Ministri Beqaj takoi përfaqësuesit e Bankës Botërore

04 dhjetor 2017 | 15:35

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Bankës Botërore, të prirë nga Gloria La Cava, koordinatore e lartë e programit me bazë në Uashington, me të cilët ka biseduar në lidhje me mundësitë e bashkëpunimit.

Ministri Beqaj, me këtë rast ka shprehur gatishmërinë e tij për bashkëpunim me këtë institucion në fushat si, përkrahja e inovacioneve dhe ndërmarrësve, me fokus tek të rinjtë dhe gratë ndërmarrëse.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore në Kosovë janë shprehur të kënaqur me themelimin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Ata, po ashtu u interesuan në lidhje me fushëveprimtarinë e ministrisë, si dhe prioritetet e saj.

Në këtë kuadër, ministri Beqaj, i ka informuar mysafirët për objektivat e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë sa i përket përkrahjes së inovacioneve dhe ndërmarrësve, përmes fondit për inovacion dhe ndërmarrësi, i cili do të përdoret si mbështetje bazike që do të mundësojë rritjen e kapaciteteve prodhuese të ndërmarrësve privatë, në veçanti atyre që udhëhiqen nga të rinjtë dhe gratë.

Ministri Beqaj më tej ka theksuar se prioritet i kësaj ministrie është edhe themelimi i Qendrave të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, të cilat do të mundësojnë inkubimin e bizneseve, rritjen e kapaciteteve të tyre dhe përgatitjen për konkurrencë efikase me mundësi të eksportit.

“Nga totali i buxhetit të parashikuar për vitin e ardhshëm prej 10 milionë euro, 9.5 milionë do të përdoren për përkrahje të inovacioneve dhe ndërmarrjeve private në tri shtylla kryesore: në edukim përmes bashkëpunimit me institucionet arsimore, infrastrukturën fizike dhe ligjore dhe në ndihma direkte në formë të subvencionimit”, ka thënë Beqaj.
 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka pritur sot…