Mehmet Malaj burrë i madh i kombit

20 maj 2018 | 09:51

Ismet Sylejmani

-Fjalim i mbajtur më 19 maj 2018, në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të axhës Mehmet Malaj.
_______

I dashur simboli i rezistencës kombëtare baca Adem Demaçi,
E nderuar familja Mala e axhës Mehmet,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Shoke e bashkëveprimtar të heroit të kombit Rexhep Malaj,
Të nderuar të pranishëm!

Unë sot përpara jush do të lexoj shkrimin që e kam shkruar me rastin e vdekjes të Axhes Mehmet, me 18 maj 1998.

Dëshiroj ta bëj publike, që fotografinë e axhës Mehmet në redaksinë “Bota e re”, të studenteve e ka dërguar veprimtarja e çështjes kombëtare, bashkëshortja e Ilmi Ramadanit, Teuta Hadri.

Ndërkaq gazetari legjendar i popullit shqiptar Muhamet Mavraj, e ka botuar para kohe gazetën “Bota e re” që të dalë me shkrimin për ndarjen nga jeta të axhës Mehmet.

________

Më 18.05.1998 në Gjilan ndërroi jetë plaku i urtë e bujar, Mehmet Malaj.

Ai ishte njëri ndër baballarët e rrallë që popullit dhe atdheut,i fali njërin ndër luftëtarët më të mëdhenj e më të devotshëm të çështjes kombëtare, të pathyeshmin, të patremburin dhe të papërkulurin ,ilegalin e orëve të para, politikanin revolucionar e të pakompromis, autorin e kujtimeve nga burgu me titull “Sy më sy me bandën titiste, i pa armatosur, por fitimtar me drejtësinë zemër”, ish-të burgosurin politik, dëshmorin Rexhep Malaj.

Mbi supet e Axhës Mehmet, për vite të tëra kanë rënduar halle e derte, poshtërsi e fyerje, tortura e provokacione nga më të ndryshmet,që ka ditur t’i bëjë ajo shtresë puthadorësh të sojit të Broshëve, Morinëve etj.

Përballë sfidave dhe provokacioneve të armikut, Axha Mehmet, kurrë nuk është dorëzuar, kurrë nuk është thyer e gjunjëzuar, as atëherë kur ia kanë vrarë zemërmadhin syzjarr, trimin Rexhep Malaj, as atëherë kur nuk ia kanë lejuar vënien e kurorës mbi varr të Rexhepit, të cilën Hanifja, gruaja e dëshmorit, e ruan qe plot 14 vjet në shtëpi.

Shumë herë e kishin zgjuar në orë të hershme të mëngjeseve këlyshët e UBD-së, që ia përmbysenin çdo gjë që i gjenin në shtëpi.

Shumë duroi ky plak i panënshtruar, që ishte i nivelit të Shaban Jasharit, sepse djali i tij, Rexhepi, së bashku me Nuhiun, që më 1984 në Prishtinën e Kuqe, thirrjeve dhe krrokamave të telallëve të UDB-së për t’u dorëzuar, iu përgjigj me flakë të pushkës së lirisë.

Ushtima e krismave të armëve të UÇK-së është përcjellja më madhore që do të mund t’i bëhej atij që luftës për liri i dha një luftëtar çfarë ishte i madhi Rexhep Malaj.

I qoftë i lehtë dheu të cilin e skuqi me gjak Rexhep Malaj!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kërkesat për zgjedhje të reja…