>

Ky është mesazhi i Kurtit për ditëlindjen Demaçit dhe Deharit

26 shkurt 15:32

Veprimtari i çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçi dhe i ndjeri, ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Astrit Dehari kanë sot ditëlindjen.

Me këtë rast, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke ia uruar ditëlindjen Demaçit, thënë se mbytja e Deharit në burg si shumë dëshmorë të lirisë para tij, na tregon se ende koha e heronjve është aktuale.

“Është aktuale sepse kemi prezente regjimet e dhunshme dhe despotizmin tradhtar, e njëkohësisht kemi prezent edhe pasivitetin shoqëror, të cilin e shkund vetëm një subjekt, fatkeqësisht”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në secilën kohë, njeriu ka dëshirë të mendojë se heronjtë, dëshmorët, i përkasin së shkuarës, se ata i përkasin historisë që e gjejmë në libra, se në të tashmen jemi qytetarë, njerëz, individë, e nuk ka më vend a nevojë për heroizma.

Koha e heroizmave është kohë vërtet fatkeqe, kohë kur kundër dhunës së pushteteve tiranike nuk ngrihet një popull i tërë, që të vendosë lirinë, demokracinë e drejtësinë e vet, por vetëm pak njerëz të paepur, të cilët me sakrificën e vet e trimërojnë shumicën e popullsisë dhe e frikësojnë pakicën despotike.

Vërtet pra, një popull me qytetari të lartë, që nuk e toleron tiraninë e despotizmin, i tejkalon heronjtë e dëshmorët, i lë ata në të shkuarën.

Por Astrit Dehari, mbytur në burg si shumë dëshmorë të lirisë para tij, na tregon se ende koha e heronjve është aktuale për ne. Është aktuale sepse kemi prezente regjimet e dhunshme dhe despotizmin tradhtar, e njëkohësisht kemi prezent edhe pasivitetin shoqëror, të cilin e shkund vetëm një subjekt, fatkeqësisht.

Sot, më 26 shkurt, në ditëlindjen e Astrit Deharit, nëse duam që koha e heronjve dhe e dëshmorëve të lihet pas, duhet të kuptojmë se kjo nuk arrihet pa e rrëzuar në të njëjtën kohë, edhe tiraninë pushtetare, edhe indiferencën qytetare.

E sot, i urojmë ditëlindjen edhe Adem Demaçit, heroit të gjallë të qëndresës dhe mospërkuljes përballë çdo pushteti tiran e gjakatar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë me…