Manipulime e parregullsi për fitoren e katërt të Putinit

18 mars 2018 | 22:25

Në Rusi u mbajtën zgjedhjet presidenciale tw dielën, ku Vladimir Putin fitoi edhe një mandat. Por njoftohet për parregullsi dhe manipulime të shumta.

Në prognozat e para, të bëra publike menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, thuhet se Vladimir Putin ka fituar rreth 70 % të votave, në zgjedhjet presidenciale në Rusi. Por shumë vëzhgues thonë se në zgjedhje ka pasur parregullësi të shumta, në shumë rajone.

Rrjeti kompjuterik i Komisionit Qendror Zgjedhor në Rusi është përballur në ditën e zgjedhjeve presidenciale me sulme nga të paktën 15 vende të ndryshme. Kështu u shpreh kryetari i Komisionit Ella Pamfilov në Moskë. Serverët tanë janë vërshuar nga sulme të shumta. “Sulmet kanë ardhur nga 15 vende të ndryshme”, ka thënë Pamfilov. Burimet ruse thonë se janë sulmuar edhe mediat ruse dhe jo vetëm Komisioni.

Presione dhe manipulime

Opozita ruse dhe organizatat joqeveritare pohojnë se gjatë votimeve janë vërejtur parregullsi të shumta, presione dhe manipulime. OJQ Golos ka njoftuar deri në mesditë për 1800 parregullsi. Në veçanti shqetësuese janë sipas Golos informacionet për presione ndaj studentëve në universitete. Gazeta liberale “Novaja Gaseta” njofton se studentët në shumë qytete janë kërcënuar se do të kenë probleme me provime në qoftë se nuk dalin në zgjedhje. Presione ka pasur edhe në sipërmarrjet e shtetit.

Vëzhguesit e Navalnit

Mbështetësit e kritikut ndaj Kremlinit, Alexej Navalny, i cili nuk është lejuar të marrë pjesë në zgjedhje, kanë dërguar në vendvotime rreth 33.000 vëzhgues. Ata raportojnë për shumë parregullësi, në veçanti në Moskë dhe afërsi të Shën Petersburgut si dhe në Ural. Simpatizantët e Navalnit kanë botuar edhe video në internet me të cilat dëshmojnë parregullësitë.

Burimet ruse njoftojnë se në këto zgjedhje janë vëzhguar nga rreth 1300 vëzhgues të huaj. Vetëm OSBE ka dërguar atje rreth 600 vëzhgues. OSBE do të paraqesë rezultatet e vëzhgimit të hënën.

Më shumë se 107 milionë zgjedhës në Rusi janë ftuar të votojnë presidentin e ri. Në të gjitha sondazhet thuhej se Vladimir Putin do të fitojë edhe një mandat të ri, që ia siguroi atij mbetjen në pushtet deri në vitin 2024. Shtatë kundërshtarët e Putinit në këto zgjedhje nuk kishin kurfarë shansi për fitore. Navalni konsiderohehej si kundërshtari i vetëm serioz, por ai nuk u lejua të marrë pjesë në zgjedhje./DW

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanceri i prostatës mund të diagnostifikohet nga inteligjenca e re…