Meta kërkon nga India njohjen e pavarësisë së Kosovës

22 qershor 2018 | 15:32

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka pranuar sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Indisë, Thanglura Darlong, me rezidencë në Bukuresht.

Presidenti Meta ka vlerësuar marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Indisë, si dhe lidhjen e fortë që Nënë Tereza krijoi midis dy vendeve.

Në mënyrë të veçantë, presidenti Meta ka vlerësuar nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe të kontakteve të drejtpërdrejta mes sipërmarrësve dhe qytetarëve të të dy vendeve.

“Gjetja e mekanizmave praktike për lehtësimin e regjimit të vizave dhe lëvizjes së sipërmarrësve dhe qytetarëve të të dy vendeve do të ndihmonte shumë në këtë drejtim”, ka theksuar presidenti Meta.

Ndërsa, duke iu referuar zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, presidenti Meta ka nënvizuar se një rishikim i pozicionit të Indisë ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës do të ishte një kontribut i drejtpërdrejtë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi i shigjetarisë ka përfunduar garën kualifikuese për renditje më…