Ministri Bytyqi takoi udhëheqësit e arsimit në Prizren

01 shkurt 2018 | 18:53

Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka qëndruar të enjten në qytetin e Prizrenit, ku ka zhvilluar disa aktivitete në këtë komunë dhe është takuar me përfaqësues të institucioneve arsimore, mësimdhënës dhe nxënës.

Fillimisht, ministri Bytyqi është pritur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, me të cilin ka biseduar për çështje të ndryshme të arsimit, me theks të veçantë për profilizimin e mësimdhënësve, përgatitjet për testin PISA 2018 si dhe për Maturën Shtetërore.

Ministri, me këtë rast, ka kërkuar mbështetje nga komuna dhe përgjegjësit e arsimit për realizimin me sukses të këtyre proceseve.

Më pas, ministri Bytyqi ka vizituar Gjimnazin “Gjon Buzuku” dhe Qendrën Burimore “Nëna Terezë” në Prizren.

Në të dy këto institucione ministri ka takuar udhëheqësit, mësimdhënës dhe nxënës, me të cilët ka biseduar për të arriturat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen këto institucione.

Ndërsa në takimin me drejtorët komunalë, drejtorët e shkollave dhe mësimdhënës nga rajoni i Prizrenit, ku u diskutua për profilizimin e mësimdhënësve nga klasa 1-5, ministri Bytyqi ka theksuar rëndësinë e kësaj reforme që po synon ta realizojë MAShT-i, me qëllim që të ngrihet cilësia në arsim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se prej orës 18:00, të…