Makolli: Ligji i ri i punës do të aprovohet në qershor të 2018-s

19 dhjetor 2017 | 13:50

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Vesel Makolli, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) me temën: “Ndryshimi i paradigmës, barazi përmes lejes prindërore”.

Në këtë konferencë janë trajtuar politikat aktuale vendore në kujdesin prindëror ndaj fëmijës dhe koordinimi i jetës profesionale dhe asaj private, në zhvillimin kualitativ psikosocial të fëmijëve.

Më këtë rast, zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli, ka thënë se në jetën e njeriut të sotëm janë bërë ndryshime të mëdha duke avancuar kualitetin e të jetuarit, por tani është imediate që të ndërrojë edhe paradigma shoqërore, sa i përket ndarjes së roleve të barabarta në formimin dhe edukimin e brezave të rinj.

“Leja prindërore si koncept është e përfshirë edhe në Ligjin e Punës, por aplikimi nuk është ende i kënaqshëm. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me faktorët tjerë relevant, është duke përgatitur Ligjin e ri të punës, në harmoni me legjislacionin e BE-së, në veçanti pjesën e lejes prindërore, në të cilin do të përfshihet koncepti i pushimit prindëror, analog me normativat ligjore të BE-së. Sipas planeve dhe dinamikës së punës së Qeverisë, ky ligj do të aprovohet në fund të qershorit të vitit 2018”, ka deklaruar Makolli.

Ai ka shtuar se nuk mjafton vetëm pjesa normative e shkruar, por për zhvillimin e personalitetit të fëmijës, paralelisht me shërbimet shëndetësore dhe arsimimin, është më se e nevojshme një atmosferë harmonie, mirëkuptimi e lumturie edhe nga prindërit.

Të gjeturat e prezantuara nga Instituti D4D, tregojnë se në Kosovë, përveç disproporcionalitetit në punësim mes grave dhe burrave, ndarja e obligimeve prindërore është ende e ndikuar shumë edhe nga paradigma shoqërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhjetëra qytetarë kanë zhvilluar një aksion para Zyrës së Rregulltarit…