Lamtumirë një objektivi jorealist

16 janar 2018 | 12:32

Jens Thurau

Ende kemi të bëjmë me një lajm gazete, raporti i mirëfilltë i Këshillit Botëror të Klimës do të publikohet vetëm në vjeshtë. Por po ta besosh këtë lajm, atëherë projekti i pozicionimit të studiuesve kryesorë në botë të klimës nuk është gjë tjetër veçse një pranim dështimi i politikës ndërkombëtare të mbrojtjes së klimës: harrojeni objektivin për ta kufizuar ngrohjen e tokës në 1,5 gradë, ky është mesazhi. “Me 66 për qind mundësi ai është jashtë së arritshmes”, kështu citohet qëndrimi i Këshillit. Fjalitë këtë herë janë shumë të qarta: nxjerrja e deritashme e gazrave në klimë dhe para së gjithash politika aktuale e shteteve si dhe investimet e tyre në sektorin energjetik e bëjnë praktikisht të pamundur respektimin e drejtpërdrejtë të kufirit të 1,5 gradëve.

Në Paris objektivi u miratua me shumë ngazëllim

Jo më larg se dy vjet më parë, në konferencën e lëvduar kaq shumë të OKB-së për klimën në Paris, ky objektiv luante një rol qendror. Si një lloj koncepti luftarak para së gjithash i shteteve të vogla ishullore dhe e shumë shteteve të Afrikës dhe Azisë, të cilat me këtë kërkesë donin t’i shtynin shtetet më të pasura që të ndiqnin një politikë më ambicioze për mbrojtjen e klimës. Dhe në fund patën sukses me këtë. Deri atëherë, politika botërore e klimës i pati vënë vetes si objektiv që të mos e lejonte të ngrihej më shumë se dy gradë temperaturën botërore – gjithmonë e matur kjo me temperaturën në fillim të industrializimit më shumë se 150 vjet më parë. Prej atëherë, përdorimi masiv i lëndëve djegëse fosile nga njerëzit ka bërë që temperatura e përbotshme të rritet me një gradë. Të luftosh tani për të mos e kaluar 1,5 gradë, kjo do të thoshte frenim i plotë i ekonomisë botërore. Dhe vetëm për këtë arsye është një objektiv krejt jorealist.

Shpesh mungon thjesht vullneti politik

Por ky nuk duhet të jetë fundi i politikës botërore të klimës. Kudo në botë ndërtohen impiante ere dhe panele të energjisë diellore, investohet në ekonominë e qëndrueshme. Nga pikëpamja teknologjike, njeriu ndoshta mund të kishte hequr dorë prej kohësh nga bartësit fosilë të energjisë, por ja që praktikisht këtë nuk e bën dot. Vende në ekspansion ekonomik dhe gjigantë ekonomikë si Kina kanë kuota të tilla rritjeje, sa uria e tyre energjetike është si të thuash e pashuajtshme. Ato e përdorin me dëshirë energjinë e re të qëndrueshme, por janë të fokusuara edhe te qymyri. Dhe në shtetet e vjetra të industrializuara, edhe në Gjermani, mungon vullneti i plotë politik për ta kryer me shpejtësi ndërrimin e burimeve energjetike. Koncernet e automobilave dhe të energjisë formojnë një lobing të fuqishëm, i cili do të preferonte që më mirë ta linte gjithçka siç është. Dhe në Uashington që prej një viti ndodhet në Oval Office një mohues i ndryshimit të klimës. Por dikur, presioni i teknologjive të reja do t’i spostojë jashtë skenës edhe frenues të tillë.

Ndershmëria mund të jetë shans

Por ndoshta në ndershmërinë, të cilën e ka formuluar tani Këshilli Botëror i Klimës, ndodhet edhe një shans. Para së gjithash shtetet e varfra nuk kanë shumë alternativa veç përmbajtjes në negociatat që vazhdojnë nën çatinë e OKB-së. Shkëputja nga objektiva realiste, të cilat shkaktojnë vetëm zhgënjim, ndoshta mund të çlirojë energji. Sepse gjuha e qartë e Këshillit Botëror të Klimës e bën edhe njëherë të qartë se për se bëhet fjalë: dallimi midis 1,5 gradë me dy gradë do të thotë më tepër furtuna, nivel të detit dhjetë centimetra më të lartë dhe ndoshta edhe shkrirjen e akujve në Grönlandë dhe në Antarktidën Perëndimore. Jo së fundi këtu bëhet fjalë për ekzistencën e shumë shteteve të vogla ishullore. Të mos thotë njeri që nuk e dëgjoi./dw

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi special në Kosovë i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve…