LUFTA E SHOTË GALICËS DHE SHTETI SHQIPTAR

22 shkurt 2018 | 10:40

Afërdita DERVISHI

Kumtesë e lexuar në konferencën shkencore “Veprimtaria atdhetare e Shotë Galicës” organizuar nga Instituti Albanologjik në 90-vjetorin e vdekjes së Shotë Galicës

Përkufizimi

Kjo kumtesë është punuar mbi bazën e tri pyetjeve kërkimore:
1. Kush ishte Shotë Galica në Lëvizjen Kaçake dhe në lëvizjen çlirimtare?
2. Pse Shotë Galica zgjodhi rrugën më të vështirë të bërjes së lirisë, luftën?
3. Kush ishte Shotë Galica pas shkuarjes me jetimët e luftëtarëve të lirisë në shtetin shqiptar, të formuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër?

Përgjigjet në këto pyetje sugjestive mund të përkufizohen duke marrë për bazë faktet historike dhe përshkrimin e ngjarjeve të asaj kohe, kujtesën folklorike dhe popullore duke përdorur metodën e krahasimit përmes qasjes normative dhe teorisë epistemologjike, për ta hulumtuar origjinën, natyrën dhe ndjesinë njerëzore ndaj një miti që e ka krijuar kujtesa jonë historike, edhe për të shpëtuar nga kompleksi i inferioritetit kombëtar që kishin mbjellë qeveritë shqiptare pas shpalljes së pavarësisë e deri në vdekjen e saj, më 1927.

1. Shotë Galica në Lëvizjen Kaçake dhe në luftën çlirimtare

Shtëpisë së Halil Radishevës i lindi fëmija i shtatë. Prapë krisi pushka, siç e do zakoni kur lind djalë, por ky fëmijë i vogël ishte vajzë. Si për inat të zakoneve, si për inat të mentalitetit, kjo vajzë, motër e gjashtë vëllezërve, me lavdinë e saj, bëri që të jetë shëmbëllimi dhe frymëzimi, që i bëhej krah djalit, burrit dhe vëllait, kudo që bëhej luftë për atdhe. Si për inat të historisë, që gjithmonë mbanë anën e burrave, kjo vajzë, Qerime Halil Radisheva, e njohur në histori me emrin Shotë Galica, do të bëhej simboli i rezistencës dhe simboli i trimërisë Shqiptare. Ajo, Shotë Galica e fitoi jo vetëm betejën morale por edhe betejën zakonore, me faktin se theu tabutë e kohës dhe të fesë.

Shote Galica, në vend të shtratit të nusërisë zgjodhi malin, në vend të kollanit të nusërisë zgjodhi gjerdanin me fishekë, në vend të fshesës zgjodhi koburen dhe në vend të miellit për të gatuar zgjodhi barotin për të luftuar. Jo shuplakë, por grusht u ra zakoneve, mentalitetit, të kohës dhe predikimeve të secilës fe. Kjo luftëtare e denjë mori pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit ndërsa në vitet 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e ‘Zonës neutrale’ të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës e të Malësisë (Aurela Elmasllari, “Femra shqiptare të spikatura”, 2012). Trimëresha Shotë Galica, luftoi në Lëvizjen Kaçake për 12 vjet rresht, duke marrë pjesë në më shumë se 70 aksione të armatosura kundër pushtuesit serb dhe austrohungarez. Prandaj, me të drejtë Shote Galica është sinonim i trimërisë dhe i luftës për liri të gruas Shqiptare.

2. Shotë Galica, luftëtare dhe grua

Në pyetjen kërkimore: Pse Shotë Galica, zgjodhi rrugën më të vështirë të bërjes së lirisë, luftën? Dilema zhvillohet te liria e individit, si pjesë e lirisë kolektive, e cila më tutje shtjellon lirinë si ideal i popujve historik.
Nënat, motrat, dhe gratë shqiptare, të cilat e zgjodhën rrugën më të vështirë për të luftuar për lirinë, padyshim se kishin dy arsye madhore. E para, si pjesëtare të shoqërisë së shtypur nga armiku dhe, e dyta, si qenie njerëzore të dorës së dytë, edhe sipas kanunit. Të shtypura e të nënçmuara përbrenda vet shoqërisë, duke qenë të pabarabarta në familje të gjakut dhe të burrit, pavarësisht kthjelltësisë së mendjes dhe atributeve që mund të kenë pasur, ato, prapë se prapë ishin pas vëllait, pas burrit. Kjo katërçipërisht lidhet me zakonet e ashpra dhe mentalitetin se burrat e kanë vendin aty ku merren vendimet, se lufta është për burra dhe prona është e burrave. Shotë Galica, edhe në jetë, edhe në luftë, disa herë i kishte thyer këto vendime duke vendosur vetë për veprimet, edhe me peshë historike.

Shotë Galica, u bëri ballë stuhive e rrebesheve, duke u përballur jo vetëm me luftën në betejat më të rënda e të rrezikshme, por edhe duke marrë pjesë në odën e burrave, aty ku merreshin shumë vendime e ku përgatitej plani për luftën. Në odën e burrave e kishte mësuar i ati ta merrte qëkur ishte e vogël dhe ajo e njihte mirë peshën e odave, siç edhe epërsinë e burrave ndaj grave, të cilat në oda vetëm shërbenin dhe nuk e kishin të drejtën e fjalës. Prandaj, ajo me këto veprime, për disa ishte grua pa fre, e përdalë, e çka nuk ishte. Shotë Galica, krahas luftës frontale, po luftonte edhe për lirinë e nënave e të grave shqiptare, të fëmijëve që pushtuesi po u ndalte rritën.

Në verën e vitit 1921 Shotë Galica vendosi ta dërgojë në vend betimin e dhënë pranë varreve të të pushkatuarve në Dubovc. Ajo e vret naçallnikun serb me dorë të vet, ia numëron shtatë here plumbat në lule të ballit. Me pas Shota do t’i thotë Azemit: “E vrava Azem! E vrava në emër të nënave që i ka lënë pa djem, në emër të nuseve që i ka lënë pa burra, në emër të motrave që i ka lënë pa vëllezër, në emër të lirisë së Kosovës”! (Mehmet Bislimi, “Shotë Galica-Qerime Halili 1895-1927”).

3. Shotë Galica dhe shteti shqiptar

Organet e shtetit shqiptar të Mbretit Zogu i Parë e vendosin së pari në fshatin Shullaz të Milotit, pastaj në Derven të Fushë Krujës. Kjo mënyrë e kujdesit dhe e vendosjes së Shotë Galicës dhe jetimëve të bashkëluftëtarëve të saj, do të thoshte, nëse i besohet filozofisë së popullit, me luftën tuaj, me sakrificën tuaj, nuk e meritoni as në këto fshatra të lëna të vendoseni, sepse na keni prishur miqësinë me fqinjët tanë, me serbët.

Shotë Galica ishte në një gjendje të rëndë, edhe shëndetësore, pas plagëve që kishte marrë në luftimet në betejën e Llaushës, në vitin 1926. Ku t’i shëronte plagët, si të kujdesej për jetimët që kishte me vete, mbi të gjitha, i kishte amanet të bashkëluftëtarëve të saj, të rënë. Por, Mbretit Zog, i mjaftonte ajo pjesë që ia kishin lënë të tjerët, sepse që të bëhej mbret i shqiptarëve, fronin dhuratë e kishte po nga këta fqinjë që ia kishin pushtuar pjesët më gjallnore të vendit të tij.

Një zot e di nga ishte gjetur një mjek, që ishte kujdesur për shëndetin e saj, sa edhe ia kishte prerë gishtat e dorës, sepse i ishin ngrirë nga të ftohtit gjatë luftimeve. Mirëpo, as në të dhënat për jetën e Shotë Galicës, as në ndonjë dokument zyrtar që njihet deri tashti në historiografinë tonë, nuk flitet asgjë për jetimët që ajo i kishte marrë me vete. (Ajet Haxhiu, “Azem dhe Shote Galica”, 1982). Nuk flitet as atëherë kur Shotë Galica kishte vdekur më 1927. Askush nuk e di, ku kanë shkuar, ku kanë krijuar familje, a janë gjallë dhe kush janë ata.

Në fund të fundit, një pyetje e përhershme që na rri në kokë, jo vetëm mua, por edhe lexuesve të tjerë shqiptarë të kësaj pjese të historisë së shtetit shqiptar, është se çka e shtynte shtetin shqiptar të mbante qëndrim të këtillë ndaj luftëtares së lirisë, Shotë Galicës?

Nëse përcillen me vëmendje ngjarjet historike të atyre viteve, pra që nga viti 1924 kur përmbyset qeveria e Fan Nolit dhe, kur rikthehet në fronin e shtetit shqiptar Ahmet Zogu, atëherë mund të shihet qartë se prania e duarve të huaja në jetën e brendshme të shtetit shqiptar ishte shumë e madhe dhe ishte tragjike.
Më 23 prill të vitit 1924 vritet Avni Rrustemi, ai që kishte vrarë tradhtinë kombëtar në Paris, kur e vrau Esad Pashë Toptanin, i cili ia kishte dhënë, përveç të tjerave, edhe Shkodrën Malit të Zi.

Më 2 mars të vitit 1925 vritet në Bari të Italisë, Luigj Gurakuqi, autori i tekstit të Pavarësisë së Shqipërisë, krahu i djathtë i Ismail Qemalit. Njeriu që tërë jetën ia kishte kushtuar lirisë dhe arsimimit të popullit shqiptar.

Po atë vit, më 29 mars, në një shpellë në Grykën e Dragobisë i rrethuar një zot e di se nga forca të cilit sistem, apo të cilit shtet, apo të paguar nga kush, vritet Bajram Curri, për të cilin, nëse asgjë tjetër nuk do të ishte ruajtur në kujtesën tonë, vetëm poezia e Fan Nolit “Te Shpellë e Dragobisë (Elegji për Bajram Currin)”, mjafton që ai të jetë i pavdekshëm.

Më 10 korrik të vitit 1927, në moshën 32-vjeçare, në gjendje të mjerueshme, i mbyll sytë njëherë e përgjithmonë Heroina e Popullit, Shotë Galica. Përkundër përpjekjeve të mëdha, me organizim të fshehur, apo duke gjetur njerëz me pagesë, që varrimi i saj të bëhej në heshtje, kjo nuk kishte ndodhur. Varrimi i saj në Fushë-Krujë, nuk u bë në heshtje, siç dëshironte qeveria e Ahmet Zogut, por erdhën shumë njerëz nga rrethe të ndryshme, gjë që dëshmon se ky popull e do lirinë, se ky popull di të vlerësojë sakrificën dhe luftën për liri e për bashkim kombëtar.

Më 14 gusht të vitit 1933, në Selanik vritet intelektuali patrioti, Hasan Prishtina, figura më madhore e luftërave shqiptare për liri dhe bashkim kombëtar.
Sot, kur flasim për një figurë të ndritur të historisë sonë më të re, për një heroinë që kishte nëpërkëmbur edhe moralin e ditës, edhe ligjin e thashethemeve të kohës, edhe mentalitetin e trimave, se lufta është vetëm për burra, siç është figura e Shotë Galicës, deshëm apo nuk deshëm, na sillet nëpër kokë pyetja: kush i kishte vrarë këta atdhetarë të luftës për liri kombëtare? Kush ishin dorasësit, kush porositësit dhe kush paguesit e shumave të parave, të cilat përmenden në nivelet e qeverisë së Mbretit Zog, edhe kur vritet Bajram Curri. (Eugen Shehu, “Azem Galica, shkëmb i Drenicës”, “Gazeta Shqiptari.eu”, 2016). Pra, kush ishin ata që e kishin lënë në atë gjendje të mjerueshme luftëtaren e lirisë, Shotë Galicën dhe jetimët e bashkëluftëtarëve të saj?

Pa marrë parasysh dilemat që mund të hapin dokumentet arkivore, të ditur deri sot, apo që do të zbulohen në të ardhmen, një fakt është shumë i qartë dhe shihet si ditën me diell, se ata i kanë vrarë organet e shtetit shqiptar, ku pushtetin e kishte Mbreti Zog. Do të thotë, prandaj, Shotë Galicën, në atë gjendje të mjerueshme, e kishin lënë organet e shtetit shqiptar, të qeverisë së Mbretit Zogu i Parë, sa duhej ta shiste edhe shenjën e fundit të jetës së saj, me Azem Galicën, kalin e tij që e mbante si kujtim të luftërave dhe jetës me të, vetëm për të ushqyer jetimët që ia kishin lënë amanet bashkëluftëtarët e saj e të Azemit.

Përfundim

Historia e Shotë Galicës dhe e femrave të tjera shqiptare në historinë e këtij populli, është histori e femrave të jashtëzakonshme, sepse ato kanë pasur guximin njerëzor dhe luftarak të përballen me kurthet e jetës deri në sakrificë supreme. Shotë Galica, nuk është vetëm heroina e betejave të çetave kaçake në Kosovë, ajo është heroina e përballjes me traditën e me zakonin, me kanunin e me thashethemet, të cilat jo vetëm për kohën kur ka vepruar ajo, por edhe sot e kësaj dite duan guxim dhe shumë kurajo për t’u përballur me to.

Francezët, më 1920, kur kishin parë një fotografi të mrekullueshme të Shotë Galicës, të punuar me mjeshtri nga Kel Marubi, e kishin quajtur “Zhan d’Arkë shqiptare”. Sot, në këtë sesion shkencor, ndoshta ky krahasim nuk ka rëndësi të madhe, edhe për faktin se nuk e di a jemi mirë me ndërgjegjen tonë kombëtare dhe intelektuale, qoftë edhe për ta përmbushur pyetjen: a kemi bërë sa e si duhet për figurën e Heroinës së Popullit Shotë Galica.

Në Kosovë, u deshën 18 vjet pas luftës së UÇK-së, që të bëhet një hap siç duhet për veprën madhore të Shote Galicës. Më 10 nëntor 2017, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në 90-vjetorin e vdekjes së saj, ka themeluar urdhrin “Shotë Galica”, me të cilën do të nderohen figura të shquara të kombit për sakrificë dhe liri.

Çdo gjë tjetër, qoftë edhe si arsyetim i dokumenteve që mund të zbulohen, ose që janë zbuluar deri tashti, vetëm sa rrit edhe më shumë iluzionet tona, se askush nuk paska qenë tradhtar i vendit, askush nuk paska shitur asgjë të huajt, askush nuk paska vrarë për ta mbajtur pushtetin, si dhe askush nuk paska zbatuar kërkesat e atyre që u kishin ndihmuar të vinin në pushtet.

Dy shtetet shqiptare, nuk ka njohuri të kenë bërë asnjë përpjekje serioze, as nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim konkret që eshtrat e Shotë Galicës të kthehen pranë varrit të Azem Galicës, ku e kanë vendin.
Fare në fund, ftoj organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si dhe organizimet e tjera që lidhen me veprimtarinë atdhetare të shqiptarëve, që të bashkohen dhe njëzëri të kërkojnë ndërtimin e një Memoriali, ku do të ishte edhe shtatorja e Shotë Galicës, ku shpirti i saj do të gjejë prehjen, në Kosovë, në vendin ku luftoi dhe pranë Azem Galicës. Ky memorial pastaj të shndërrohet në një nga atraksionet historike turistike të Kosovës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reshjet e ditëve të fundit kanë bërë që rruga që…