Kosova merr zyrtarisht kryesimin e CEFTA-s

24 janar 2018 | 14:37

Republika e Kosovës ka marrë sot zyrtarisht në Bruksel kryesimin e CEFTA-s.

Me këtë rast ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MIE), Bajram Hasani, njëherësh kryesuesi i CEFTA-s, është zotuar se Kosova do të luaj rol konstruktiv gjatë kohës që do të udhëheq me CEFTA-n.

Ai ka premtuar se rëndësi të veçantë do t’i kushtojë implementimit të marrëveshjeve të deritashme si dhe do të përkushtohet në jetësimin e marrëveshjeve që pritet të arritën në të ardhmen.

“Si ministër i qeverisë së Kosovës dhe kryesues i CEFTA-s, do të angazhohem maksimalisht për të kryer obligimet tona, për të realizuar objektivat tona dhe më e rëndësishmja gjatë këtij kryesimi, do të fokusohemi në implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe marrëveshjeve që do t’i arrijmë në të ardhmen”, është shprehur Hasani.

Ai ka bërë me dije se objektiv strategjik do të jetë krijimi i Zonës Ekonomike Rajonale me bazë të pajtueshmërisë me BE-në dhe marrëveshjen e CEFTA-s për promovimin e investimeve përmes promovimit të tregtisë rajonale.

Ministri Hasani ka deklaruar se Kosova gjatë kryesimit të CEFTA-s do të ketë qasje të bashkëpunimit, duke mos neglizhuar asnjërën palë të përfshirë në marrëveshje.

“Gjatë vitit 2018 qasja e Kosovës do të jetë proaktive, ne do të punojmë që të sjellim të gjitha palët në tavolinë dhe të marrim vendime që shkojnë në favor të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit në BE, si qëllim primar i vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Hasani.

Ministri Hasani i ka ftuar të gjitha palët për një bashkëpunim reciprok, pasi që kjo siç ka thënë ai shkon në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve.

Në kuadër të objektivit strategjik, kryesuesi i CEFTA-s për vitin 2018 do të ketë shtatë prioritete.

Prioriteti i parë është lehtësimi i tregtisë së lirë në mallra. Prioritet i dytë do të jetë harmonizimi i tregjeve të CEFTA-s me BE-në. Prioritet i tretë është krijimi i një rajoni të lirë nga barrierat jotarifore dhe zgjidhja e kontesteve tregtare. Prioriteti i katër do të jetë lehtësimi i tregtisë së lirë në shërbime. Prioriteti i pestë është lehtësimi i lëvizjes së lirë të ekspertëve, profesionistëve dhe punëtorëve të kualifikuar. Prioriteti i gjashtë do të jetë lëvizja e lirë e investimeve. Dhe prioritetit i shtatë është forcimi institucional i sekretariatit të CEFTAS-s.

Kurse Myriam Ferran nga Komisioni Evropian ka thënë se pret bashkëpunim konstruktiv me Kosovën. Ajo ka theksuar se ky është një test i madh për Kosovën dhe se duhet të fokusohen drejt një të ardhme të përbashkët në BE.

Ndërsa ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, ka vlerësuar se kryesimi i CEFTA-s është një rast i mirë për Kosovën. Ai ka thënë se ministri Hasani do të shtyj përpara prioritetet e caktuara. Nikaj shpreson në bashkëpunimin të ndërsjellë mes palëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Flamur Sefaj, ka pritur…