Marrëveshja e detit me Shqipërinë, Kotzias sulmon opozitën greke

23 shkurt 2018 | 21:25

Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, i ka rekomanduar partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, të tregojë përgjegjshmëri në çështjet e politikës së jashtme.

Ndërhyrja e shefit të diplomacisë greke është bërë në parlament, në përgjigje të kërkesës për interpelancë, që kishte bërë shefi i departamentit të mbrojtjes të partisë opozitare, deputeti Vasilis Kikilias. Tema e interpelancës ka qenë përsëri e lidhur me negociatat që Greqia po zhvillon me Shqipërinë për rishikimin e Paktit Detar.

Deputeti konservator kërkon të dijë nëse “në përllogaritjen e re të ujërave territoriale do të garantohet influenca e ishujve Diapontianë” -(kompleksi i ishujve të vegjël në veri perëndim të Korfuzit), si dhe nëse “shelfi kontinental me Shqipërinë do të ketë të njëjtën vlefshmëri që ka dhe me Italinë, i delimituar që nga viti 1977”.

Deputeti konservator grek e argumenton kërkesën për interpelancë me, siç thotë, “shqetësimin që kanë krijuar te populli grek lajmet e publikuara në mediat e Greqisë dhe Shqipërisë lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes strategjike për kufirin detar”.

Ministri i jashtëm grek, nuk është ndalur ne detaje teknike. Por pasi ka thënë se termi “ishuj Diapontianë nuk gjendet askund në bibliografinë për të drejtën e detit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare”, Kotzias i ka rekomanduar deputetit të opozitës që “ta riformulojë pyetjen”. Sepse, siç ka sqaruar, “këtu po bëjmë kontroll parlamentar dhe jo biseda kafeneje”.

Ministri i jashtëm grek ka kërkuar nga partia më e madhe opozitare të tregojë përgjegjshmëri në çështjet e politikës së jashtme.

“Politika e jashtme do të duhet të ushtrohet me kthjelltësi, përgjegjshmëri, seriozitet dhe efikasitet, dhe jo për hatër të marketingut të brendshëm politik”, ka theksuar ministri i jashtëm grek. /Oranews/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë…