Ministri Bytyqi: Politika do t’i ketë larg duart nga AKA-ja

19 mars 2018 | 17:18

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka bërë me dije se kjo ministri ka shpallur thirrje publike për nominimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA).

Bytyqi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se politika duke mbajtur duart larg nga zhvillimet e mëtutjeshme të AKA-së, do t’i japin vendit një vlerë të shtuar në rrugëtimin e rritjes arsimore.

Postimi i plotë i Bytyqit:

Të nderuar qytetarë,

Kam nderin sot, t’ju informoj se ne kemi ardhur në një segment të rëndësishëm në rrugëtimin tonë të bërjes së arsimit një vlerë shoqërore, e cila do ti’ shërbejë rritës së përgjithshme të shoqërisë. Pas një goditjeje që kishte marrë arsimi i lartë nëpër vite nga shumë faktorë , ai ishte deformuar edhe përmes punës jo të mirë të ish- Bordit të AKA-së, ne, sot ia kemi dalë, që rekomandimet e dala nga Kuvendi për këtë çështje, t’i materializojmë.

Unë si ministër, kam angazhuar punën e përbashkët të partive edhe opozitare, komisionin për arsim në Kuvendin e Kosovës, shoqërinë civile, akademinë dhe konferencën e rektorëve dhe në kohë rekord kemi përfunduar, me ç’rast kam nënshkruar Udhëzimin administrativ mbi kriteret e emërimit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.

Bazuar në kriteret e Udhëzimin e ri administrativ, është lëshuar ftesa për konkurrimin e kandidatëve, proces ky i cili do mbyllet po në afat rekord, me çka do i hapim rrugë Kuvendit ta miratoj listën e aplikuesve që do përzgjedhim. Veprimi i shpejt dhe i bashkërenditur me gjithë akterët do e bëjë vendin me institucion akreditimi profesional e të besueshëm.

Me bashkërenditjen e të gjithë akterëve dhe kriteret profesionale, e duke mbajtur larg duart e politikës nga zhvillimet e mëtutjeshme të AKA-së, ne do t’i japim vendit një vlerë të shtuar në rrugëtimin tonë të rritjes arsimore. Për këtë, ne sot po vlerësohemi, ashtu sikur edhe po ndihmohemi nga miqtë tanë amerikanë e evropianë dhe kjo e bën rrugën tonë më të lehtë në procesin e integrimeve euroatlantike.

Sapo të mbarojmë këtë proces, e që është thjeshtëzuar për t’u realizuar në punë ditësh, ne do dalim me një projekt angazhues të të gjithë akterëve të shoqërisë dhe do shtrojmë debatin sa profesional, po aq edhe publik: Çfarë arsimi duam? Shoqëria jonë ka nevojë të dijë, çfarë po ndodhë me arsimin e brezave? Çfarë arsimi kemi dhe pse ai është kështu sikur dhe është?

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lewis Hamilton pritet që të fillojë sezonin e ri në…