Liburn Aliu thotë se vendimi i Qeverisë për 53 milionët mund të anulohet

16 korrik 2018 | 13:15

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka kërkuar anulimin e vendimit të Qeverisë për dhënien e 53 milionë eurove shtesë kompanisë “Betchel Enka” për autostradën “Arbën Xhaferi”.

Ai në një konferencë për medie, ka bërë me dije se sipas informacioneve që kanë ende nuk është nënshkruar kontrata me këtë kompani.

Në këtë kontekst, Aliu ka thënë se një gjë e tillë i jep mundësi Qeverisë të anulojë këtë vendim dhe të evitojë dëmin prej 53 milionësh.

Më tutje, ai ka thënë se nëse kjo kontratë është nënshkruar, organet e drejtësisë duhet t’i gjejnë fajtorët për dëmin e shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit.

“53 milionë euro janë tepër të vlefshme, do të ndërtoheshin 10 shkolla dhe çerdhe. Ende nuk është lidhur kontrata, por ende ka kohë që dëmi të evitohet duke anuluar ky vendim. Kërkojmë nga organet e drejtësisë të hetojnë dhe të mos lejojnë procedimin tutje të vendimit. Nëse është nënshkruar kontrata, drejtësia duhet të veprojë drejt hetimit dhe sjelljes para drejtësisë së autorëve. Organet e shtetit duhet ta parandalojnë dëmin dhe ato para të shkojnë në sektorë që Kosova ka nevojë”, ka thënë Aliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Evropian pritet që më 18 korrik të dalë me…