Kosumi fton studentët që të bëhen pjesë e programit Erasmus+

24 maj 2018 | 16:28

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi, të enjten ka marrë pjesë në Ditën informuese të programit Erasmus+ për thirrjen për aplikim.

Erasmus+ është program arsimor i Bashkimit Evropian që synon modernizimin e sistemeve arsimore dhe përshtatjen e tyre me sistemet e Unionit Evropian.

Rektori Kosumi ka falënderuar zyrën e BE-së dhe zyrën e Erasmus+ për sesionin informues, derisa ka thënë se universitetin që drejton ka një përvojë të lakmueshme në projekte ndërkombëtare, veçanërisht në projektet Erasmus.

Gjithashtu, rektori Kosumi ka inkurajuar të gjithë studentët dhe stafin akademik që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e mundësive që ofron Erasmus+.

Nga ana e tij prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Dukagjin Leka, gjatë sesionit informues që temë diskutimi ka pasur “Ngritjen e cilësisë së Arsimit në Kosovë, përkrahja e BE-së për arsimin dhe programi Erasmus+ si përkrahje për ngritje të cilësisë së arsimit”, ka thënë se projektet Erasmus+ për UKZ-në kanë  rëndësi të madhe.

Prorektori Leka gjithashtu ka folur edhe për projektet tjera që Universiteti “Kadri Zeka” ka me institucionet ndërkombëtare.

Rasa Jautakaite-Tunaitiene nga zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se kjo ditë informative e programit Erasmus+ është një mundësi e mirë për të gjithë, për të parë mundësitë që ofron Bashkimi Evropian, në ndërtimin dhe zhvillimin e standardeve të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.

Ndërsa, Blerina Zjaqa nga zyra e Erasmus+ ka informuar të pranishmit rreth programit Erasmus+.

Ajo ka theksuar se disa nga mundësitë e programit Erasmus+ për universitetet e Kosovë janë ngritja e cilësisë në arsimin e lartë në shumë dimensione, duke përfshirë edhe mundësinë e mobilitetit sa më të madh akademik dhe studentor brenda hapësirës regjionale, por sidomos asaj Evropiane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) përmes kësaj…