Mazrreku: Kosovës i duhet strategji konkrete për anëtarësim në KE

21 Janar 12:50

Njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazrreku, ka kritikuar qasjen e deritashme të Kosovës në raport me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ai ka deklaruar se politika e jashtme e Kosovës ka qenë joefektive në këtë drejtim.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Mazrreku ka thënë se në mënyrë esenciale Kosova duhet ta ndryshojë këtë qasje. “Besoj se esencialisht Kosova duhet ta ndryshojë qasjen në raport me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Politika e jashtme e Kosovës deri më tani nuk ka qenë efektive në këtë drejtim dhe pikërisht roli dhe konsolidimi i shtetit të Kosovës do të varen krejtësisht nga anëtarësimi i saj në organizata ndërkombëtare apo rajonale”, ka thënë Mazrreku.

Mazrreku i ka sugjeruar Ministrisë së Punëve të Jashtme të hartojë një strategji konkrete për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund të priten lajme të mira rreth anëtarësimit në këtë organizatë. “Absolutisht se duhet një strategji për lobim në këto vende, sepse është e qartë se gjithçka varet nga qëndrimi i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova duhet të jetë e përgatitur edhe për pengesat që do t’i paraqesë diplomacia serbe në këtë drejtim.

“Mendoj se përgjigjja më e mirë ndaj pengesave të Serbisë bëhet vetëm përmes një diplomacie efektive dhe vetëm përmes grupeve lobuese efektive. Në këtë mënyrë besoj se mund t’i bëhet ballë diplomacisë aktive serbe e cila është në funksion të pengimit të Kosovës drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Mazrreku.

“Epoka e re”: Qeveria e Kosovës po bën përgatitje intensive për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Mendoni se është koha e duhur për aplikim?
Mazrreku: Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova t’i kryejë procedurat e aplikimit në këtë organizatë për shkak të natyrës, funksionimit dhe misionit që ka Këshilli i Evropës. Madje Kosova është vonuar paksa në këtë drejtim.

“Epoka e re”: Cilët janë hapat që duhet t’i ndërmarrë Kosova që të jetë sa më e pagatitur për anëtarësim në këtë organizatë?
Mazrreku: Si në çdo organizatë tjetër panevropiane, apo supranacionale, roli i shteteve anëtare është krucial. Që ta sigurojë Kosova anëtarësimin në Këshillin e Evropës duhet të sigurohet që shtete anëtare të kësaj organizate ta mbështesin sepse, në fund të fundit, do të varet nga qëndrimi i këtyre shteteve në raport me aplikimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Epoka e re”: Pra, mendoni se Ministria e Punëve të Jashtme duhet të ndërtojë një strategji për të lobuar te këto vende për ta siguruar votën e tyre?
Mazrreku: Absolutisht se duhet një strategji për lobim te këto vende, sepse është e qartë se gjithçka varet nga qëndrimi i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.

“Epoka e re”: Tashmë MPJ-ja ka formuar grupin punues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, detyrat e të cilit kanë të bëjnë me përgatitjet e këtij procesi. Cili është qëndrimi juaj për këtë grup punues?
Mazrreku: Shpresoj se ministri kur e ka formuar këtë grup ka pasur parasysh nivelin e ekspertizës dhe të njohjes në këtë drejtim. Tani nuk mund të komentoj shumë sepse nuk e di se kush janë ata njerëz që janë pjesë e këtij grupi punues. Përderisa ekziston ideja që Ministria e Jashtme ka vendosur të ndërmarrë një hap të tillë, besoj se ka vendosur për njerëz adekuatë dhe kompetentë.

“Epoka e re”: Me siguri se gjatë këtij rrugëtimi do të kemi një kundërshtim nga ana e diplomacisë serbe. Si duhet t’u përgjigjet Kosova këtyre pengesave?
Mazrreku: Përgjigjja më e mirë ndaj pengesave të Serbisë bëhet vetëm përmes një diplomacie efektive dhe vetëm përmes grupeve lobuese efektive. Në këtë mënyrë mund t’i bëhet ballë diplomacisë aktive serbe e cila është në funksion të pengimit të Kosovës drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Nëse i hedhim një vështrim historikut të kësaj çështje, shohim se Serbia ka investuar shumë jo vetëm për pengimin e njohjeve individuale prej shteteve anëtare të OKB-së, por ka investuar edhe ta preventojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Sovraniteti i shteteve sot varet nga roli i tyre në organizata ndërkombëtare, prandaj edhe Serbia në mënyrë strategjike ka investuar që ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Natyrisht se ka pasur efekt në këtë drejtim, sepse Kosova në këtë proces shpesh ka dështuar të anëtarësohet në këto organizata.

“Epoka e re”: Po nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, mund të presim ndonjë pengesë për rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës?
Mazrreku: Absolutisht po. Shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, përkatësisht këto shtete që e kanë kontestuar shtetësinë e Kosovës, do të jenë pengesë kryesore. Kosova ka pasur raste që edhe shtetet që e kanë njohur Kosovën kanë votuar kundër anëtarësimit në disa organizata.

“Epoka e re”: Pritjet e Qeverisë janë që në vitin 2020 Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate. Sa reale është kjo pritje?
Mazrreku: Unë jam septik sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, kur dihet se sa joefektive ka qenë Kosova në anëtarësimin në këto organizata deri më tani. Nuk kam lexuar ndonjë strategji të qartë të Kosovës se si do t’i qaset këtij procesi.

“Epoka e re”: Çfarë strategjie do t’i duhej Kosovës në këtë drejtim?
Mazrreku: Kosovës i duhet një strategji e qartë dhe konkrete për të qenë më efektive drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Konkludimi i shtetësisë së Kosovës do të varet nga roli i Kosovës në organizata ndërkombëtare, përkatësisht i Kosovës në këto organizata. Kjo strategji duhet të parashohë lobimin konkret në vendet që e kanë njohur Kosovën dhe në ato që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Epoka e re”: Deri më tani Kosova është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare. Ka mundur të bëhet më tepër në këtë drejtim?
Mazrreku: Që nga shpallja e pavarësisë mendoj se Kosova ka dështuar të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Përjashtuar Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtare, Kosova ende nuk është anëtare e asnjë organizate të rëndësishme ndërkombëtare. Besoj se është imagjinare të mendohet anëtarësimi në NATO dhe BE përderisa mungojnë njohjet e pesë shteteve që janë anëtare të këtyre dy organizatave. Këto shtete e kanë të drejtën e tyre të bllokimit të anëtarësimit të një shteti të ri dhe kështu nuk mund të flitet për raporte normale në mes të Kosovës dhe BE-së, apo Kosovës dhe NATO-s, përderisa mungojnë ato pesë njohje.

“Epoka e re”: Që do të thotë se Kosova duhet ta ndryshojë qasjen në raport me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare?
Mazrreku: Po, pra. Besoj se Kosova duhet ta ndryshojë qasjen në raport me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Politika e jashtme e Kosovës deri më tani nuk ka qenë efektive në këtë drejtim dhe pikërisht roli dhe konsolidimi i shtetit të Kosovës do të varen krejtësisht nga anëtarësimi i saj në organizata ndërkombëtare apo rajonale. Strategjitë që janë përdorur deri më tani në këtë drejtim, nëse ka pasur strategji, kanë qenë joefektive, prandaj esencialisht është e nevojshme që Kosova ta ndërrojë qasjen në këtë drejtim.

Muhamet KOCI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një ceremoni përkujtimore për…