Mungesa e bordit mund ta falimentojë Trepçën

13 Dhjetor 14:42

Qeveria e Kosovës ende nuk ka përfunduar procedurat për zgjedhjen e bordit mbikëqyrës të kompleksit metalurgjik Trepça, që do të mundësonte zbatimin e Ligjit për Trepçën i cili ka hyrë në fuqi një vit më parë.

Bordi mbikëqyrës i Trepçës , sipas këtij ligji ishte dashur të themelohet brenda gjashtë muajve nga miratimi në Kuvendin e Kosovës, por që, siç thonë përfaqësues të këtij kombinati, kjo çështje është neglizhuar nga institucionet.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në tetor të këtij viti kishte kërkuar nga ministritë kompetente që të përfshihen në veprime të shpejta dhe konkrete rreth zbatimit të Ligjit për Trepçën. Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka theksuar për “Radion Evropa e Lirë” se pret që procedurat rreth zgjedhjes së bordit mbikëqyrës të Trepçës të përmbyllen brenda një muaji.

“Qysh në fillim të mandatit të Qeverisë Haradinaj, një prej problemeve kyçe që ka kërkuar zgjidhje të shpejtë ka qenë edhe funksionalizimi i Trepçës në bazë të ligjit të miratuar. Qeveria ka shpallur konkursin për formimin e bordit të Trepçës. Afati për konkurrim është mbyllur dhe tani është formuar komisioni për vlerësimin e kandidatëve që pastaj të procedohet më tutje. Pa u zgjedhur bordi i ri nuk mund të fillojnë procedurat për t’u regjistruar Trepça si ndërmarrje publike në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI). Të gjitha procedurat, si vlerësimi i kandidatëve dhe deri të votimi në Kuvend, mund të marrin kohë prej tani një muaj”, ka deklaruar Shatri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Mesfushori Diar Miftaraj e ka thyer dorën të martën në…