Liberalizimi i vizave mund të ndodhë në vitin 2019

18 qershor 2018 | 14:56

Juristi dhe ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Vigan Qorrolli, ka thënë se Kosova ka ende sfida serioze që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar, modelin e saj të paqëndrueshëm ekonomik, çështjen e hapur politike të dialogut me Serbinë në Bruksel dhe bashkëpunimin e pamjaftueshëm rajonal.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se dialogut Kosovë – Serbi i duhet një doktrinë e re kombëtare.

Qorrolli ka theksuar se dialogu ka shpresë nëse ristrukturohet sepse procesi aktual ka humbur çdo kuptim. Duke folur rreth liberalizimit të vizave, ai ka pohuar se liberalizimi mund të ndodhë brenda muajve të parë të vitit 2019. “Të gjitha parashikimet çojnë nga viti 2019”, ka thënë Qorrolli.

“Epoka e re”: Profesor, çfarë vlerësimi keni për qeverisjen e koalicionit PAN dhe për rolin e opozitës?
Qorrolli: Qeverisja në Kosovë nuk bën përjashtim nga një rregull universal i aplikuar gjithandej në demokracitë botërore. Sa më shumë parti në një koalicion qeverisës, aq më e vështirë qeverisja, sepse interesat e partive politike janë aq të mëdha saqë vetëm sistemimi i njerëzve merr disa vjet. Kjo zaten po ndodh, dhe shohim se ende pa u bërë një vit nga formimi i koalicionit PAN sistemimi i njerëzve nëpër pozita publike po vazhdon ende. Duke qenë se sistemi ynë politik është i prishur në themel, çdo reformë e tij bëhet e pamundur në këto rrethana. Edhe nëse ky koalicion ka qëllimet më të mira për t’i sjellë reforma vendit, druaj se kjo mund të ndodhë, sepse së pari duhet ndërruar formën e administrimit të shtetit, tek pastaj njerëzit që marrin poste publike t’i shërbejnë qytetarit të vet. Në një sistem të tillë, pothuajse anarkik, ku secili kryeministër që vjen nuk mund ta ndryshojë mënyrën e qeverisjes së parasë publike dhe rritjes së besimit të qytetarit, bëhet i pamundur zhvillimi i shtetit dhe përfundimi i tranzicionit. Shoqëria kosovare dhe, bashkë me të, edhe elitat politike, ndodhen ende në tranzicion përderisa të zgjasë kjo agoni, pafundësisht do të kemi qeverisje dhe qeveritarë që funksionojnë me sindromën e ‘vitit zero’, ku gjithsecili krenohet me punën e vet personale, por jo me të arriturat shtetërore dhe me të mirën publike përgjithësisht. Me fjalë të tjera, koalicioni PAN po e zhvillon formën e kultit për vete, duke synuar të lë gjurmë të cilat do të llogariten si historike për ta. Kjo varet nga reformat që do t’i ndërmarrë, pas kalimit në fazën e dytë, sepse e para ishte, siç e thashë, sistemi i njerëzve nëpër pozita publike. A do të ketë kurajë kjo Qeveri dhe kjo mazhorancë të ndërmarrë reforma sistemike, për t’ia bërë një riformatim komplet strukturës shtetërore dhe administrimit të tij, kjo gjë do të varet nga aftësitë e tyre nacional-konservative. Në anën tjetër, edhe opozita nuk bën përjashtim nga rregullat politike të vëna nga ata në kontekstin e Kosovës. Por, ne jemi dëshmitarë se një ditë janë të djathtë, tjetrën të majtë me një fjalë. Qenia e tyre bazohet mbi gjykime krejtësisht taktike me qëllim final arritjen e pushtetit të përkthyer në poste nominale në shtet. Shoqëria jonë është jashtëzakonisht e demoralizuar sepse asnjë organizim partiak në Kosovë nuk i zhvillon lidhjet e vërteta me ta. Ky është parakushti i demokracisë. Prandaj, edhe opozita shpeshherë bazohet në realitete që nuk përkojnë me partitë politike perëndimore por, me parti oportuniste, që menaxhimin e tyre e bazojnë në ndarje pushteti.

Epoka e re”: Sa ka avancuar agjenda evropiane e Kosovës dhe institucionet sa kanë arritur t’i përmbushin obligimet?
Qorrolli: Kritika më e madhe që duhet t’i bëhet elitës sonë politike lidhet pikërisht me liberalizimin e vizave sepse ajo, duke qenë thellësisht e pasinqertë me publikun, ka nxitur pakënaqësinë e njerëzve. Krejt kjo duke i mbajtur qytetarët peng për data e muaj, ndaj kanë nxitur fluksin e dyndjes së kosovarëve ilegalisht drejt Perëndimit. Komisioni Evropian me gjasë do ta bëjë rekomandimin pozitiv shumë shpejt, por u mbetet dy institucioneve të tjera të BE-së, Këshillit Evropian (organ ku vendosin shefat e shteteve ose qeverive të 28 shteteve anëtare) dhe Parlamentit Evropian ta japin vendimin final për liberalizimin e vizave. Mënyra evropiane e jetesës nënkupton siguri, rend dhe ligj. Qeveria e Kosovës këtë duhet t’ua bëjë të qartë qytetarëve, të cilët duhet ta dinë se liberalizimi u mundëson më së shumti një qëndrim tre muajsh në vendet e BE-së, me një zbatim strikt të procedurave legale. Procesi i është vonuar Kosovës kryesisht për dy faktorë: i pari që lidhet me mosrealizimin e kushteve të Kosovës për çështje krejt teknike, që nga regjistrat civilë, deri te sigurimi i kufijve me shtetet fqinje. Arsyeja e dytë është gjeopolitike, meqë Evropa e ka rritur produktivitetin e humbur me refugjatë jo vetëm nga Ballkani, por prej vitit 2013 edhe me ata nga Lindja e Mesme. Këto dyndje popujsh janë ‘koncerte të gjalla’ të lirisë së njeriut dhe kërkesës për dinjitet. Evropa natyrshëm e ofron këtë mundësi dhe kosovarët nuk bëjnë përjashtim për të kërkuar një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme, të cilën vendi i tyre nuk ua ofron për faj të elitave të korruptuara politike. Kosova ka ende sfida serioze që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar, modelin e saj të paqëndrueshëm ekonomik, çështjen e hapur politike të dialogimit me Serbinë në Bruksel dhe bashkëpunimin e pamjaftueshëm rajonal që e karakterizon, siç janë problemet tregtare me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Trendi, ndonëse është i ngadalshëm, i jep perspektivë Kosovës në një fushë, që Friedrich Nietzche do ta quante ‘kërkesë për pastërti morale’. BE-ja këtë e konsideron domosdoshmëri, prandaj kërkon bashkëpunim të ndershëm me Kosovën për ta bërë të aftë ekonomikisht drejt integrimit. Realpolitika evropiane kundrejt Kosovës, jo vetëm në procesin e integrimit evropian, por edhe në reformat e brendshme, duhet të orientohet në kultivimin e shtetësisë sonë me ekonomi të drejtë, sundim të ligjit dhe demokraci të besueshme, jo si kjo brutale që e kemi ne. Përndryshe, në 10-15 vjetët e ardhshëm do të jemi dëshmitarë që reformat e gjithëmbarshme në Kosovë do të jenë të dhimbshme, të mundimshme dhe të rënda.

 “Epoka e re”: Këto ditë do të merret vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën. Cilat janë pritjet e juaja në këtë drejtim? Nëse vendimi është pozitiv, kur mund të udhëtojmë pa viza?
Qorrolli: Me gjithë vonesat dhe rropatjet që po ua bënë padrejtësisht kosovarëve, BE-ja do t’i liberalizojë vizat jo më herët se në pranverën e vitit 2019. Të gjitha parashikimet çojnë kah viti 2019, meqenëse tani po hyjmë në sezonin e pushimeve verore dhe BE-ja do të orientohet tani e tutje nga normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi dhe liberalizimin e vizave nuk e ka ‘top-prioritet’. Pas marrëveshjes Greqi-Maqedoni për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, kërkesë do të jetë arritja e marrëveshjes ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë brenda këtij viti, ndërsa liberalizimi i vizave do të mund të ndodhte brenda muajve të parë të vitit 2019. Ky është një parashikim. Çdo optimizëm tjetër që vizat do të hiqen më shpejt, do të jetë utopi.

Epoka e re”: Si e komentoni vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për dy vjet në Kosovë?
Qorrolli: EULEX-i i ka bërë saktësisht të njëjtat gabime si UNMIK-u më parë. Stabiliteti politik i ka kushtuar shumë, sepse është kujdesur për gjëra të thjeshta për Kosovën dhe jo për luftën, ta zëmë, kundër krimit dhe korrupsionit apo edhe për trajtimin e krimeve të luftës, të cilat raste, zaten, prokurorët dhe gjyqtarët vendës nuk kanë pasur kompetenca deri në vitin 2014. Një mision ndërkombëtar për sundimin e ligjit çdoherë merr në konsideratë dy faktorë. I pari lidhet me narracionin politik. Një tendencë e përhershme për t’i ruajtur hilet politike në vend, kryesisht për qëllime të stabilitetit. Këtë e ka bërë EULEX-i, i udhëhequr nga teknokratë evropianë, herë gjeneralë ushtrish, herë politikanë me përvojë, të cilët në Bruksel kanë raportuar për gjendjen politike, por jo idetë progresive që çojnë në fuqizimin e drejtësisë. I dyti, që lidhet me aspektin e drejtësisë, është udhëheqja hibride e këtyre institucioneve. Deri vonë, kemi pasur, si në kohën e UNMIK-ut, bashkudhëheqës në dogana, burgje, apo edhe në panelet mikste prokuroriale e gjyqësore. Me status ligjor dhe financiar, shumë më të lartë se vendorët, prokurorët dhe gjyqtarët e huaj kanë prodhuar më shumë psikologji për publikun sesa drejtësi, sepse janë kujdesur për rrethana tërësisht të papranueshme për drejtësinë, si: mospërgatitja e duhur e lëndëve dhe mossigurimi i duhur i provave. Kjo ka bërë që ata të mos flijohen në asnjë rast për prodhim të drejtësisë, por për prodhim të pasigurisë qytetare. Megjithatë, duhet thënë se EULEX-i e ka realizuar premisën e parë, duke mos shkëlqyer në të dytën. Kualiteti i drejtësisë matet me aktgjykime e jo me aktakuza. EULEX-i ka rënë në batakun e aktakuzave dhe arrestimeve, por kur jemi tek aktgjykimet dënuese, ka ardhur në shprehje befasia në stilin e tyre të njohur për provat e pambrojtshme. Kjo nënkupton që aktakuzat janë ngritur mbi baza jo të mjaftueshme ligjore të cilat gjyqtarët i rrëzojnë shumë lehtë. Këto vendime patjetër që shfaqin një nivel të neglizhencës dhe pakujdesisë, që EULEX-i, si çdo mision tjetër ndërkombëtar, bën në përzgjedhjen e stafit të vet. EULEX-i duhet thënë se është mbreti i paragjykimeve. Ka lindur si mision i lirë për të punuar. Kam frikën se do të përfundojë si mision që preokupimin bazë e kishte fasadën, prapa së cilës fshihet paaftësia për të arritur rezultate. Përderisa nuk dallohet radikalisht në rezultate nga misioni pararendës i tij (UNMIK-u), identiteti i tij në pozitën shoqërore në Kosovë është i dobët. Domethënë që puna dhe produkti i këtij misioni është i zhveshur nga nevojat shumë të mëdha të Kosovës për rend dhe ligj. Megjithatë, duhet thënë se EULEX-i nuk ka bërë sehire në tërë këto vite të funksionimit të tij. Ka trajtuar raste të rënda për rrethanat tona për shkak se vendorët vazhdojnë të funksionojnë sipas një rregulli mizor, që njihet si frikë dhe pasiguri në vendimmarrje. Fakti i vazhdimit edhe për dy vjet të tjera të mandatit të EULEX-it, do të thotë, mes të tjerash, se sistemi ynë i drejtësisë është i pamaturuar dhe i jo i gatshëm për t’u ballafaquar me nevojat e mëdha të Kosovës dhe të kosovarëve për rend dhe ligj.

“Epoka e re”: Z. Qorrolli, në mungesë të konsensusit Qeveria u detyrua ta tërheqë nga Kuvendi platformën për dialog. Në ditët në vijim mund të arrihet pajtueshmëri në mes të pozitës dhe opozitës? Si e shihni fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi, do të jetë ashtu siç po proklamohet nga politikanët tanë?
Qorrolli: Thelbin e çoroditjes të dialogut politik Prishtinë – Beograd duhet ta lypim tek sëmundja kronike e Ballkanit për protagonizëm individësh dhe jo për strategji shtetërore të dialogut me një armik të dikurshëm me të cilin të kërkohet të pajtohesh. Duhet një doktrinë e re kombëtare e dialogut me Serbinë dhe ajo duhet të bazohet në ristrukturimin e thellë të formatit aktual të këtij dialogu, që tashmë është klinikisht i vdekur. Fletarrestimet e Serbisë janë dëshmia më mirë e këtij keqkuptimi të madh mes palëve dhe paaftësisë së Brukselit që t’i trajtojë të dyja palët baras. Për t’u bërë ndryshe dialogu, duhen emra dhe njerëz të tjerë nga ata aktualët, meqë punët e Kosovës kanë filluar të vështirësohen në arenën ndërkombëtare, sidomos pas rritjes së befasishme të partive të ekstremit të djathtë gjithandej Evropës të cilët, shumica prej tyre, janë kundërshtarë të krijimit të shtetit të Kosovës.

Së pari, dialogu Prishtinë – Beograd nuk mund të vazhdojë pafundësisht, pra duhet të ketë një pajtim paraprak për prioritete dhe afata, gjë që me këtë format aktual nuk i ka asnjërën. Afatizimi i dialogut është çelësi i suksesit të tij. Nuk mund të negociohet pa kufi. Nëse qëllimi final i BE-së është traktati i paqes, pra pajtimi midis dy popujve e dy shteteve, atëherë ajo duhet t’i vë afat këtij dialogu se kur duhet të ndodhë ai pajtim.

Së dyti, dialogu ka nevojë për disiplinë mes palëve dhe kjo nënkupton që marrëveshjet e arritura deri më tash ose duhet të zbatohen 100 %, ose nuk duhet të nënshkruhen fare vetëm sa për sy e faqe. Një marrëveshje ose zbatohet plotësisht, sepse nuk ka asnjë logjikë në marrëdhëniet ndërkombëtare që një marrëveshje bilaterale të zbatohet pjesërisht, ose të mos zbatohet fare. Kjo duhet të marrë fund njëherë e mirë.

Së treti, një dialog mes shtetesh nuk mund të jetë kurrë teknik. Dialogu çdoherë është politik, prandaj përfaqësimi duhet të rritet, ose me shefat e dy shteteve, ose në nivel kryeministrash. Me burokratë të rëndomtë, traktati i paqes mes dy shteteve, druaj se nuk do të ndodhë as në vitin 2100. Megjithatë, duhet thënë se diplomacia perëndimore nuk ka ç’të mësojë as nga Prishtina e as nga Beogradi. Skena aktuale e dialogut i ngjan atyre të Shekspirit tek ‘Makbethi’: ‘Gëzuar, o Makbeth, që nesër ngrihesh mbret!. Në parafrazimin e kësaj, del se të gjitha të djeshmet e këtij dialogu kanë ndezur emocione dhe kanë çuar pluhur për ngacmime midis palëve, siç po ndodh këto ditë, me fletarrestimet e vjetra të Serbisë kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Qëllimi final i Brukselit dhe Uashingtonit nuk është asnjë grimë më i vogël sesa pajtimi i dy popujve. Kjo politikisht i detyron të dyja palët të negociojnë por, jo pafundësisht, sepse një logjikë e tillë në marrëdhëniet ndërkombëtare çon në ndërlikim të mëtejmë të raporteve. Dialogu ka shpresë po qe se ristrukturohet sepse ky aktuali ka humbur çdo kuptim. Për pajtim mes popujve, edhe Beogradi edhe Prishtina nuk duhet të dialogojnë me fantazmën e së kaluarës, siç po i ndodh aktualisht Serbisë. Ndërsa Kosovës i duhet një rregull më i madh në dialog, e ai është përfaqësimi më meritokratik e më dinjitoz. Me formatin aktual të dialogut, të tria palët, edhe Bashkimi Evropian si ndërmjetësues, edhe Serbia, edhe Kosova po bëjnë gabime të njëpasnjëshme, që për ta duket ironikisht janë gabime të lumtura. Duhet hequr dorë nga gabimet dhe duhet të arrihen rezultate të prekshme, të cilat i vërejnë qytetarët e të dyja vendeve. Imagjinojeni një marrëveshje për ngjitësit e tabelave të veturave, ku mund të lëvizni në Serbi me tabela ‘KS’, por jo me ‘RKS’ (siç!) dhe jo një marrëveshje për të pagjeturit ose për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Unë nuk jam për ndalimin e dialogut, por për rezultatet e tij. Rezultatet arrihen vetëm duke qenë palët e sinqerta mes vete dhe duke i respektuar marrëveshjet e arritura.

Shqipe HETEMI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka ftuar kompanitë e produkteve…