Ministri Hasani takon shesheve qytetarët në Ditën e Konsumatorit

15 mars 2018 | 15:39

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, të enjten ka bashkëbiseduar me qytetarë dhe ka shpërndarë fletushka në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit.

Ministri Hasani i ka njoftuar qytetarët se Projektligji për Mbrojtjen e Konsumatorit ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se ky projektligj është bërë në harmonizim me legjislacionin e BE-së.

“Dua të jap një lajm të mirë për qytetarët e Kosovës se sapo e kaluam Projektligjin për mbrojtjen e konsumatorëve. Ka ekzistuar një ligj i tillë por e kemi bërë një plotësim ndryshim, sepse ka pasur disa defekte gjatë rrugës së implementimit. Këtë projektligj e kemi bërë në përputhje të plotë me legjislacionin e BE-së”, është shprehur ministri Hasani, duke shtuar se ky projektligj mbron të drejtën e konsumatorit dhe është shumë i favorshëm. “Ne jemi duke bërë fushata të vazhdueshme për vetëdijesimin e konsumatorëve”, ka treguar ai.

Ministri Hasani ka thënë se çdo ditë kryejnë inspektime dhe aksione në terren. “Kemi inspektime e aksione, shqiptojmë gjoba, por neve na duhet një informacion shtesë, e këtë mund ta bëjmë vetëm me bashkëpunim me konsumatorët. Kemi pasur një lansim në fund të vitit 2017 kur janë informuar qytetarët me mesazhe, dhe ka pasur ankesa në të cilat ka ndërhyrë inspektorati. Si rezultat i kësaj janë asgjësuar qindra mijëra euro mallra, në të cilat ka pasur ndryshim të çmimeve”, ka thënë Hasani.

Fushata informuese do të vazhdojë edhe ditëve tjera, ku do të përfshihen shtatë qendrat kryesore të Kosovës: Prishtina, Ferizaj, Gjilani, Mitrovica, Peja, Gjakova dhe Prizreni.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi me dy golat e shënuara në ndeshjen ndaj…