Ministri Hasani premton 3.5 milionë euro investime në Malishevë

08 shkurt 2018 | 16:51

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministri i kësaj ministrie, Faton Thaçi, kanë qëndruar të enjten në Malishevë, ku janë takuar me kryetarin e kësaj komune, Ragip Begaj.

Ministri Hasani ka thënë se duke u bazuar në kërkesën e Komunës së Malishevës, ministria që drejton do ta mbështesë ndërtimin e një zone ekonomike dhe një inkubatori të biznesit në Malishevë, të cilat kapin vlerën rreth 3.5 milionë euro.

“Malisheva nga sot mund të llogaritë në dy projekte të mëdha kapitale që do të mbështetën nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ku njëra është zona ekonomike, e cila do të kushtojë mbi tre milionë euro, e tjetri është inkubatori i bizneseve që do të kushtojë rreth 500 mijë euro. Pra, Malisheva mund të llogaritë në 3.5 milionë euro investime nga MTI-ja”, ka thënë Hasani.

Ai ka bërë me dije se MTI-ja i ka dhënë prioritet ndërtimit të zonave ekonomike, pasi përmes kësaj do të ofrohen edhe investitorët e jashtëm dhe të brendshëm.

Ndërsa kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, ka falënderuar ministrin Hasani për këtë përkrahje.

“Ne si komunë kemi nevojë për ndërtimin e një zone ekonomike dhe një inkubatori për biznese. Kjo ka qenë kërkesë e jona tani e disa vite, por vetëm këtë vit ka arritur ta gjejë përkrahjen e ministrisë dhe, me këtë rast, e falënderoj ministrin Hasani për përkrahjen e dhënë për ndërtimin e kësaj zone ekonomike si dhe zotohem që komuna do t’i kryej të gjitha procedurat e nevojshme për fillimin e realizimit të këtij projekti me rëndësi për Komunën e Malishevës”, ka thënë Begaj.

Pas këtij takimi ministri Hasani, i shoqëruar edhe nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, kanë vizituar edhe ndërmarrjen “Delfina” në Kijevë, e cila merret me prodhimin e mobilieve.

Po ashtu, ministri Hasani është njoftuar edhe me punën dhe problemet që hasin prodhuesit vendorë qoftë për sigurimin e lëndës së parë, por edhe me probleme të natyrave të ndryshme gjatë punës së përditshme dhe plasimit në treg të prodhimeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas rezultateve të fundit dhe mungesës së fitores që nga…