Kujtesa popullore për historinë e një lufte

07 shkurt 2018 | 10:40

Prof. dr. Nusret Pllana

Recension

Përkufizimi

Një vepër që shqyen kufijtë e burimeve historike, dokumenteve arkivore dhe librave të historisë, ditarëve të atyre ngjarjeve dhe kronikave të kohës, vjen e shpalohet përmes gjurmëve të një kujtese, qoftë si pjesëmarrës i atyre ngjarjeve, qoftë si bashkëpunëtor i atyre personaliteteve, një pjesë e të cilëve kanë hyrë në histori.

Një shkak më shumë, që mbështet një arsye madhore, jo vetëm për të folur për një luftë, për të cilën, siç thotë autori, ka pasur shumë fjalë e pak fakte, ka pasur shumë spekulime, e pak njohuri, ka pasur shumë të dhëna të një anshme, pa u ndalur asnjëherë edhe te ato shtresime të kujtesës popullore. Doemos, kujtesa për ngjarje të caktuara ka peshën e saj, sidomos kur ajo është gjurmë e atyre që kanë qenë pjesëmarrës nëpër ato periudha kohore, kur janë zhvilluar ato ngjarje të mëdha të historisë sonë, në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Bedri Tahiri, ka sjellë një material interesant, me shumë të dhëna, të burimeve të ndryshme historike, me shumë informacion për Luftën e Drenicës.
Por, qasja e tij, kësaj radhe, nuk ka të bëjë as me ndonjë ngjarje të veçantë të kësaj lufte, as me ndonjë dukuri, që ka pasur nevojë të analizohet e të shqyrtohet, por as me mënyrën e organizimit, as me rrjedhën e përgjithshme të Luftës së Drenicës.

Hyrje

Autori i veprës, Lufta e Drenicës, sipas rrëfimeve të Asllan Jasharit, në qasje të parë, që në titull ka dhënë idenë e strukturës së ndërtimit të veprës së tij, që mbështetet tërësisht në rrëfimet e një pjesëmarrësi në ato ngjarje të mëdha të historisë sonë. Mirëpo, kur lexohet vepra, kjo qasje del me një interes të veçantë historik. Autori nuk është ndalur në regjistrimin e të dhënave, sado që nuk mungojnë as burimet historike e trajtesat shkencore, por ato janë sistemuar në veprën e tij, si mbishtresime për të plotësuar saktësinë e rrëfimit, i cili, në radhë të parë, mbështetet në kujtesën e një atdhetari.

Rrëfimtari i veprës së Bedri Tahirit, nuk ishte vetëm pjesëmarrës i Luftës së Drenicës, por edhe i shumë ngjarjeve të tjera, para kësaj lufte dhe pas kësaj lufte, siç në të njëjtën kohë rrëfen edhe për ngjarjet e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për secilën nga ngjarjet që ka qenë temë e rrëfimit të këtij personazhi, autori ka sjellë edhe të dhëna të tjera, qoftë nga vepra të botuara për akëcilën prej ngjarjeve, qoftë burime arkivore, që janë publikuar, qoftë edhe shkrime nga revista dhe gazeta të ndryshme ku janë trajtuar disa nga ngjarjet, për të cilat sjellë kujtime tregimtari i autorit, plaku atdhetar, Asllan Jashari.
Kjo qasje i ka dhënë dorë Bedri Tahirit, që në të njëjtën kohë të merret edhe me emra të veçantë të kësaj pjese të historisë sonë, duke sjellë të dhëna jetësore dhe të dhëna për veprimtari atdhetare, për shumë nga figurat e njohura historike të periudhave të ndryshme kohore.

Do të thotë, autori Bedri Tahiri, duke u marrë me rrëfimin e kujtimeve të një luftëtari të disa luftërave dhe të kohëve të ndryshme, në trevën e Drenicës, ka gjetur mënyrën e qasjes, që ato ngjarje, ata pjesëmarrës në ato ngjarje, ata prijës të atyre veprimtarive atdhetare, t’i sistemojë në strukturën e veprës së tij, jo vetëm si fakte jetësore, por edhe si të dhëna historike, qoftë për jetën e akëcilit pjesëmarrës, apo prijës, qoftë për bëmat e tyre, herë me peshë të madhe historike për rrjedhën e atyre ngjarjeve siç, fjala vjen, figura e Hasan Prishtinës, herë me peshë më të vogël, por doemos, shumë të rëndësishme në ndërtimin e mozaikut të tërësisë së atyre ngjarjeve, për të cilat ka rrëfyer plaku i urtë, Asllan Jashari. (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është zgjedhur anëtar…