KRU “Prishtina” intensifikon bashkëpunimin me komunën e Prishtinës

07 Shkurt 14:01

 

Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Ilir Abdullahu dhe përfaqësues të tjerë të kësaj kompanie kanë pritur të mërkurën në takim drejtorin e Infrastrukturës së komunës së Prishtinës, Gëzim Mehmeti, drejtorin e Urbanizmit, Ardian Olluri, dhe përfaqësues të tjerë të këtij institucioni.

Gjatë këtij takimi që u mbajt në zyrat e Ujësjellësit të Prishtinës, përveç që u diskutua për çështjet që kanë të bëjnë me të arriturat, sfidat dhe gjendjen e infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, me theks të veçantë në komunën e Prishtinës, kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Ilir Abdullahu, ka ritheksuar përkushtimin maksimal kundrejt bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe bashkërendimit të investimeve, në funksion të ngritjes së efiçiencës dhe furnizimit sa më të mirë të qytetarëve të komunës së Prishtinës me ujë të pijshëm.

Ai ka falënderuar udhëheqësit e dy drejtorive më të rëndësishme të komunës së Prishtinës për gatishmërinë e tyre personale dhe institucionale, për mbështetje të projekteve që ndërlidhen me investimet në rrjetin e ujësjellësit, në veçanti të rrjetit të kanalizimit për komunën e Prishtinës.

Nga ana tjetër, drejtorët e dy drejtorive përkatëse u zotuan që të mbështesin krijimin e grupeve të përbashkëta punuese (të iniciuara nga të dyja palët) me qëllim të analizimit të saktë të gjendjes në teren, harmonizimit të investimeve dhe përmirësimit të vazhdueshëm të nivelit të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit ndaj të gjithë qytetarëve të Komunës së Prishtinës.

Pasi që takimi kishte në fokus edhe natyrën teknike të punimeve që bën në aktivitet e saj, nga ana e drejtorit teknik Sokol Xhafa, u potencua se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me komunat, veçanërisht me këto dy drejtori, prej ku dalin edhe investimet më të mëdha.

Në këtë kontekst, Xhafa ka kërkuar që të bëhen harmonizime dhe përfshirje më e madhe e KRU “Prishtina” në planet dhe marrëveshjen zhvillimore të komunës.

Bashkëpunimi i ndërsjellë, që lidhet direkt me cilësinë e jetës së qytetarëve të kësaj komune, u fokusua në përmirësimin e kushteve themelore në ndërtesa kolektive  (problemet me vertikale të stërvjetuara të ujit të pijshëm dhe kanalizimit), sanimin e dëmtimeve në rrugët e Prishtinës, planin e veprimit dypalësh në periudhat e ardhshme duke u fokusuar më së shumti në sistemin e rrjetit të kanalizimit.

Pas këtij takimi të dyja palët u pajtuan që në takimin e radhës, të arrihet dhe të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi për renditjen dhe përgjegjësinë e të gjitha çështjeve infrastrukturore, gjithnjë në shërbim të qytetarit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Fshati Rosujë që gjendet në komunën e Pejës ka komunitet…