>

LV-ja: Bashkatdhetarët po trajtohen si të huaj edhe në vendlindjen e tyre

13 qershor 17:41

Në kuadër të “Ditës së Mërgatës” që po shënohet brenda “Javës së Lëvizjes” aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje nëpërmjet një aksioni të zhvilluar pranë Ministrisë së Diasporës i kanë rikujtuar shpërfilljet institucionale që u bëhen mërgimtarëve tanë.  

Me këtë rast sekretarja organizative e Vetëvendosjes, Vlora Haxhimehmedi ka thënë se sikur të mos mjaftonin vështirësitë e mëdha, dhe në shume raste diskriminimi politik, ekonomik, dhe kulturor me të cilin ballafaqohen bashkatdhetarët tanë jashtë vendit, ata gjithnjë e më shumë po trajtohen nga institucionet si të huaj edhe në vendin e tyre.

“Nga nëpërkëmbja e të drejtës për të votuar, te pagesa e padrejtë për kartonin e gjelbërt, nga radhët e gjata në kufi dhe vonesat e tjera administrative, e deri te kërkesat për ryshfete, këto institucione e kanë kthyer mërgatën tonë në objekt mashtrimi dhe abuzimi”, ka thënë ajo.

Haxhimehmedi ka rikujtuar se mërgata ka qenë jetike për mbijetesën dhe çlirimin e shqiptarëve nën ish Jugosllavi.

“Ajo u kthye jo vetëm në strehë për të përndjekurit politikë, gazetarët, artistët e shkrimtarët, por financoi me dekada ekzistencën ekonomike, politike dhe arsimin. Gjatë luftës mërgata dha një mbështetje të fuqishme me njerëz dhe materiale. Por qeverisjet e deritanishme, pas luftës, ia kanë reduktuar rolin mërgatës në minimum, përveç në aspektin e remitancave, ku mërgata kthen në Kosovë rreth 1 miliard euro. Megjithatë edhe ky kontribut shkon kryesisht për konsum të mallrave të huaja, për shkak të mungesës së prodhimit vendas, dhe për pasojë këto para dalin prapë jashtë vendit”, është shprehur ajo.

Sipas saj, kjo situatë bën thirrje për ndryshim të menjëhershëm.

“Ne angazhohemi për garantimin e të drejtës elementare të votës, për vende në parlament për mërgatën dhe shtrirje të politikave për mërgatën në të gjithë aparatin shtetëror, nga ekzekutivi te diplomacia, nga zhvillimi ekonomik e kulturor e deri të ngritja e Institutit të Mërgatës. Duhet të punojmë për atë që njihet si ‘rikthimi i trurit’ që është larguar nga vendi”, ka theksuar Haxhimehmedi.

Ajo ka treguar se përmes bankës zhvillimore që Lëvizja Vetëvendosje synon të themelojë, remitancat do të kalojnë nga konsumi në investime të mbrojtura në sektorët strategjik të ekonomisë, duke i dhënë mërgatës përparësi.

“Vetëm në Gjermani janë aktualisht të regjistruara mbi 32 000 biznese shqiptare. Paramendoni çfarë mund të bëjnë këto biznese sikur të ndihmoheshin të organizoheshin më mirë. Paramendojeni çfarë ndikimi do të kishin në ekonominë e Kosovës këto biznese sikur të investonin qoftë dhe 10% të kapitalit të tyre. Ata po investojnë, por shumë më pak nga ç’dëshirojnë sepse u kërkohet ryshfet, sepse u pritet hovi që në start përmes korrupsionit dhe mashtrimit. Le të bëhemi bashkë që ky vend mos të jetë më i huaj për qytetarët e vet”, ka deklaruar ajo.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Skuadra e Arsenalit po interesohet për portierin e Bayer Leverkusen,…