Kroacia i kërkon Sllovenisë të përmbahet rreth kufirit

28 dhjetor 21:35

Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë i dërgoi sot notë proteste Sllovenisë, duke u thirrur në mos zbatimin e vendimit të arbitrazhit për kufirin në deti dhe tokë ndërmjet dy vendeve, të cilën Zagrebi zyrtar nuk e pranon.

Me rastin e paralajmërimit të Sllovenisë se duke filluar nga nesër do të fillojë zbatimin e vendimit të arbitrazhit, ministria kroate përmes një note i bëri thirrje Ambasadës së Sllovenisë në Zagreb që të përmbahet nga vendimet e njëanshme dhe t’i përmbahen dialogut konstruktiv dhe t’iu shmangen incidenteve.

Në notë shprehet gatishmëria e Kroacisë për të zgjidhur çështjen e kufirit me një marrëveshje të drejtpërdrejtë me Slloveninë dhe thekson në veçanti se Sllovenia pret “të mos zbatojë masa dhe mjete unilaterale dhe madje represive në përpjekjen për të zbatuar një vendim arbitrimi”, transmeton KosovaPress.

Kryeministrat e Sllovenisë dhe Kroacisë, Miro Cerar dhe Andrej Plenkoviq, në një takim të mëhershëm në Zagreb nuk gjetën pajtim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes kufitare, por thanë se do të shmangnin incidentet.

Gjykata e Arbitrazhit për mosmarrëveshjen kufitare kroate dhe sllovene ka dhënë një vendim në fund të qershorit dhe Kroacia është veçanërisht e shqetësuar për përcaktimin në det.

Gjykata vendosi që tri të katërtat e Gjirit të Piranës, i përkasin Sllovenisë, dhe se Sllovenia nëpërmjet ujërave territoriale kroate fiton qasje në det të hapur përmes një korridori prej dy milje e gjysmë nautike. Gjykata vendosi gjithashtu se kufiri në Istria ndjek lumin Dragon dhe përfundon në mes të kanalit të Sv. Odorika, që do të thotë se Shkodelin, Buzhini dhe Mlini-Shkrile mbesin në Kroaci.

Në Kroaci po ashtu mbetet edhe Sveti Gera, ku ndodhet objekti kontestues ushtarak i ish-Armatës Popullore të Jugosllavisë, e cila u largua në vitin 1991, dhe pastaj u mor nga ushtria sllovene.

Kroacia, ndryshe nga Sllovenia, nuk e pranon vendimin për shkak se me vendim të Kuvendit u tërhoq nga arbitrazhi në vitin 2015, pasi u zbulua se përfaqësuesi slloven në Gjykatën e Arbitrazhit Jernej Sekolec dhe ministria sllovene e Punëve të Jashtme Simona Drenik ranë dakord për paraqitjen e argumenteve sllovene dhe lobimin me gjyqtarët tjerë të arbitrazhit.

Kroacia beson se procesi i arbitrazhit është kompromentuar në mënyrë të pakthyeshme dhe kërkon zgjidhjen dypalëshe të mosmarrëveshjes, ndërsa Sllovenia i kërkon Kroacisë të respektojë vendimin e gjykatës së arbitrazhit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Londra planifikon të rrisë praninë e policisë dhe të mbyllë…