Kosova dhe Maqedonia pritet të nënshkruajnë 15 marrëveshje

31 maj 2018 | 08:09

Zëvendëskryeministri, njëherësh koordinator i organizimit të mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë, Enver Hoxhaj,  ka bërë me dije se në ditët në vijim do të caktohet data për mbajtjen e kësaj mbledhje.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se tashmë ka përfunduar procesi i identifikimit, negocimit dhe përmbylljes së 15 marrëveshjeve që do të nënshkruhen në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

“Si koordinator i organizimit të kësaj mbledhje të përbashkët, përgjatë këtyre pesë muajve kam realizuar disa vizita dhe takime në Prishtinë, Shkup e Kaçanik me homologun tim në Maqedoni, zëvendëskryeministrin Bujar Osmani, si dhe kam organizuar disa takime koordinimi me ministra e sekretarë të përgjithshëm brenda Qeverisë së Kosovës. Jam shumë i kënaqur me punën e bërë dhe koordinimin e mirë. Tani kemi përfunduar të gjithë procesin e identifikimit, negocimit dhe përmbylljes së marrëveshjeve që janë nga fusha e drejtësisë, e sigurisë, e shëndetësisë, e ekonomisë e deri te njohja reciproke e patentëshoferëve mes dy vendeve. Janë rreth 15 marrëveshje që pritet të nënshkruhen. Ka mbetur vetëm të caktohet data e mbajtjes së mbledhjes. Besoj se kjo do të ndodhë në ditët në vazhdim. Varet se kur Maqedonia e zgjidh çështjen e emrit me Greqinë. Kjo temë varet nga Maqedonia”, është shprehur Hoxhaj.

Ai ka vlerësuar se mbajtja e kësaj mbledhje konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera politike, diplomatike e ekonomike në mes të dy vendeve. “Mbledhja e parë e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë është e para e këtij lloji në historinë më të re politike të dy shteteve fqinje. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm që konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera politike, diplomatike e ekonomike mes vendeve tona. Por, mbi të gjitha, flet për rolin konstruktiv që shqiptarët kanë luajtur në vazhdimësi në Maqedoni në mënyrë që ky vend të lëvizë drejt Bashkimit Evropian dhe ne si Qeveri e Kosovës e vlerësojmë këtë qasje jashtëzakonisht shumë”, ka theksuar Hoxhaj.

Edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se mbledhja e përbashkët në mes të qeverive të dy vendeve do të mbahet shumë shpejt. “Republika e Maqedonisë ka më së shumti marrëveshje të bashkëpunimit ndërshtetëror të nënshkruara me Republikën e Kosovës. Këto marrëveshje janë në fushën e ekonomisë dhe në fushën e bashkëpunimit të institucioneve. Kurse sa i përket mbledhjes së përbashkët, pres që të mbahet së shpejti, meqë autoritetet e dy vendeve janë duke punuar për këtë. Është çështje kohe dhe besoj se shumë shpejt se do të marrë epilog kjo çështje”, ka deklaruar Ahmeti.

Analistët mirëpresin mbledhjen Kosovë – Maqedoni, kërkojnë zbatim të marrëveshjeve

Njohësi i proceseve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Maqedoni, profesori Blerim Reka, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është për t’u përshëndetur mbajtja e mbledhjes së përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë.

Ai ka theksuar se kjo jep shpresë se politika e re e jashtme e Maqedonisë ndaj fqinjëve do të reflektojë edhe në shtimin e marrëdhënieve bilaterale me Kosovën në të gjitha fushat.

“Bile, kjo duhej bërë shumë më herët.  Si fqinjë të parë dhe si dy kryeqytete më të afërta të Ballkanit, Shkupi dhe Prishtina ndajnë orientimin e njëjtë dhe të përbashkët strategjik euroatlantik. Për vetëm një vit, pra po realizohet ajo që nuk ishte realizuar gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Kjo jep shpresë se politika e re e jashtme e Republikës së Maqedonisë ndaj fqinjëve, do të reflektojë edhe në shtimin e marrëdhënieve bilaterale me Republikën e Kosovës në të gjitha fushat. Tekefundit, edhe strategjia e re e zgjerimit e BE-së për Ballkanin Perëndimor kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, bashkëpunim rajonal dhe mbylljen e të gjitha kontesteve bilaterale. Fatmirësisht, Kosova dhe Maqedonia nuk kanë asnjë çështje të hapur, madje janë ndër të rrallat vende fqinje të Ballkanit që tash e një dekadë kanë mbyllur edhe demarkacionin e kufirit”, është shprehur Reka.

Ai shpreson se pas kësaj mbledhje qeveritë do të ndërmarrin hapa praktikë për ta lehtësuar jetën e qytetarëve në të dyja anët e kufirit dhe për ta bërë atë formal ashtu siç është midis shteteve anëtare të BE-së.

“Një nga hapat e parë pa dyshim do të ishte aplikimi i sistemit të një sporteli kufitar midis dy shteteve, duke i eliminuar kontrollet e dyfishta. Hapi tjetër do të ishte fillimi i punimeve nga ana e Maqedonisë të pjesës së autostradës Prishtinë – Shkup në segmentin Shkup –  Bllacë. Me këtë jo vetëm se do të shkurtohej koha e qarkullimit reciprok qytetar dhe tregtar, por për kompanitë e Maqedonisë do të ‘afrohej’ edhe më shumë porti i Durrësit”, ka deklaruar Reka.

Edhe njohësi i proceseve politike në Kosovë, Imer Mushkolaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se mbajtja e mbledhjes së përbashkët Kosovë – Maqedoni është shenjë e vullnetit të mirë politik për bashkëpunim të ndërsjellë.

Sipas tij, formalisht është normale të mbahet një mbledhje e tillë jo vetëm me Qeverinë e Maqedonisë, por në përgjithësi me qeveritë e vendeve të rajonit.

“Mirëpo është problematike se cili do të jetë rezultati i kësaj mbledhje, çfarë marrëveshje do të arrihen dhe a do të zbatohen? Fatkeqësisht, kemi përvojë jo të mirë me mbledhjet e mbajtura në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, përkatësisht për realizimin praktik të marrëveshjeve të arritura. Kështu që, kjo mund të jetë një mbledhje kurtuazie, një mbledhje për të treguar vullnet të mirë të bashkëpunimit reciprok, por dyshoj se çfarëdo marrëveshje e arritur, do të zbatohet në praktikë në mënyrë të kënaqshme”, ka theksuar Mushkolaj.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se me Maqedoninë ka mundësi bashkëpunimi në aspektin kulturor dhe ekonomik për shkak të numrit të madh të shqiptarëve që jetojnë atje. “Logjikisht do të duhej që marrëveshjet e arritura me Shqipërinë të mos jenë problematike për t’u zbatuar sesa me cilindo shtet tjetër. Prandaj dyshoj se mund të jenë të suksesshme në praktikë marrëveshjet që arrihen në mes të dy shteteve”, ka deklaruar Mushkolaj.

Sipas tij, do të ishte mirë që në këtë mbledhje palët të merren vesh për heqjen e taksës që duhet të paguajnë qytetarët e Kosovës kur udhëtojnë me veturë në Maqedoni. “Secili qytetar i Kosovës që dëshiron të shkojë në Maqedoni me veturë duhet të paguajë një taksë të posaçme. Nëse arrihet një marrëveshje në terma praktike sikur heqja e kësaj takse është në rregull, por nëse arrihen marrëveshjeve çfarë është bërë zakon të arrihen dhe të bëhet një listë e tyre e t’u prezantohen medieve si sukses, është e kotë dhe nuk kalon përtej vullnetit politik për ndërtimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore”, është shprehur Mushkolaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ishin paralajmëruar disa javë më parë, por tashmë janë bërë…