LDK-ja kërkon nga Thaçi të raportojë në Kuvend për procesin e dialogut

02 mars 2018 | 13:08

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani-Sadriu, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi nuk do të duhej ta udhëhiqte dialogun me Serbinë, meqë sipas saj, nuk është i mandatuar nga Kuvendi.

Ajo ka thënë se edhe Qeveria ka konfirmuar se nuk ka vendim për të përcaktuar apo për të vendosur që Thaçi do ta bartë aspektin politik të këtij procesi.

“Ky proces nëse udhëhiqet nga presidenti ka edhe probleme të tjera, së pari presidenti nuk ka mekanizma implementues për të zbatuar marrëveshjet e arritura dhe Kuvendi si organ legjislativ nuk ka mekanizma kushtetues për të mbikëqyrë punën apo dështimet e presidentit, nëse ai udhëheq këtë proces”, ka deklaruar Osmani-Sadriu në konferencën e përjavshme të LDK-së.

Me këtë rast, ajo ka thënë se presidenti i vendit Hashim Thaçi duhet të raportojë në Kuvend, lidhur me dialogun me Serbinë.

“Thaçi deri tani ka mbajtur të fshehtë, përmbajtjen, diskutimet apo edhe marrëveshjet e arritura me Vuçiqin. Ka takuar atë disa herë edhe në Bruksel edhe vende të tjera, me apo pa ndërmjetësimin e BE-së dhe deri tani nuk i është drejtuar as Kuvendit e as qytetarëve për të treguar se çka saktësisht ka biseduar me Vuçiqin, cilat janë temat edhe nëse i është përmbajtur vijave të kuqe të cilat janë përcaktuar për dialogun nga Kuvendi me dy rezoluta. Ne i bëjmë thirrje presidentit Thaçi që urgjentisht në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese t’i adresohet Kuvendit sepse Kushtetuta përcakton që së paku një herë në vit t’i adresohet Kuvendit lidhur me fushëveprimtarinë e tij”, ka thënë Osmani-Sadriu.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë përkujtimit në 574-vjetorin e…