Ministrja Hoxha: Zbatimi i MSA-së, i domosdoshëm

19 dhjetor 2017 | 12:40

Sot, u zhvillua aktiviteti për Platformën për monitorim dhe raportim, i organizuar si bashkëpunim i Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), ku mori pjesë ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, James Macbeth Forbes, drejtor i GIZ-it për Kosovën, ambasadori gjerman Heldt e personalitete të shquara vendore e ndërkombëtare.

Në fjalën përshëndetëse, ministrja Hoxha ka theksuar se me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Kosova ka hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve me BE-në, atë të marrëdhënieve kontraktuale.

“MSA-ja përcakton mekanizmat dhe afatet zyrtare për zbatimin e të gjitha reformave që do ta përafrojnë Kosovën në mënyrë progresive me BE-në në të gjitha fushat e politikave, deri në anëtarësimin e plotë. Zbatimi i MSA-së tashmë ka filluar të sjellë reforma të thella, ndonëse të ndjeshme, politike e ekonomike”, është shprehur ministrja Hoxha, duke shtuar se MSA-ja jo vetëm që pasqyron vullnetin politik të të dyja palëve për jetësimin e perspektivës sonë evropiane, përbën platformën për transformime afatgjata por edhe si test i gatishmërisë së kapaciteteve institucionale për t’i realizuar këto qëllime politike.

Ministrja Hoxha ka thënë se Kosova ka avancuar në kornizën e politikave për integrim evropian, duke e bërë atë më dinamike, më ambicioze, më gjithëpërfshirëse dhe më të integruar, përmes Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.

“Ministria e Integrimit Evropian, si institucion kryesor koordinues, së bashku më institucionet e linjës, ka hartuar Programin për herë të parë në fillim të vitit të kaluar. Programi për Zbatimin e MSA-së përbën dokumentin kryesor strategjik nacional për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e zbatimit të të gjitha reformave të nevojshme për zbatimin e MSA-së dhe në fazat pasuese të aderimit në BE”, ka thënë Hoxha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori gjerman Bastian Schweinsteiger do të jetë lojtar i lirë…