LV-ja nuk ua vazhdon kontratat Nol Nushit dhe Teuta Rrustës

25 janar 2018 | 14:23

Lëvizja Vetëvendosje (LV), nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë më dije se nuk ua ka vazhduar kontratat e punës Nol Nushit dhe Teuta Rrustës, për shkak të mungesës në punë.

“Për shkak të mosardhjes në punë dhe moskryerjes së detyrave të punës, kontratat e skaduara më 31 dhjetor 2017, të Nolit dhe Teutës, nuk ka qenë e mundur të përtëriten dhe prandaj as nuk mund të konsiderohen si të punësuar më tutje në Sekretariatin e Përgjithshëm”, është thënë në komunikatën e LV-së.

Komunikata e plotë e Lëvizjes Vetëvendosje:

Bazuar në praktikat e funksionimit të Lëvizjes Vetëvendosje, përfaqësuesit e saj thërrasin konferenca për media në koordinim me Sekretariatin për Media dhe konferencat i mbajnë në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Për konferencën e Nol Nushit dhe Teuta Rrustës jemi njoftuar se ata do të mbajnë një konferencë për media jashtë zyrave të Lëvizjes.
Noli dhe Teuta, bashkë me disa aktivistë të punësuar në Sekretariatin e Përgjithshëm, pas zgjedhjeve lokale (nga 20 nëntori), nuk kanë ardhur me rregull në zyrë, në vendin e tyre të punës.
Më 18 dhjetor 2017 në mbledhjen e Sekretariatit të Përgjithshëm në të cilën ka qenë edhe Noli e Teuta, është kërkuar nga të njëjtit t’i respektojnë obligimet e punës që dalin nga Kontrata që e kanë nënshkruar dhe Rregullores së punës së Lëvizjes Vetëvendosje, që është në harmoni me Ligjin e Punës.
Edhe pas kësaj dite, dy të lartpërmendurit nuk kanë ardhur në vendin e tyre të punës. Teuta deri më tani, brenda 2 muajve, 2-3 herë ka kryer disa shërbime në cilësinë e përgjegjëses për Qendrat e Lëvizjes.
Për shkak të mosardhjes në punë dhe moskryerjes së detyrave të punës, kontratat e skaduara më 31 dhjetor 2017, të Nolit dhe Teutës, nuk ka qenë e mundur të përtëriten dhe prandaj as nuk mund të konsiderohen si të punësuar më tutje në Sekretariatin e Përgjithshëm.
Arsyet e lartpërmendura janë dëshmi e mjaftueshme se Noli dhe Teuta në këtë Konferencë nuk përfaqësojnë pozicionet e mbajtura më herët në Sekretarin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar me homologun e…