Lekaj: Rruga Kaçanik-Hani i Elezit do të lëshohet për qarkullim brenda këtij muaji

21 maj 2018 | 14:10

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në mbledhje të Qeverisë të hënën, ka kërkuar nga ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, që t’i informojë për situatën me rrëshqitjen e dheut në magjistralen për Shkup, e cila është ndërprerë për qarkullim. 

Lekaj në përgjigje para kabinetit qeveritar, ka thënë se shpreson se magjistralja Kaçanik-Hani i Elezit do të lëshohet për qarkullim brenda këtij muaji. “Segmenti rrugor Kaçanik- Han i Elezit kemi marrë vendim për ndërprerë për siguri të qytetarëve. Sepse kemi pasur paralajmërime nga ekspertët që i kanë bërë matje, që do të ketë rrëshqitje masive të dheut. Dhe Ne kemi marrë të gjitha veprimet me kohë. Kemi bërë shpuarjen gjeologjike dhe në bazë të analizës, kemi ardhur ne përfundim që të fillojë sanimi, që është duke u punuar në dy ndërrime dhe shpresoj që brenda muajit, do të hiqet e tërë sasia e dheut që është e rrezikshme për të rrëshqitur dhe pastaj të bëhet e përdorueshme rruga”, ka deklaruar Lekaj.

Në lidhje me këtë rrugë Haradinaj kërkoi që të gjendet një zgjidhje afatgjate,  për të cilën tha se është bërë si “Ura e Rozafatit”. “Ministër e di që tash verës ndoshta nuk bien shi më e nuk rrëshqet dheu. Por si po hyjnë këto zonat e lagshta të shirave, prapë po rikthehet kjo gjendje. A mos ka ndonjë mundësi me bë diçka më të qëndrueshme, në këtë kohë sa jemi në këtë etapë, mbasi të hiqet dheu, me u pa dhe mundësia dhe prej ekspertëve, me u siguruar që të mos na rrëshqet dheu çdo vit, se kjo u bë si Rozafa”, ka deklaruar Haradinaj.

Por Lekaj e siguroi kryeministrin, që do ta gjejnë një zgjidhje të përhershme për këtë rrugë. “Sa i përket rrëshqitjeve të dheut mendoj se nuk janë bërë matjet e duhura në asnjë kohë dhe nuk është marrë veprim i duhur. Prandaj ne kemi marrë veprime dhe do të sanohet gjendja e përhershme”, është shprehur Lekaj.

/Epoka e re/

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Gjilanit është në procedurat e fundit të hapjes…