Ministrja Reshitaj në Uashington takon drejtuesit e MCC-së

23 mars 2018 | 16:01

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Albena Reshitaj, është duke vazhduar takimet me drejtues dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme amerikane në Uashington.

Ajo është pritur nga drejtuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), kryesuar nga drejtori, Jonathan Nash.

Temë kryesore e diskutimit në këtë takim ishte definimi i projektit për matjen dhe publikimin e të dhënave të cilësisë së ajrit në Kosovë.

Ministrja Reshitaj është shprehur e kënaqur që një pjesë e programit të MCC-së është mbështetja për qeverisje transparente dhe llogaridhënëse.

Sipas saj, kjo mund të arrihet duke nxitur qasjen e bazuar në të dhëna, pasi informacioni i saktë dhe në kohë është thelbësor për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në fushat mjedisore që ndikojnë në realitetin dhe perceptimin e shoqërisë civile.

“Është shumë e rëndësishme, mbështetja që ju do t’i jepni institucionit tonë për të monitoruar dhe raportuar në mënyrë efektive treguesit e përzgjedhur mjedisorë. Ky aktivitet do të forcojë aftësinë e shoqërisë civile për të interpretuar të dhënat dhe për t’u angazhuar në mënyrë produktive në këto çështje”, ka deklaruar ministrja Reshitaj.

Ndërsa udhëheqësit e MCC-së kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për Kosovën, duke theksuar se bashkëpunimi me MMPH-në, në veçanti me Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit është shumë i rëndësishëm në arritjen e progresit në fushën e mjedisit.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Grafenworth të Gjermanisë është mbajtur gara ndërkombëtare “Ekspert i…