Korenica: Plagën e Kupës e shërojmë në kampionat

22 shkurt 2018 | 19:59

Meriton Korenica beson se gabimin me eliminim nga Kupa, Liria do ta përmirësojë në kampionat. “Tash jemi të fokusuar maksimalisht në kampionat. Lufta është ende e hapur për titull dhe diferenca e pikëve në mes të skuadrave të para është e vogël. Do të jetë një garë e gjatë dhe me shumë befasi. Kam besim të plotë në këtë grup të lojtarëve. Nëse e japim maksimumin në vazhdimësi, atëherë gjerat e mëdha do të ndodhin”, ka thënë Meriton Korenica.

Futbollisti i Lirisë së Prizrenit, Meriton Korenica, është i lumtur se skuadra e tij e ka nisur sezonin pranveror me fitore. Në fakt, Liria e mposhti Vllazninë e Pozharanit (2-1), kurse lojtari në fjalë beson se kjo skuadër do të përmirësohet sidomos në repartin defansiv. “E filluam sezonin pranveror me fitore në kampionat dhe kjo është shumë me rëndësi. Në sezonin vjeshtor kemi humbur shumë pikë në sekondat e fundit të ndeshjeve, kurse tash besoj se do të përmirësohemi në këtë pikë dhe rezultatet do të janë më pozitive”, ka thënë Korenica, i cili më pas ka folur edhe për eliminimin nga Kupa.

Ai e ka quajtur të dhembshëm faktin se skuadra nga Prizreni nuk do ta ndjekë Kupën deri në fund. “Është për keqardhje fakti se jemi eliminuar nga Kupa, por ajo ndeshje ishte e vështirë dhe nuk e kishim mundësinë të luanim futboll, sepse gjendja e fushës ishte e rënduar shumë nga shiu, bora dhe balta. Penalltitë janë më shumë çështje fati dhe atë ditë fati ishte në anën e kundërshtarit. Ky eliminim na dhemb për faktin se kemi pasur objektiv daljen në Evropë”, ka deklaruar Korenica.

Lojtari i skuadrës që drejtohet nga Blendi Shkëmbi është optimist se në kampionat gjerat do të ecin pozitivisht për skuadrën e tij. “Tash jemi të fokusuar maksimalisht në kampionat. Lufta është ende e hapur për titull dhe diferenca e pikëve në mes të skuadrave të para është e vogël. Do të jetë një garë e gjatë dhe me shumë befasi. Kam besim të plotë në këtë grup të lojtarëve. Nëse e japim maksimumin në vazhdimësi, gjerat e mëdha do të ndodhin”, ka deklaruar Korenica.
Skuadra e Lirisë renditet në pozitën e katërt në renditjen tabelore me 31 pikë të grumbulluara.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar ish-publicistin dhe politikanin…