedikut.

Një vit më vonë udhëton si përfaqësues Kastriotit Romë. Pikën kulminante e arrin përmes ndërmjetësimit të marrëveshjes në mes të Arbërit dhe Venedikut të viti 1463 për të organizuar një fushatë të përbashkët kundër osmanëve.

Gjon Gazuli ishte një nga shkencëtarët më të njohur në Evropën e shekullit 15-të. Ai ishte i pajisur me dije të nivelit të lartë në astronomi, matematikë, fizikë dhe diplomaci. Selia e tij në Raguzë ishte shndërruar në një qendër informimi të shteteve perëndimore për luftën e Skënderbeut. Ai udhëhiqte negociatat e fshehta në Raguzë për të holla dhe armë. Në prill 1451 Papa Nikolla V i dha të holla për Skënderbeun. Gazuli luajti rol edhe në negociatat në mes të Skënderbeut dhe Venedikut.

Antiteza ndaj disa tezave të Oliver Jens Schmittit

Studiuesi zviceran Oliver Jens Schmitt, i cili punon në Institutin e Evropës Juglindore në Vjenë, ka botuar fillimisht në shqip, në vitin 2008,dhe më pas në gjermanisht, në vitin 2009, librin me titulli “Skënderbeu – Aleksandri i ri në Ballkan”. Libri i tij është mjaft i pasur me burime historiografike, ka gjuhë me nivel dhe mjaft mirë i strukturuar. Aty ku ai ju qëndron besnik burimeve primare shkencore, Schmitt është i saktë. Por, libri ka një të metë serioze: trajtesa e tij është e ngarkuar shumë me vlerësime subjektive.

Libri i Schmittit nuk është në akord me konceptet e Hegelit se “historinë duhet marrë ashtu siç ajo është, duke proceduar në mënyrë historike dhe empirike.” Duke u munduar të realizoj autoritet nga “i ashtuquajturi studim i burimeve”, ai ka paraqitur fiksione a priori.

Ajo që bie në sy në këtë trajtesë të Schmittit është një shkallë cinizmi në vlerësimin e veprimtarisë së Gjergj Kastriotit. Edhe pse ai në titull të librit të tij, Kastriotin e quan “Aleksandri i ri në Ballkan”, në një numër formulimesh, ai mundohet të mohojë heroizmin e tij.

Kështu në hyrjen e librit të tij ai shkruan se objekt i parashtresës së tij është jeta e një njeriu, i cili nga bashkëkohanikët e tij, por edhe nga gjenerata të shumta, është perceptuar si “hero” (gjerm. Held). Shprehjen hero Schmitt e vë në thonjëza. Ai i numëron faktet historike se me të bëmat e Skënderbeut janë marrë burrështetasit, humanistët dhe historianët e shekullit 15-të, dhe më pas biografët, letrarët, autorët dhe publicistët politik si dhe e pranon se vetë bashkëkohanikët e Skënderbeut, e kanë konsideruar atë si hero. Por, ai i ka vënë vetes një synim politik joshkencor: të mohojë heroizmin e tij.

Synimi i dytë joshkencor i Schmittit është mohimi i përkatësisë etnike shqiptare të Skënderbeut duke shkruar se “çfarë gjaku etnik rridhte në arteriet e tij, nuk i bënte përshtypje mbështetësve të tij”. Përkundër dokumenteve të shumta burimore, përkundër trashëgimisë së gjallë të lënë nga vetë Skënderbeu – Letrës së tij dërguar Princit Tarent më 31 tetor 1461, të cilën e citon vetë Schmitti, ai shkruan se prejardhja etnike e Kastriotëve është e diskutueshme. Dokumentet arkivore dëshmojnë se Skënderbeu e ka quajtur veten Mbret të Arbërit dhe Epirit dhe ka nënshkruar dokumentet e pakta të ruajtura në këtë cilësi. Pra, përkatësia e tij etnike është shumë e qartë: Arbër dhe Epirotas, që janë sinonime të shqiptarit të sotëm. Në këtë letër Skënderbeu flet me krenari për të kaluarën e lashtë të shqiptarëve, përdorë gjuhë politike dhe retorikë në akord me kohën e humanizmit.

Schmitt vije në një përfundim të pasaktë edhe në lidhje me motivet e Skënderbeut për të organizuar kryengritjen. Ai shkruan: “Skënderbeu e filloi luftën e tij si gjakmarrje për vrasjen e babait të tij nga Murati II, një veprim që pritej prej tij dhe e cila paraqitet në traditën e mendimit të së drejtës zakonore”. Në qoftë se hakmarrja do të kishte qenë motivi, atëherë Skënderbeu do të mund të hakmerrej lehtë personalisht, duke u mjaftuar me vrasjen e djalit të Sulltan Muratit. Për një motiv të tillë hakmarrës personal ai nuk do të mund të fitonte mbështetjen e shqiptarëve për të organizuar luftën. Lajthitja e Schmittit këtu është instrumentale.

Ajo që librin e Schmittit e dëmton rëndë është teza e tij kundër luftës për liri të Kastriotit. Kundër kësaj teze ne do të vejmë antitezën se liria si nocion filozofik e politik është një vlerë e pazëvendësueshme për popujt. Sakrifica për liri është karakteristikë e popujve që gjakojnë lirinë. Moskuptimin e këtij nocioni Schmitt e shpërfaqë me konstatimin e tij se “Ai që e mbështeste Skënderbeun e humbi më në fund edhe atdheun edhe jetën… Dëshira e madhe e Kastriotit për fitore i solli malësorët në greminë. Ai i ngarkoi shumë ata, në luftën e tij të pakompromis kundër osmanëve… Jeta dhe vepra e Skënderbeut është një tragjedi e vendit të tij… Ai mbeti i vetëm në gërmadhat e veprës së tij…

Dhe kështu jetoi Kastrioti i madh si një hero vezullues në kujtesën e të krishterëve në Ballkan dhe në Perëndim, dhe u harrua se ai në të vërtetë ishte një figurë tragjike e një kohe të kthesave”. Sipas kësaj logjike ekstremist pacifiste dhe nënshtruese, shqiptarët do të duhej të mos luftonin, të nënshtroheshin, të bashkëpunonin me Perandorinë Osmane, të lejonin trupat e tyre të mësynin Evropën, sepse vetëm në këtë mënyrë do të shpëtohej edhe atdheu edhe jeta. Përgjigjen më të mirë në këtë rast do t’ia jepte Hegeli, i cili shkruan se për të arritur lirinë njeriu duhet ngritur kundër robërisë. Vetëm në rast se njeriu ngritët, përkundër frikës nga vdekja, ai mund të jetë i lirë, kurse “ai që nuk e ka guximin që të rrezikojë jetën e tij për arritjen e lirisë, e meriton që të jetë skllav”.

Formulimet cinike dhe përçmuese janë prezente në shumë pjesë të librit të Schmittit, të cilat po i paraqesim në formë sentencash: me përdorimin e shprehjes renegat për Gjergj Kastriotin, me konstatimin e tij se marrëdhëniet e Skënderbeut me Pallatin e Sulltanit nuk u ndërprenë asnjë herë krejtësisht, me konstatimin se Skënderbeu “nuk kishte as një administratë të rregullt dhe as një hapësirë të qëndrueshme sundimi”, me formulimin se “mercenarët (italianë, gjermanë, francezë, dalmatë dhe britanikë) ishin shpesh më të sigurt se sa ndjekësit vendorë të Skënderbeut”, me konstatimin se Skënderbeu “u la i vetmuar nga të gjithë njerëzit e tij kryesor, të cilët kaluan në anën e turqve”, dhe atë se “Skënderbeu iku, për të shpëtuar kokën”, se Lidhja e Lezhës nuk ishte një lidhje “e pastër shqiptare” etj.

Një vërejtje tjetër serioze është edhe përdorimi në gjuhën sllave i disa toponimeve dhe emrave të personave. Në mes të toponimeve dhe emërtimeve në gjuhën latine, shqipe, turke ose sllave, në shumë raste Schmitt preferon të përdorë atë sllave. Për shembull ai përdorë emërtimin sllav Bila Kamin dhe jo Petralba (në latinisht) për Gurin e Bardhë (shqip). Edhe emrin e babait të Skënderbeut nuk e albanizon, as latinizon, por e sllavizon duke e quajtur Ivan, përderisa emrin e Kastriotit e gjermanizon: Georg. Pra, shohim se ai edhe në këtë pikë nuk ndjek një linjë të qartë shkencore.

Përfundim

Ndryshe nga Napoleoni, i cili humbi në Vaterloo, Skënderbeu nuk e përfundon karrierën me humbje. Ai vdes në krevat nga sëmundja, i informuar se lufta me turqit po vazhdon. Ai nuk ka pasur dyshim në qëllimin e luftës: atë e kupton si luftë për liri, mbrojtje të atdheut dhe kulturës perëndimore nga mësymja osmane. Çmimi që paguan shqiptarët me humbjen e luftës, dhjetë vite pas vdekjes së Skënderbeut, ishte shumë i lartë. Vendi pushtohet dhe digjet. Ekonomia shkatërrohet. Dhuna dhe terrori osman i detyrojnë njerëzit të ikin për Itali ose të përqafojnë islamin. Për rreth pesë shekuj bota shqiptare zvogëlohet, tkurret.

Në Evropë ka pasur shumë princër në shekullin e 15-të, por nuk ka asnjë princ tjetër që ka luftuar me kaq sukses, që ka pasur kaq mbështetje nga populli dhe bota perëndimore. Me të drejtë Skënderbeu konsiderohet si komandanti më i suksesshëm i Evropës Juglindore në luftë kundër forcave osmane, shumë më të mëdha në numër dhe teknikë. Ekspansioni osman u pengua nga lufta e Skënderbeut për të depërtuar në Evropën Perëndimore. Prandaj Gjergj Kastrioti me të drejtë sot konsiderohet jo vetëm hero i shqiptarëve por edhe si figurë historike e Evropës së shekullit 15-të.

Në këtë kuadër duhet parë edhe rezolutën e Kongresit të SHBA-së, të datës 27 tetor 2005, përmes së cilës “nderonte 600-vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriotit si një burrështetas, diplomat dhe gjeni ushtarak, për rolin e tij në shpëtimin e Evropës Perëndimore nga okupimi osman”. Dhe nuk është e rastësishme që filozofi danez Ludvig Holberg ka shkruar se Skënderbeu ka qenë një nga gjeneralët më të mëdhenj në histori, Vivaldi ka kompozuar operën e njohur “Scanderbeg”, ai ka qenë subjekt i tragjedive të Villiam Havardit, George Lilos dhe Thomas Vincopit dhe i një numri të madh poemash, dramash dhe librash të tjera. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Këngëtarja shqiptare Rita Ora ka mahnitur fansat derisa ka përformuar…