Meta i dorëzon flamurin kombëtar ekipit shqiptar për Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”

18 qershor 2018 | 20:01

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ia ka dorëzuar të hënën, në një ceremoni solemne, flamurin kombëtar ekipit dhe delegacionit zyrtar, që do të marrin pjesë dhe do ta përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018” në Spanjë.

Meta në fjalën përshëndetëse në këtë ceremoni, duke iu drejtuar sportistëve, ka thënë se në këto lojëra ekipi ynë olimpik i ka të gjitha shanset të ketë rezultate shumë të mira.

“Është kënaqësi e veçantë t’ju pres të gjithëve sot në prag të Lojërave Mesdhetare që do të zhvillohen në Spanjë. Me këtë rast ju uroj suksese në këto lojëra, për të cilat ju jeni përgatitur për një kohë të gjatë me një dëshirë dhe me një qëllim, për të përfaqësuar sa më mirë Shqipërinë dhe për të përfaqësuar në mënyrën më dinjitoze flamurin tonë kombëtar”, ka thënë presidenti Meta, duke shtuar se Shqipëria në Lojërat Mesdhetare historikisht ka arritur rezultate shumë të mira në të gjitha sportet.

“Besoj se edhe në këto lojëra ne i kemi të gjitha shanset falë përkushtimit, pasionit dhe talentit tuaj që përsëri të kemi rezultate shumë të mira. Jam shumë i gëzuar edhe për rezultatet e ekipit të volejbollit të femrave. Rezultatet e fundit tregojnë një rizgjim të asaj tradite të shkëlqyer që ne kemi pasur në këtë sport dhe në këtë përfaqësim, pa dyshim edhe në shumë fusha të atletikës”, ka thënë presidenti Meta.

Duke i uruar suksese dhe përfaqësim sa më dinjitoz të ngjyrave kuq e zi, presidenti i Republikës ia ka dorëzuar flamurin kombëtar kampionit të Ballkanit dhe Evropës në kërcimin së gjati, atletit Izmir Smajlaj.

“Faleminderit shumë, z. President! Është nder dhe krenari për mua ta mbaj flamurin tonë kombëtar. Shpresoj që e gjithë skuadra olimpike të sjellë rezultate sa më pozitive dhe sa më shumë medalje”, ka deklaruar atleti Smajlaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fatbardh Latifi do të jetë lojtar i KF Llapit në…