Kryeprokurorit Lumezi i premtohet ndihma e prokurorisë holandeze

07 mars 2018 | 14:32

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim kryeprokurorin e Holandës për Çështje Ndërkombëtare, Albert van der Kerk.

Kryeprokurori Lumezi, fillimisht e njoftoi kryeprokurorin, van der Kerk, me funksionimin dhe efikasitetin e sistemit prokurorial e posaçërisht me atë të Prokurorit të Shtetit, duke theksuar se prokurorët e Shtetit janë të vendosur dhe të gatshëm që të kontribuojnë në forcimin e sundimit të Ligjit, si dhe për t’u përballuar me sfidat që i ka sistemi prokurorial.

Po ashtu, Lumezi e van der Kerk, kanë diskutuar për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër terrorizmit.

Kryeprokurori Lumezi ka theksuar se pavarësisht vështirësive institucionet e drejtësisë duhet t’i tejkalojnë të gjitha këto, që të arrijnë rezultate më të mira në hetimin dhe ndëshkimin e krimit.

Ndërkaq, kryeprokurori van der Kerk, ka premtuar se Holanda do ta ndihmojë sistemin prokurorial, si dhe e ka vlerësuar kryeprokurorin Lumezi, për punën dhe angazhimin e tij në drejtim të forcimit të sundimit të Ligjit në Kosovë.

Kryeprokurori Lumezi e ka falënderuar kryeprokurorin e Holandës për Çështje Ndërkombëtare, van der Kerk, për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep sistemit prokurorial të Kosovës shteti i tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) ka uruar mësimdhënësit për 7…