Kosova dhjetëvjeçare dhe identiteti kombëtar

26 shkurt 2018 | 11:21

Prof. dr. Emin Kabashi

Përkufizimi

Nuk dua të flas sot këtu, në Rahovecin e lashtë, për identitetin kombëtar të Kosovës, sepse ajo është çështje  që dihet, sepse është pjesë e historisë sonë, e cila nuk ka filluar me ne, as nuk përfundon me ne, sepse përbërësit e identitetit kombëtar janë pjesë e bërthamës sonë kombëtare sepse, në fund të fundit, ka kaluar koha e krijimit të kombeve të reja. Sigurisht, si kudo në botë, edhe në Kosovë e dinë, se shekulli i nëntëmbëdhjetë ishte shekulli i krijimit të kombeve, pra shekulli kur është krijuar edhe kombi shqiptar.

Por, dua ta flas për një çështje thelbore.

Nuk besoj se ka vend në botë, që emërtimi i popullit, i vendit, i gjuhës, simboli i flamurit, të ketë vetëm një përfaqësues, siç është rasti i Kombit shqiptar. Po kështu, edhe në histori, folklor, etnografi, arkeologji, numizmatikë-monedhat e lashta, zbukurime armësh, djepi, vegla muzikore, besime, e të tjera, të ketë po këtë përfaqësuese dalluese: Shqiponjën!

Sot, sipas albanologëve, emërtimi “shqiptar” nuk e tejkalon periudhën e mesjetës, mirëpo, në anën tjetër, lidhet me lashtësinë, me gojëdhënën e Pirros kur u drejtohet nënshtetasve të tij, se «ata ishin bijtë e shqiponjës».

Hyrje

Nuk dua të flasë, si është bërë Kosova shtet, me politikë paqësore, apo me luftë të armatosur, se a janë bërë gabime, apo nuk janë bërë, se cila ishte klasa politike që e bëri shtet Kosovën, se kush na ndihmoi, apo kush nuk na ndihmoi.

Por, dua të flasë, se liria e Kosovës, siç edhe liria e Arbërisë së Mesjetës, pra Arbëria e Motit të Madh, siç i thonë arbëreshët e mi periudhës së Skënderbeut, më tutje, siç edhe luftërat për pavarësinë e Shqipërisë, më 1908-1912, janë projekte të popullit shqiptar. Do të thotë, sikur të mos ishin projekte historike të popullit shqiptar, as nuk do të vinte kush të na ndihmonte, as nuk do të kujtohej kush se a ishim të robëruar. Kosova ishte e pushtuar dhe e robëruar që nga viti 1913, edhe me nënshkrimin e Fuqive të Mëdha të Evropës së kohës, por askush nuk ishte kujtuar asnjëherë që ta hiqte robërinë e saj, derisa u kujtua vetë populli shqiptar dhe me armët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, hoqi robërinë dhe sot është shtet i moshës dhjetëvjeçare.

Nuk dua të flas as për Rezolutat e Kombeve të Bashkuara, as për vetot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të Rusisë, apo Kinës, sepse janë gjera që nuk e bëjnë lirinë e një populli.

Por, dua të flas, se kurrë, në historinë e popullit shqiptar, asnjë rezolutë, e asnjë veto nuk e ka sjellë lirinë tonë, se asnjë populli në histori, andaj as shqiptarëve, askush nuk ia ka falur lirinë, as me rezoluta, as me veto, as me pranime apo mospranime.

Lirinë e fitojnë vetë popujt, me bërthamën e tyre kombëtare, por me bukën e popullit, pastaj vijnë të tjerë që ta ndihmojnë, apo ta pengojnë. Do të thotë, pa krijimin e bërthamës kombëtare të luftës për liri, nuk krijohet liria e një populli, në këtë rast liria e popullit shqiptar të Kosovës, askush nuk vjen të luftojë për lirinë tënde dhe askush nuk vjen të sakrifikojë për ty.

Kosova dhjetëvjeçare dhe Evropa

Nuk dua të flas për asnjë ngjarje të kaluar historike, as për Traktatin e Shën Stefanit, më 3 mars 1878, ku Perandorisë Osmane ju morën nga Rusia cariste për aleatët e saj, mbi 80% e territoreve në Gadishullin ballkanik, nuk dua të flas as për Kongresin e Berlinit, më 13 qershor 1878, i cili fillimisht ishte thirrur për të rishikuar vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, nuk dua të flas as për Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në dhjetor të vitit 1912, as për Konferencën e Paqes në Paris, më 1921, sepse janë çështje që dihen historikisht, pa marrë parasysh si i ka shpjeguar shkenca jonë historike.

Por, dua të flas për idealin e lirisë së popullit shqiptar, në strukturën kombëtare e të cilit përherë kishte një bërthamë kombëtare, që nuk e pranonte robërinë, që nuk njihte copëtimin e tokave shqiptare, që nuk njihte pushtetet hegjemoniste, që përherë kërkonte vetëm të drejtën dhe lirinë e popullit dhe vendit të tij.

Po ashtu, dihet se nëpër të gjitha këto periudha kohore, nëpër të gjithë këto ngjarje të mëdha historike, duke mbrojtur tokat dhe lirinë e tij, populli shqiptar, me atdhetarët dhe tradhtarët e tij, që nuk mungojnë asnjëherë, ishte dëmtuar shumë, ishte pakësuar numerikisht, sa ndonjëherë i ishte ndërprerë edhe zhvillimi i natyrshëm biologjik.

Nëpër këto lakadredha të historisë, ka ecur edhe pjesa e popullit shqiptar, që ishte copëtuar nga trungu i atdheut, më 1913, kurse më vonë ishte shpërndarë në disa mini shtete të Ballkanit, jo vetëm të mbahej më lehtë i robëruar, por edhe të pakësohej e të asimilohej më shpejt.

Prandaj, dua të flasë, se një ditë, pas qëndresës më shumë se tetëdhjetëvjeçare, bërthama kombëtare që kishte kalitur idealin e luftës për liri, e thirri popullin në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 27 nëntor të vitit 1997. Andaj, në pjesët e gjeografisë së atdheut, që kishte mbetur jashtë Shqipërisë politike, u zhvilluan tri luftëra çlirimtare, që secila me peshën e saj historike, kanë hapur procesin e madh historik të bashkimit kombëtar. Falë këtyre luftërave çlirimtare, sot Kosova është shtet dhjetëvjeçar. Dhe është i tillë, deshën apo nuk deshën të gjithë shqiptarët, deshën apo nuk deshën qendra të ndryshme ndërkombëtare.

Proceset historike shqiptare dhe politika e ditës

Nuk dua të flas për politikën shqiptare të ditës, kudo që bëhet ajo, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Preshevë, në Ulqin, në mërgatën e madhe shqiptare, apo nëpër odat dhe kafenetë tona. Nuk dua të flas për arsyen e thjeshtë se politika zyrtare shqiptare e ditës, asnjëherë nuk ka hapur rrugë për proceset e mëdha historike, asnjëherë nuk ka krijuar një program kombëtar me peshë historike, asnjëherë nuk e ka shfaqur botërisht, se i janë marrë më shumë se gjysma e gjeografisë së tij dhe ka mbetur me më pak se gjysmën e popullit të tij.

Por dua të flas për luftën çlirimtare që është veprim historik në jetën e popujve të robëruar, andaj edhe në jetën historik të popullit shqiptar. Falë këtij veprimi historik, që ka bërë Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot Kosova është shtet dhjetëvjeçare. Disa iluzionistë shqiptarë, thonë se ky është shteti i dytë shqiptar, por ka edhe të tjerë që thonë se në Ballkan janë dy shtete e gjysmë shqiptare, kuptohet duke futur këtu edhe shqiptarët nën Maqedoninë që po bëhet popull shtetformues. Ka edhe të tillë që thonë se shqiptarët nuk kanë një Program Kombëtar, por harrojnë se Manifesti i Madh Kombëtar i Sami Frashërit, ‘‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç‘do të bëhet’’, projekti i madh i Rilindjes sonë Kombëtare dhe i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, edhe sot e kësaj dite nuk është realizuar. Kur të realizohet ky projekt madhor, kur të bëhet realitet, atëherë historia i mëson shqiptarët se cilat veprime janë të duhura për të ecur tutje.

Pra, mirë, nëse mund të thuhet mirë. Sado që iluzionet janë të dëmshme për veprimin historike në jetën e një populli, ato kanë edhe një barrë të psikologjisë së robit, ngase u mjaftojnë gjysmat, ose që u kanë lënë të tjerët, siç është rasti me Shqipërinë politike, ose ato që kanë fituar me luftë çlirimtare, siç është rasti me Kosovën dhe shqiptarët nën Maqedoninë. Por, realizimin e përfundimit të procesit historik që ka hapur lufta çlirimtare, që është bashkimi kombëtare, nuk e bëjnë.

Nuk dua të them asnjë fjalë, sidomos sot, për fjalorin e politikës së ditës, kudo që zhvillohet ajo, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në diasporën e madhe shqiptare, nëpër oda dhe kafene, sepse mund të numërohen në gishtat e dorës sa herë është përmendur procesi i bashkimit kombëtar, që është proces historik dhe është i pashmangshëm, por edhe për faktin se sot jemi në ditë kremteje, ngase Kosova jonë është e moshës dhjetëvjeçare si shtet i pavarur dhe sovran. Nuk dua të flasë, as për kategoritë e pavarësisë e të sovranitetit, qoftë edhe për shkak të nivelit kulturor të gjuhës së shtypit dhe të politikës sonë, por e di saktësisht se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe është në rrjedhën e procesit historik që ka hapur lufta çlirimtare për bashkimin kombëtar.

Nuk dua të flas as për qëndrimin e shumicës së shteteve evropiane, sepse qëndrimin e tyre e ka shpaluar mrekullisht Ambasadori i parë i Shqipërisë së pavarur etnike, të Ismail Qemalit, të vitit 1912, në Mbretërinë e Bashkuar, Mehmet Konica, kur në fillim të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, më 1913, vetëm me ndihmën e miqve të tij, lordëve anglezë, kishte arritur ta pranonte kryeministri Eduard Grei, vetëm për 15 minuta, që ishte edhe kryesues i Konferencës së Ambasadorëve në Londër, më 1913. (*Ambasadori Mehmet Konica futet në zyrën e tij, por ai jo vetëm nuk denjon t’ia japë dorën, por as ta kthente kokën nga dritarja ku shikonte, sa duket, rrugët e Londrës së asaj kohe.

-Fol, -i thotë kryeministri Grei, -por vetëm për kufijtë mos fol.

-Jo, -ia kthen Ambasadori Mehmet Konica, -kam ardhur të të përcjellë porosinë e kryeministrit tim, z. Ismail Qemali, e të ju them se në Shqipëri është bërë një zbulim i një miniere të madhe ari, andaj kryeministri im, ka dëshirë që Britania e Madhe të jetë koncensionare. Kryeministri Grei, kthehet, ia jep dorën, e fton të ulet, se nuk kishte kuptim të bisedohej në këmbë, e të tjera.

Për të mos e zgjatur. Kur kalojnë 15 minuta, Ambasadori Mehmet Konica ngrihet në këmbë, dhe i thotë kryeministrit Grei, se në Shqipëri nuk ishte zbuluar asnjë minierë, as e madhe as e vogël e arit, por vetëm deshi ta shihte qëndrimin e një fuqie të madhe evropiane, si do të reagonte, nëse do të kishte interes ekonomik në vendin e tij. Dhe del nga zyra).

Nuk dua të flasë, as për historinë e Kosovës, që po e shkruan Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, as për atë që e ka shkruar Akademia e Shkencave e Tiranës, thuajse kemi dy histori, ngase absurdi ndodh kur politikës dhe shkencës së ditës, i mbushet mendja se një popull ka dy histori të ndryshme.

Por, dua të flas për faktin se pa marrë parasysh se çka thotë politika dhe dija shkencore e ditës, Kosova sot është shtet dhjetëvjeçar, por ajo që është kryesorja, ajo përfundimisht është çliruar nga pushtimi sllav.

Nuk dua të flas për Gjykatën Speciale, sepse kjo nuk është hera e parë, kur edhe ata që na kanë ndihmuar, kanë më shumë interes të mos prishen me Rusinë, e të tjerë, se sa a dëmtohet, apo nuk dëmtohet një pjesë e popullit shqiptar që ka luftuar për lirinë e tij.

Por, dua të flas dhe ta theksoj me këtë rast, se asnjë gjykatë e botës, nuk mund t’ia marrë lirinë një populli që ka zhvilluar luftë çlirimtare, asnjë gjykatë në botë, nuk mund ta zhbëjë luftën për liri të një populli, pa marrë parasysh sa dëmtohen individë të caktuar. Prandaj, Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran, edhe pse moshën e ka vetëm dhjetëvjeçare.

Nuk dua të flas as për korrupsionin e një shtrese të caktuar të atyre që bëjnë politikën e ditës, bashkë me evropianë të caktuar, sepse pas 12 qershorit të vitit 1999, kur kapitullon ushtarakisht Serbia pushtuese, e këndej, secili individ mban përgjegjësi për veprimet e tij në politikën e ditës.

Por, dua të flasë, me shumë zë, se askush nuk mund ta nëpërkëmbë luftën çlirimtare të një populli, ngase historia nuk krijon kope heronjsh, por krijon një emër-simbol, siç e ka krijuar Komandantin Legjendar Adem Jasharin. Si dhe, se ardhmërinë e lirisë së një vendi që ka zhvilluar luftë çlirimtare, nuk e bën politika e ditës, por Dëshmorët e Kombit, që janë pjesë e mbamendjes sonë historike.

Përfundim

Sot në Rahovecin e lashtë, në territorin e të cilit, kur ishte apo nuk ishte komunë, asnjë ngjarje historike nuk është zhvilluar pa pasur pjesëmarrës edhe nga kjo anë. Prandaj, edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në këtë anë, jo vetëm kishte djem dhe vajza që u bënë ushtarë të lirisë, por ata që kanë rënë për liri, Dëshmorët e Kombit, e kanë bërë edhe këtë pjesë të gjeografisë shqiptare, pjesë të kujtesë së Atdheut tonë që quhet Shqipëri.

Prandaj, këtu dhe sot, nuk është vendi të flitet për ato që janë pjesë e jetës së përditshme, sepse ajo dihet, ka halle dhe ka mungesa, ka varfëri dhe ka të papunë, ka të pasur dhe ka hilexhinjë, që e duan Kosovën dhe lirinë e saj, vetëm kur përfitojnë nga ajo.

Sot dhe këtu, është vendi të flitet për moshën e një shteti që është krijuar pas një luftë pesë vjeçare, nga viti 1997-2001, të shqiptarëve të pushtuar dhe të robëruar dhe të lënë pa atdhe, pra, që kishin mbetur jashtë gjeografisë së atdheut kombëtar.

Kanë kaluar mbi 402 vjet nga vdekja e Shekspirit të madh. Me Nolin tonë, ai është bërë edhe pjesë e kulturës sonë kombëtare. Përveç të tjerave, ai na ka mësuar si flasim e të shkruajmë në ditë festash, e si në ditë morti. Këtë mënyrë të shkrimit, ma ka mësuar edhe mua sot, në Rahovecin e lashtë, për të folur për shtetin dhjetëvjeçar të Kosovës.

Ju falëm nga zemra që më dëgjuat!

 * Kumtesa është lexuar në shënimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Rahovec, në organizim të komunës së këtij qyteti. Autori është këshilltar shkencor në institutin Albanologjik të Prishtinës

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja e fundit e javës së 20-të në Vala Superligën…