LUAN HARADINAJ DHE LUFTA ÇLIRIMTARE

17 maj 2018 | 10:30

Prof. dr. Emin KABASHI

Këshilltar shkencor

Instituti Albanologjik i Prishtinës

(Në 21-vjetorin e rënies të dëshmorit të kombit Luan Haradinaj)

Përkufizimi

Dëshmori i Kombit, Luan Haradinaj, si dhe të gjithë dëshmorët e kombit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me rënien e tyre në altarin e lirisë, njëherë e përgjithmonë kanë mbyllur rrugën që mbi jetën tonë dhe të fëmijëve tanë të mos bie harrimi. Nuk ka asgjë më të kobshme sesa harrimi në jetën e një populli historik, siç është edhe populli shqiptar.

Me luftën e tyre, që është i vetmi veprim historik, duke u bërë bartës të luftës për liri dhe për çlirim, dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe Luan Haradinaj, janë bërë shenja të kujtesës sonë historike dhe kombëtare. Ata u bënë edhe kuptimi i jetës, edhe kuptimi i vdekjes, u bënë kuptimi i parë i veprimit historik për liri, e cila fitohet vetëm me luftë dhe me gjak.

Hyrje

Të dhënat sipërfaqësore u folën këtu në fillim të Akademisë përkujtimore, që janë, thuajse vetëm një pjesë e letërnjoftimit të një luftëtari, që janë ana e jashtme e të dhënave jetësore të një dëshmori të kombit. Jetën e tij të brendshme, ëndrrat dhe idealet, luftën e armatosur dhe gatishmërinë për të dhënë çdo gjë për lirinë, nuk janë në jetëshkrimin e tij, as në shënimet që ka botuar Fjalori Enciklopedik Shqiptar, por as në të dhënat që ka ruajtur Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Kombit të Luftës së UÇK-së.

Ai ishte pjesë e lëvizjes së fshehtë kombëtare, që kur ishte i ri. Ai ishte emëruar Komandant i Logjistikës së UÇK-së, në moshën 20-vjeçare. Por, askush nuk mund t’i përflasë idealet e tij, kur ai nisej për të sulmuar me armë stacionet e policisë pushtuese, apo vendqëndrimet e ushtrisë serbe përgjatë kufirit që ndante tokat shqiptare.

Ideali i lirisë dhe lufta e armatosur e UÇK-së

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte njëra nga ushtritë më të reja, jo vetëm në Evropë por kudo, që kur dihet për historinë e luftërave. Njëri nga këta të rinj, vetëm 20 vjeçar, kur emërohet Komandant i Logjistikës së Luftës së UÇK-së, ishte edhe luftëtari i lirisë, Luan Haradinaj. Çka do të thoshin Akademitë ushtarake, edhe ajo shqiptare në Tiranë, sepse në Prishtinë nuk kishte Akademi të këtillë, ngase ishte e pushtuar, për detyra të këtilla të këtij të riu. Një zot e di, por do të flitej gjerë e gjatë për përgatitjen e tyre profesionale, për njohjet e të gjitha të papriturave të luftës së armikut, për mënyrën e mbrojtjes, si dhe për anën ligjore të sigurimit të armëve për luftën çlirimtare. Të gjitha këto teori, as nuk vlenin për Luan Haradinaj, Komandantin e Logjistikës së UÇK-së, as për ushtarët e tjerë të luftës së UÇK-së, sepse pushtuesi ishte kujdesur që të mos bëhej dije e këtillë, sepse as në Tiranë e as në Prishtinë, nuk kishte mundësi të fitoheshin njohuri sistematike për ligjet e luftës. Do të thotë, ai që nesër pasnesër, mund të shpjegojë mendësinë e këtyre idealeve, për të cilët ka rënë edhe Luan Haradinaj, mund të ketë përparësinë që të kuptojë drejt tharmin e asaj që quhet Luftë e UÇK-së për liri, për çlirim dhe për bashkim kombëtar.

Sot, në 21-vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit, Luan Haradinaj, aspak nuk është me rëndësi çka thuhet me fjalorin e politikës së ditës për luftën çlirimtare, as për dëshmorët e kombit, aspak nuk është me rëndësi se çka shkruajnë gazetat e ditës, të porositura, apo të pavarura, siç aspak nuk është me rëndësi se çka thonë ndërkombëtarët dhe një pjesë e shqiptarëve, se a ishte konflikt, apo luftë e armatosur çlirimtare. Pse nuk është me rëndësi, mund të pyes dikush? Nuk është, qoftë edhe për faktin e vetëm se kjo gjuhë, e këtyre niveleve, nuk është e zonja të shpalojë bërthamën e gatishmërisë së sakrificës, deri edhe të jetës, të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave, luftëtarë dhe luftëtare të lirisë së kësaj pjese të atdheut tonë. Pa këto ideale dhe pa këtë sakrificë, nuk do të bëhej lufta çlirimtare e UÇK-së, andaj shpjegimi i saj me gjuhën e politikës së ditës, është anakronizëm historik.

Në emër të këtyre idealeve, për të cilët edhe ka rënë në altarin e lirisë, ai është bërë pjesë e veprimit të madh historik, që përveç çlirimit të kësaj pjese të atdheut, ka hapur edhe procesin e madh historik për bashkimin e trojeve shqiptare, edhe sot të copëtuar. Ky ideal dhe ky veprim historik, pjesë e të cilit përjetësisht është edhe dëshmori i kombit Luan Haradinaj, nuk shpjegohet as me fjalimet e politikës së ditës, kudo që bëhet ajo, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Bruksel, apo në Uashington, qoftë edhe vetëm për faktin se këto fjalime harrojnë veprimin e madh historik që ka hapur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që është bashkimi kombëtar, por nuk shpjegohet drejtë as nga institucionet tona shkencore e arsimore, sepse luftën për liri e kanë parë vetëm në ekranet e televizionit. Bashkimi kombëtar, një ditë do të bëhet realitet historik, me ne, apo pa ne, dhe siç e ka dëshmuar historia jonë, së paku që nga Mesjeta shqiptare e Motit të Madh të Skënderbeut, ky veprim historik nuk do të kishte përmasë kombëtare pa luftën dhe pa rënien e dëshmorëve të kombit të luftës së UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe Luan Haradinaj.

Të dhënat e sipërfaqshme të jetës dhe të veprës së një djaloshi 24 vjeçar, që ishte bërë pjesë e rrugës së madhe të lirisë dhe të çlirimit të një pjese të atdheut tonë, e cila ishte e pushtuar, që i paraqiti para jush Profesoresha e nderuar, udhëheqëse e kësaj Akademie përkujtimore, Afërdita Dervishi, dëshmojnë vetëm një fakt: se ai ishte vetëm 24-vjeçar kur bëhet pjesë e kujtesë sonë historike e kombëtare. Pra, ishte një djalë i ri, që nuk pranonte të shihte ëndrra me sy hapur, kur pjesë të atdheut ishin të pushtuara. Kush di të shpërfaqë këtë pjesë të ëndrrave të tyre, të idealeve të tyre, ai ose ajo, mund ta shpjegojë idealin e lirisë në emër të të cilit ka rënë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe Laun Haradinaj, mund të mendojë se ka arritur të shpjegojë bashkëjetesën e këtyre dy idealeve: të lirisë dhe të dashurisë ndaj atdheut.

Djem të këtillë dhe vajza të këtilla, trima të këtillë dhe trimëresha të këtilla, asnjëherë nuk i kanë munguar tokës shqiptare, siç nuk i kanë munguar kësaj toke as familje me shenjë, që kanë marrë barrën për t’u bërë pjesë e veprimit historik që kërkonte koha.

Këto familje të mëdha janë bërë të tilla, ngase kanë pasur mbështetjen e madhe të të gjithë qytetarëve liridashës, janë bërë Vatra dhe Streha, do të thoshte Prof. Çabej ynë i madh, e të gjithë atyre që ishin të gatshëm të luftonin për liri.

Popullit shqiptar, si një popull historik, asnjëherë nuk i kanë munguar familjet e mëdha, që janë bërë shenjë e jetës historike të popullit, nuk i kanë munguar ushtarët dhe gjeneralët e lirisë, nuk i kanë munguar të rënët për liri dhe ata që do të vazhdojnë rrugën e dëshmorëve të kombit, nëse liria e tokave shqiptare nuk do të jetë e përmasës së plotë historike.

Rënia e Luan Haradinajt është tharmi i lirisë së atdheut

Dëshmori i kombit, Luan Haradinaj e dinte se në luftë, edhe vritet luftëtari, së pari, pastaj njerëzit kudo që përballen me pushtuesin. Prandaj, që liria të kishte fytyrë njeriu, duhej rënia e tij, edhe në atë moshë, sepse dëshmorët e kombit nuk kanë as pleqëri, as vdekje. Jeta e dëshmorëve të kombit është e përjetshme, siç është i përjetshëm ideali i lirisë. Kush di ta shqyrtojë, ta analizojë dhe ta shpjegojë, këtë marrëdhënie në mes idealit të përjetshëm të lirisë dhe idealit të sakrificës në emër të saj, siç është sakrifikuar edhe dëshmori i kombit, Luan Haradinaj, mund të mendojë se i është afruar përkufizimit real, të kuptueshëm të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e secilës ishte edhe Luan Haradinaj, bashkë me të gjithë anëtarët e familjes, bashkë me të gjithë bashkëluftëtarët, por përjetësisht bashkë me të gjithë dëshmorët e kombit.

Kur koha thirri në luftën për liri, të cilën e kishin përgatitur breza të shqiptarëve idealistë dhe të ditur, Luan Haradinaj, kishte edhe në familjen e tij, frymëzues të tillë, idealistë të tillë, që ia kishin mësuar alfabetin e luftës për liri.

Related image

Kurdo që shkoni në Gllogjanin e sotëm, në vendlindjen e Luan Haradinajt, si dhe në shumë Gllogjan të tjerë, do të shihni kullat në të cilat janë rritur dhe edukuar luftëtarët e ardhshëm të lirisë, ushtarë dhe ushtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sa kot, sot flitet e bëhet, thuajse, zhurmë kalamajsh, kush ishte i pari, apo kush ishte i fundit në luftë, cilit krahë, apo cilit organizim i kishin takuar, kujt i kanë dhënë, apo kujt nuk i kanë dhënë llogari, e llafomani të ngjashme, sepse në këto çaste, harrohet mençuria e këtij populli, e cila thotë: pas luftës, përherë ka më shumë komandantë se sa ushtarë!

Pra, kurdo që shkoni sot në vendlindjen e Luan Haradinajt, në përfytyrimin e fillimeve të luftës çlirimtare, do t’u dalë dilema: Çka ishin këto, kulla apo kala? Në themelet e këtyre kullave, në gjakun e këtyre familjeve, që po bëheshin një shenjë e re e kujtesës sonë historike, ishin ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtarët e lirisë, nga më i moshuari e deri te më i riu, që ende nuk i kishte vënë brisk fytyrës, nga nëna e familjes e te motra, që luftonin për tokat e copëtuar dhe të përgjakura të atdheut. Në këtë luftë për liri, kishte edhe vdekje, pra kishte rënie për lirinë e atdheut, jo vetëm për t’i dhënë kuptim lirisë dhe jetës së atyre që vijnë pas, por edhe për ta përmbysur padrejtësinë historike që kishte rënë mbi jetën historike të shqiptarëve shumë herë nëpër shekuj.

Në jetën tonë dhe në jetën e brezave që do të vijnë, ata që po bëjnë kujtesën historike të shqiptarëve kudo që janë, dëshmorët e kombit, njëri nga ta, edhe Luan Haradinaj, do të kujtohen për përmasën e lirisë që kanë krijuar, për dinjitetin që na kanë vënë në vend, për veprimin historik që kanë bërë duke e luftuar okupuesin e tokave tona. Do të kujtohen edhe për mbrojtjen e jetëve tona dhe të fëmijëve tanë, si atë ditë kur fëmijët e shkollës fillore të Gllogjanit ishin zënë robër nga forcat ushtarake dhe policore serbe.

Pra, bashkë me ta, do të kujtohet 5 e 7 marsi i Prekazit të Komandantit Legjendar, Adem Jasharit, do të kujtohet 24 marsi i vitit 1998 dhe lufta heroike e dëshmorëve dhe e luftëtarëve të familjes Haradinaj dhe e të gjitha familjeve të Glogjanit, si një fitore e madhe e lirisë, si një fitore e madhe e të drejtës për të jetuar, por, në fund të fundit, si një fitore e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përfundim

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, as nuk erdhi nga qielli, as nuk mbiu nga toka, as nuk e bënë të huajt. Atë e organizuan, e bënë dhe e fituan djemtë më të mirë dhe vajzat më të përbetuara për lirinë e Kosovës. Në mesin e tyre, ndër të parë, ishte edhe luftëtari i lirisë, Luan Haradinaj, rënia e të cilit ishte njëra nga humbjet më të madha të fillimeve të luftës së armatosur të UÇK-së. Ata pra, dëshmorët e kombit, që lirisë së Kosovës dhe ardhmërisë së tokave shqiptare ia falën jetën, plagët, gjaqet, dasmat, por ia falen edhe rëniet.

Djemtë dhe vajzat e lirisë, secili më idealist se tjetri, vinin në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare për të vënë shenjat e kujtesës historike të shqiptarëve në vend, ngase armiqtë tanë kishin nëpërkëmbur edhe shenjat më të shenjta – tokën e atdheut dhe lirinë tonë. Të këtillë ishin edhe luftëtarët që i sillte në fronte e luftimeve Luan Haradinaj, për të rënë vetë i pari, që të bëhej shenjë e frymëzim për armatën e madhe të luftës për liri.

Ata do të vijnë sërish e sërish, sa herë Atdheu do të jetë në rrezik, në Prekaz e në Gllogjan, në Dukagjin e në Drenicë, në Llap e në Shalë të Bjagorës, në Hotel e në Mateç të Kumanovës, në Tetovë e në Gostivar, ku ka rënë komandanti i tri ushtrive çlirimtare, Tahir Sinani. Ata do të vijnë, bashkë me Luan Haradinajn, në tërë gjeografinë kombëtare, kudo dhe kurdo që thërret zëri i lirisë. Kurse nënat nuk i vajtojnë dëshmorët, sepse kanë rënë për lirinë tonë dhe për lirinë e atyre që do të rritën në liri.

 Prishtinë, më 6 maj 2018

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është bërë publike për herë të parë lista e shfrytëzuesve…