Manastiri i Deçanit po bën politikë të gabueshme

28 maj 2018 | 15:39

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rasim Selmanaj, ka kritikuar Manastirin e Deçanit për ndërprerjen e punimeve në rrugën Deçan – Plavë. Ish-kryetari i Komunës së Deçanit ka theksuar se manastiri po bën politikë të gabueshme duke penguar rrugën e cila është edhe interes i Kishës Ortodokse Serbe.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se në këtë çështje duhet të inkuadrohen të gjithë faktorët relevantë për ta zhbllokuar asfaltimin e rrugës. “Mendoj se Manastiri i Deçanit është duke bërë politika të gabueshme, sepse vazhdimi i asfaltimit të rrugës ekzistuese është, para së gjithash, në interes të Manastirit. Ne duhet të punojmë që t’i gjejmë rrugët për të ardhur deri te një zgjidhje që të vazhdojnë punimet dhe të asfaltohen rrugët në të dyja anët”, ka thënë Selmanaj, i cili ia ka rikujtuar Sava Janjiqit se Komuna dhe Manastiri kishin një memorandum për asfaltimin e rrugës ekzistuese në gjatësi 2.4 kilometra në zonën e mbrojtur.

“Fillimisht Manastiri është pajtuar të rregullohet kjo rrugë por, pasi që unë në atë kohë, sa isha kryetar komune, kam filluar të punoj, ka ndërhyrë përmes KFOR-it dhe i ka ndërprerë punimet. Pastaj i kam ftuar të gjithë faktorët relevantë dhe kemi bërë një memorandum me z. Sava Janjiqin për asfaltimin e rrugës ekzistuese në gjatësi 2.4 kilometra në zonën e mbrojtur. Kurse tani kur është dashur të vazhdohet kjo rrugë, ka penguar Manastiri, sepse është zonë e mbrojtur”, është shprehur Selmanaj.

Më tej, ai ka sqaruar se memorandumi ka paraparë asfaltimin e rrugës ekzistuese, e cila ka qenë e gjerë 6 metra, ndërsa për rrugën transit gjerësia është 7 metra. Selmanaj ka vlerësuar se ky problem ka zgjidhje. Sipas tij, fillimisht duhet t’u sqarohet ndërkombëtarëve për punën që do të bëhet aty dhe të merret përkrahja e tyre dhe tek më pas të bisedohet me Manastirin. “Mendoj se ky problem ka zgjidhje. Duhet të punohet dhe të merret përkrahja nëpër adresat që realisht vendosin”, ka thënë Selmanaj, duke treguar se pse Manastiri i Deçanit po bën obstruksione në këtë drejtim. “Ata vazhdimisht thirren në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, por pengesat që këta po i krijojnë, po i bëjnë në mënyrë që Komuna e Deçanit ta ndërrojë qëndrimin rreth pronave të ‘Apiko’-s dhe ‘Ilirisë’. Mendoj se qëndrimi i komunës ndaj këtyre pronave nuk duhet të ndryshojë”, është shprehur Selmanaj.

“Epoka e re”: Z. Selmanaj, sërish Manastiri i Deçanit ka ndërprerë punimet në rrugën Deçan – Plavë. Ju keni qenë ndër të parët që jeni marrë me këtë çështje. Cili është mendimi juaj për këtë veprim të Manastirit?
Selmanaj: Kuvendi i Kosovës ka votuar Ligjin mbi Zonat e Mbrojtura, i cili është një ligj i keq dhe politik. Unë në atë kohë kam qenë deputet dhe nuk e kam votuar këtë ligj. Kurse tani ai ligj është në fuqi, sepse e ka votuar Kuvendi i Republikës Kosovës. Prandaj, Manastiri në të gjitha rrethanat mund të bëjë këso manovrimesh dhe pengesash kur bëhet fjalë për zonën e mbrojtur.

“Epoka e re”: Mirëpo ju sa ishit kryetar i Komunës së Deçanit kishit bërë një marrëveshje me Manastirin për ndërtimin e kësaj rruge. Çfarë përmbante ajo marrëveshje?
Selmanaj: Në vitin 2007 kur ishte kryeministër Agim Çeku, tenderi për këtë rrugë ka qenë i hapur dhe ka qenë dita e caktuar për t’i filluar punimet e rrugës transit Deçan – Plavë. Në atë kohë ish-kryeministri është dashur të kthehet në rrugë, sepse ka ndërhyrë Manastiri përmes ambasadave dhe janë ndërprerë punimet e rrugës. Kur jam bërë kryetar i komunës këtë rrugë e kam pasur prioritet. Në këtë drejtim fillimisht e kam marrë përkrahjen e ish-kryeministrit Hashim Thaçi që projekti në fjalë të fillojë. Mirëpo, në një moment ish-kryeministri Thaçi më ka thënë se pa përkrahjen e Ambasadës Amerikane nuk mund ta nisim këtë projekt. Pastaj, unë përmes ish-ambasadori të Francës në Prishtinë, z. Fitu, kam arritur të bëj një takim, në të cilin kanë marrë pjesë Hashim Thaçi, përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zhbogar, ish-ambasadori amerikan Christopher Dell, Sava Janjiq, ndërsa unë kam qenë i shoqëruar në këtë takim me dy drejtorë të komunës. Po në këtë takim ka qenë edhe ish-ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku. Në atë takim kam marrë përkrahjen që ta fillojmë rrugën transit Deçan – Plavë jashtë zonës së mbrojtur, e cila ishte penguar në vitin 2007. Më pas Qeveria e Hashm Thaçit i ka ndarë 1 milion e 100 mijë euro dhe ne kemi filluar punimet duke i asfaltuar 2 kilometra dhe dy të tjera janë hapur. Mirëpo me ardhjen e z. Mustafa në krye të Qeverisë nuk kemi marrë asnjë përkrahje dhe ka pasur stagnim të këtij projekti. Ndërsa, para dy vjetëve në zonën e mbrojtur, prej qendrës së Deçanit deri përtej Manastirit, i kemi asfaltuar 2.5 kilometra rrugë. Pra, fillimisht Manastiri është pajtuar të rregullohet kjo rrugë por, pasi që unë kam filluar të punoj, ka ndërhyrë përmes KFOR-it dhe ka ndërpre punimet. Pastaj i kam ftuar të gjithë faktorët relevantë dhe kemi bërë një memorandum me z. Sava Janjiq për asfaltimin e rrugës ekzistuese në gjatësi 2.4 kilometra në zonën e mbrojtur. Kurse tani kur është dashur të vazhdohet, kjo rrugë i ka penguar Manastiri, sepse është zonë e mbrojtur. Tani janë detyruar që punimet e kësaj rruge të zhvendosen në zonën ku nuk është e mbrojtur. Kështu që, tash për tash e kemi një situatë e cila nuk është e favorshme.

“Epoka e re”: Nëse këtë memorandum e ka nënshkruar Komuna e Deçanit dhe Manastiri, pse tash të pengohet asfaltimi i kësaj rruge?
Selmanaj: Memorandumin e kemi nënshkruar unë si kryetar komune dhe Sava Janjiq. Mirëpo, memorandumi ka qenë për asfaltimin e rrugës ekzistuese, e cila ka qenë e gjerë gjashtë metra, ndërsa për rrugën transit gjerësia është shtatë metra.

“Epoka e re”: Domethënë, tani rruga parashihet të jetë 7 metra më e gjerë se ekzistuesja?
Selmanaj: Po, është paraparë që transiti të jetë shtatë metra. Një pjesë e kësaj rruge,  siç dhe thashë, veç është asfaltuar. Mendoj se Manastiri është duke bërë politika të gabueshme, sepse vazhdimi i asfaltimit të rrugës ekzistuese është në interes të Manastirit. Duhet të punojmë t’i gjejmë rrugët për të ardhur deri te një zgjidhje që të vazhdojnë punimet dhe të asfaltohen rrugët në të dyja anët.

“Epoka e re”: Meqenëse kur e keni arritur memorandumin i keni pasur në krah zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë, a duhet që sërish ata të inkuadrohen në këtë proces?
Selmanaj: Mendoj se para se të nxirrej në tender kjo pjesë, ku është menduar të fillojnë punimet, është dashur ta marrin përkrahjen të cilën unë e pata marrë në atë kohë. Faji është te ne, ngaqë ai ligj është votuar në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, duke e pasur parasysh këtë fakt është dashur të merret përkrahje e pastaj të vazhdohet.

“Epoka e re”: Si mendoni se mund të zgjidhet kjo çështje?
Selmanaj: Mendoj se ky problem ka zgjidhje, por duhet të punohet dhe të merret përkrahja nëpër adresat që realisht vendosin.

“Epoka e re”: Cilat janë ato adresa?
Selmanaj: I përmenda më herët. Thashë se në takimin që e kam organizuar unë ka qenë Samul Zhbogari, ish-ambasadori amerikan Christofer Dell, pastaj ka ekzistuar komunikimi me Manastirin. Ani pse ai nuk ka absolutisht të drejtë, mirëpo meqenëse ia kemi dhuruar Kosovës një ligj të keq. Ne tash duhet të punojmë në këto rrethana.

“Epoka e re”: A qëndrojnë arsyet se Manastiri është duke i përdorur për ta kundërshtuar vazhdimin e rrugës?
Selmanaj: Manastiri nuk e ka asnjë të drejtë ta bllokojë këtë rrugë. Mirëpo, me një ligj politik ne ia kemi dhënë atë të “drejtë”.

“Epoka e re”: Kundërshtimi i Manastirit ka të bëjë vetëm me këtë ligj?
Selmanaj: Vazhdimisht thirren në Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Realisht, pengesat që këta po i krijojnë, po i bëjnë në mënyrë që Komuna e Deçanit ta ndërrojë qëndrimin rreth pronave të ‘Apiko’-s dhe ‘Ilirisë’. Mendoj se qëndrimi i komunës ndaj këtyre pronave nuk duhet të ndryshojë, pavarësisht se ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese e cila s’ka pasur të drejtë të përzihet në këtë temë. Dihet se ai kontest është i hapur dhe ato prona nuk mund t’i takojnë Manastirit të Deçanit.

“Epoka e re”: Ende nuk kemi ndonjë reagim të institucioneve qendrore për këtë çështje. Duhet të inkuadrohen dhe ta ndihmojnë zgjidhjen e kësaj çështje?
Selmanaj: Natyrisht se njerëzit që udhëheqin shtetin duhet të angazhohen në këtë temë. Besoj se e kanë obligim të angazhohen.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në konferencën ndërkombëtare “The Faceof Prosperity” e cila është mbajtur…