Matoshi: Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie të mira

02 prill 2018 | 16:26

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, nuk ka dashur ta komentojë reagimin e presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj për shkrimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe kreut të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Ai ka mohuar mundësinë që pas ngjarjeve të fundit mund të ketë tensione në raportet në mes të dy vendeve. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se të dyja vendet kanë raporte të mira.

“Republika e Kosovës dhe Republika turke kanë marrëdhënie të mira”, ka thënë Matoshi. Në këtë intervistë këshilltari i kryeministrit ka folur edhe për punën e Qeverisë pas daljes prej koalicionit qeverisës të Listës Serbe. Sipas tij, Qeveria Haradinaj është duke i përmbushur agjendat e saj shtetërore sipas mandatit kushtetues.

Lidhur me mundësinë e kthimit të Listës Serbe në Qeveri, ai ka thënë se kjo do të ishte racionale, meqenëse zyrtarët serbë në qeverisje janë kategori kushtetuese.

“Lista Serbe besoj se do të veprojë në mënyrë racionale dhe t’i përfaqësojë serbët kosovarë në ekzekutivin e vendit, sepse zyrtarët serbë në qeverisje janë kategori kushtetuese. Ministri Sefaj është shkarkuar për një shkelje kushtetuese”, ka thënë Matoshi. Ai u është përgjigjur edhe paralajmërimeve të LDK-së për zgjedhje të parakohshme.

Sipas Matoshit, jetëgjatësia e Qeverisë së Kosovës nuk varet nga qëndrimi i LDK-së. “LDK-ja si parti institucionaliste duhet të bëjë opizitarizëm serioz, duke ushtruar kontroll parlamentar mbi qeverisjen, si dhe të ndikojë në unitet kur janë në pyetje interesat madhore kombëtare të Kosovës, por nuk varet nga ajo jetëgjatësia e Qeverisë së Kosovës. Qeveritë teknike janë groteske. Si mund të funksionojë një Qeveri pa mbështetje politike? LDK-ja, megjithatë, në thelb e ka mbështetur Qeverinë Haradinaj”, është shprehur Matoshi.

“Epoka e re”: Z. Matoshi, kemi pasur një reagim të presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i cili ka kritikuar kryeministrin Haradinaj për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme (MPB), Flamur Sefaj dhe shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi. Cili është komenti juaj për këtë reagim?
Matoshi: Nuk kam koment.

“Epoka e re”: Pas deportimit të shtetasve turq kemi pasur reagime të shumta ndaj Turqisë, madje ka pasur edhe protesta para Ambasadës së Turqisë në Prishtinë. Mund të ketë ndonjë tension të raporteve midisi dy vendeve?
Matoshi: Republika e Kosovës dhe Republika e Turqisë kanë marrëdhënie të mira.

“Epoka e re”: Z. Matoshi, pas largimit të Listës Serbe prej Qeverisë së Kosovës, si është duke funksionuar kabineti qeveritar? Keni biseduar me ndonjë subjekt politik për t’iu bashkuar koalicionit qeverisës, në mënyrë që Qeveria ta ketë shumicën e nevojshme në Kuvend?
Matoshi: Qeveria Haradinaj është duke i përmbushur agjendat shtetërore sipas mandatit kushtetues. Qeveria nuk negocion me partitë politike për koalicione, rirreshtime etj. Kjo është çështje e partive politike.

“Epoka e re”: Mund të kthehet Lista Serbe prapë në Qeveri pas dy shkarkimeve që ndodhën, meqenëse në një farë mënyre, pas ngjarjeve në veri serbët, kanë kërkuar shkarkimin e kreut të MPB-së?
Matoshi: Lista Serbe besoj se do të veprojë në mënyrë racionale dhe t’i përfaqësojë serbët kosovarë në ekzekutivin e vendit, sepse zyrtarët serbë në qeverisje janë kategori kushtetuese. Ministri Sefaj është shkarkuar për një shkelje kushtetuese.

“Epoka e re”: Pas ngjarjeve të fundit, LDK-ja ka kërkuar zgjedhje të parakohshme duke mos përjashtuar si alternativë edhe qeverinë teknike. Si i keni parë këto qëndrime të LDK-së?
Matoshi: LDK-ja si parti institucionaliste duhet të bëjë opizitarizëm serioz, duke ushtruar kontroll parlamentar mbi qeverisjen, si dhe të ndikojë në unitet kur janë në pyetje interesat madhore kombëtare të Kosovës, por nuk varet nga ajo jetëgjatësia e Qeverisë së Kosovës. Qeveritë teknike janë groteske. Si mund të funksionojë një Qeveri pa mbështetje politike? LDK-ja, megjithatë, në thelb e ka mbështetur Qeverinë Haradinaj edhe me buxhetin, edhe me ratifikimin e marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, me “Rastin Gjuriq” si dhe në raste të tjera.

Muhamet KOCI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, ka komentuar kërkesën…