Kryetarët e rinj premtojnë model të ri të qeverisjes lokale

03 janar 13:14

Zbatimi i ligjit, transparenca, llogaridhënia dhe realizimi i projekteve të premtuara janë disa nga zotimet që kanë dhënë kryetarët e rinj të komunave.

Mytaher Haskuka, Agim Aliu, Ardian Gjini, Bali Muharremaj, Xhafer Tahiri, Zenun Elezaj, Smajl Latifi, Bashkim Ramosaj dhe Shaban Shabani flasin për gazetën “Epoka e re” për angazhimin dhe sfidat që i presin në vitin 2018

Haskuka: Prizreni në 2018-n bëhet me park të biznesit dhe me shtëpi për të moshuar

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka: Duke pasur parasysh ngjarjet që kanë ndodhur, 2017-a ka qenë vit dramatik. Ky vit u karakterizua me tri palë zgjedhje. Pjesën më të madhe të vitit e kam kaluar në takime me qytetarët. Kjo ka qenë një përvojë shumë e mirë. Për Kosovën në përgjithësi nuk ka qenë vit i mbarë, por shpresoj se 2018-a të jetë vit i ndryshimeve të rëndësishme për vendin.

Do të punoj për rritjen e transparencës në komunë, për ofrimin e shërbimeve efikase, për përmirësimin e gjendjes në arsim dhe në shëndetësi, për zhvillim ekonomik ku do t’i japim përparësi zhvillimit të prodhimtarisë në bujqësi. Me rishikimin e buxhetit në vitin e ardhshëm do të shihen ndryshimet e para në Komunën e Prizrenit. Kam premtuar se do ta ndali korrupsionin dhe jam duke punuar në këtë drejtim, përkatësisht jemi duke i kontrolluar dokumentet e komunës dhe kam kërkuar auditimin e punëve të disa drejtorive. Gjatë vitit 2018 Prizreni do të bëhet me shtëpinë e të moshuarve. Po ashtu, do të ketë realizim të projekteve të tjera, si dhe do të ketë përmirësim në shërbime publike. Gjithashtu, në vitin 2018 në Prizren do të bëhet edhe hapja e parkut të biznesit, i cili do të ndodhë deri në fund të vitit.

Aliu: Unë dhe ekipi im do të qeverisim në shërbim të qytetarëve të Ferizajt

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu: Ka qenë vit i ngjeshur për shkak të angazhimit në zgjedhjet nacionale dhe ato lokale. Por, puna e pandalshme u kurorëzua me fitore bindëse. Qytetarët e Ferizajt e vlerësuan ofertën tonë dhe e ndëshkuan qeverisjen e kaluar. Në ditët në vazhdim na pret një punë e madhe, sepse kemi trashëguar një qeverisje të keqe, e cila ka lënë rreth 40 milionë euro borxhe.

Megjithatë, këto borxhe nuk do të na ndalin për përmbushjen e agjendës sonë qeverisëse. Përveç borxheve, kemi gjendje jo të mirë edhe në arsim, në shëndetësi, në sport, në kulturë dhe në urbanizëm. Këto janë fushat kryesore me të cilat duhet të merremi urgjentisht. Do t’i realizoj të gjitha projektet që i kam premtuar. Projekti më i rëndësishëm është bashkimi i qytetit, përkatësisht faza e parë që përmban tri projekte. Pavarësisht prej sfidave që na presin në vitin 2018, unë dhe ekipi im do të qeverisim në shërbim të qytetarëve të Ferizajt. Disiplina financiare, respektimi i ligjit dhe trajtimi i qytetarit në mënyrë të dinjitetshme do të jetë formula ime qeverisëse.

Gjini: Do të jetë vit i punës dhe implementimit të projekteve

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini: 2017-a ishte vit me shumë angazhime sepse kishim dy fushata, fushatën për zgjedhjet nacionale dhe fushatën për zgjedhjet lokale. Shpresoj se 2018-a do të jetë vit i punës dhe implementimit të të gjitha projekteve që i kemi premtuar. Do të punoj shumë me të gjithë, në mënyrë që t’u ofroj qeverisje të mirë qytetarëve të Gjakovës. Qeverisja ime do të jetë gjithëpërfshirëse, ku do të realizohen të gjitha projektet.

Projekti më i madh që do të kryhet gjatë katër vjetëve të ardhshëm është projekti i Lumit Krena në Gjakovë. Në 2018-n do të fillojë puna në parkun e madh të qytetit si dhe në rrugën deri te maja e kurorës, e cila shpie te një resort turistik në Gjakovë. Patjetër se një fokus të veçantë do t’ia kushtoj arsimit dhe shëndetësisë. Kemi paraparë ta themelojmë një pleqësi të arsimit, e cila do të angazhohet për hartimin e një plani afatgjatë të infrastrukturës arsimore në Gjakovë. Në të njëjtën kohë do të kemi kujdes që cilësia në arsim të rritet menjëherë. Sa i përket shëndetësisë, do ta bëjmë një prerje të shpejtë të gjendjes në qendrat e mjekësisë familjare dhe në qendrën kryesore të mjekësisë familjare, në mënyrë që të gjitha defektet që kanë ekzistuar deri tash t’i eliminojmë sa më shpejt që është e mundur.

Elezaj: Qytetarëve të Klinës do t’u ofroj qeverisje të mirë

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj: Fushata zgjedhore dhe aktivitetet elektorale kanë qenë zhvillimet kryesore që e kanë karakterizuar vitin 2017. Me një fjalë, ishte vit i angazhimeve dhe sfidave, sepse kishim tri palë zgjedhje. Në 12 muajt në vazhdim do t’i qasem komplet programit zgjedhor, të cilin do të përpiqem ta zbatoj në përpikëri, gjithnjë duke pasur parasysh nevojat kryesore të qytetarëve të Komunës së Klinës.

Angazhimi im i përditshëm do të jetë për realizimin e kërkesave të qytetarëve. Në këtë aspekt trajtimi i ujërave të zeza do ta zë një vend të rëndësishëm, pra sa më shpejt që të mund ta zgjidhim këtë problem. Për mua kryesor është furnizimi i qytetarëve me ujë të pijshëm. Zgjidhja e këtij problemi do të jetë shumë e vështirë, mirëpo do të punoj pandërprerë në këtë drejtim. Qytetarëve të Klinës do t’u ofroj qeverisje të mirë, ujë të pijshëm, trajtim të ujërave të zeza dhe ndalje të dukurive negative. Gjithashtu, do t’i qasem edhe segmentit të arsimit dhe shëndetësisë. Arsimi dhe shëndetësia janë aspekte të rëndësishme, sepse pa arsim dhe pa shëndetësi nuk ka popullatë të shëndoshë.

Tahiri: Zona ekonomike në Lum të Madh, projekti më madhor i 2018-s

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri: 2017-a ishte vit i kthesave. Në fillim të vitit 2017 vendosa të tërhiqem tërësisht nga politika dhe nga institucionet publike. Për këtë arsye dhashë dorëheqje nga Agjencia për Pronësi Industriale e Kosovës, ku isha drejtor i përgjithshëm dhe hapa zyrën e avokatisë. U tërhoqa nga kandidimi për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit edhe pse isha i propozuar nga Dega e LDK-së Vushtrri. Por, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, Dega e LDK-së në Vushtrri më kërkoi të kandidohem për kryetar të komunës. Në fillim kam hezituar të hyj në këtë garë, më pas pranova. Bashkë me ekipin tim vendosëm që fushata elektorale të jetë një risi në tërë Kosovën.

Filluam të bëjmë fushatë pa pankarta. Rezultati i kësaj qasje ndryshe tashme po shihet. Jam i lumtur që qytetarët e Vushtrrisë e pranuan qasjen tonë, na besuan votën e tyre dhe i siguroj që edhe qeverisja jonë do të jetë ndryshe dhe më e mirë. Viti 2018 besoj se do të sjellë perspektivë më të madhe për të rinjtë tanë. I ftoj të jenë aktivë, të marrin pjesë në jetën publike të komunës dhe të bëhen pjesë e diskutimeve tona për qeverisje të re në Vushtrri dhe në tërë Kosovën. Projekti ynë i parë madhor në vitin 2018 do të jetë fillimi i implementimit të zonës ekonomike në Lum të Madh. Me iniciativën time deputetët Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku kanë paraqitur një amendament në buxhetin e 2018-s dhe tashmë kemi siguruar 1 200 000 euro për këtë projekt. Po hapet perspektiva e zhvillimit ekonomik për Vushtrrinë. Ky projekt dhe projektet tona që i kemi prezantuar në fushatë do të sjellin një qeverisje të re në Vushtrri, ndryshe nga ajo që kemi parë deri më tani, një dinamikë më të madhe dhe një llogaridhënie të plotë para qytetarëve të Vushtrrisë, nga unë si kryetar dhe nga secili zyrtar publik në komune.

Ramosaj: Prioritet kam zhvillimin e turizmit në Komunën e Deçanit

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj: Për mua 2017-a ishte vit sfidues për shkak të angazhimeve të shumta, por jam i lumtur që ky përkushtim është kurorëzuar me fitoren e AAK-së në Deçan. Do t’i realizoj të gjitha premtimet e dhëna. I kam dy prioritete kryesore. Prioriteti i parë është zhvillimi i turizmit në Komunën e Deçanit. Jemi duke u angazhuar dhe po bëjmë të pamundurën për t’i furnizuar me energji elektrike këto bjeshkë, në mënyrë që t’i japim edhe një impuls më të madh zhvillimit. Prioriteti i dytë është bujqësia dhe investimet në këtë sektor.

Por nuk do të lihen anash as arsimi, shëndetësia, menaxhimi i mbeturinave si dhe rritja e efikasitetit dhe transparencës në administratë. Projekti më i rëndësishëm që do të realizohet në vitin 2018 është qendra e Deçanit, si dhe rruga Deçan-Bjeshka e Belegut. Për këtë të fundit jemi në pritje të shpalljes së fituesit të tenderit. Po ashtu, do të iniciohet asfaltimi i rrugës Deçan-Plavë, ku do të investohen 2 milionë e 400 mijë euro. Po ashtu, do të investojmë edhe në arsim, përkatësisht në shkolla, në mënyrë që ato të jenë brenda standardeve bashkëkohore e jo siç kanë qenë deri tani në sistemin e kazermave ushtarake.

Shabani: Ligji, transparenca dhe korrektësia, pikat kryesore të qeverisjes sime

Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani: Ka qenë vit që është përcjell me procese zgjedhore dhe angazhimi në zgjedhje ishte mjaft sfiduese. Fillimisht ishin zgjedhjet parlamentare e pastaj edhe dy rundet e zgjedhjeve lokale. Në vitin 2018 presim të fokusohemi në punë, në mënyrë që të krijojmë kushte më të mira për qytetarët e komunës sonë.

Pres që ky vit të jetë i mbarë sepse do të kemi më shumë mundësi të punojmë. Prioritet do ta kem bashkëpunimin me të gjithë, me shoqërinë civile dhe me opozitën. Puna sipas ligjit, transparenca dhe korrektësia do të jenë pikat kryesore të qeverisjes sime në Dragash. Angazhimi im do të fokusohet në realizimin e investimeve kapitale në infrastrukturë dhe në ujësjellës. Po ashtu, prioritet do ta kem përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e cilësisë në arsim si dhe ofrimin e shërbimeve efikase në sektorin e shëndetësisë.

Muharremaj: Suhareka në mandatin tim do të jetë komuna më e pastër në Kosovë

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj: Me qytetarët kemi realizuar fitoren e përbashkët në zgjedhjet lokale, zgjedhjen time kryetar i komunës. Tani duhet të angazhohemi në proceset e mëtejme për ta zhvilluar komunën tonë. Kam premtuar se Suhareka me fshatra, brenda mandatit tim, do të jetë komuna më e pastër në Kosovë. Këtë premtim do ta realizoj. Do të bashkëpunoj gjithmonë me opozitën, me shoqërinë civile dhe me mediet. Bashkë do ta realizojmë qeverisjen e mirë, në shërbim të qytetarëve.

Latifi: Rahoveci do të ketë qeverisje demokratike, transparente dhe llogaridhënëse

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi: Kemi punuar shumë në mënyrë që 2017-a të jetë vit i ndryshimit. Ndryshimi ka filluar në qeverisjen qendrore dhe po besoj se viti 2018 do të jetë një fillim i mbarë për suksese. Jam zotuar se do të jetë vit i ndryshimeve cilësore edhe në Komunën e Rahovecit. Qeverisja e mirë është përkushtim, vullnet dhe gatishmëri e imja. Në mandatin tim do të ketë qeverisje demokratike, transparente dhe llogaridhënëse. Linjat e komunikimit me qytetarë do të jenë të vazhdueshme, me qëllim që të kemi një qeverisje të përgjegjshme dhe në pajtim me ligjin.

Buxhetin e Komunës së Rahovecit do të menaxhojmë si duhet, do t’i vazhdojmë kontratat e rregullta dhe do ta respektojmë planin dinamik dhe afatet. Prioritet do të jetë sektori i bujqësisë dhe rezultatet e para do të shihen në 2018-n. Kurse në vitin 2019 buxheti për bujqësi do të jetë një milion euro. Po ashtu, do ta rrisim efikasitetin e shërbimeve në administratë dhe do ta përmirësojmë gjendjen në sektorin e shëndetësisë. Për realizimin e projekteve do ta kemi përkrahjen e qeverisë qendrore dhe të donatorëve të jashtëm.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skënder Reçica, ka…