Ndahen certifikatat e aftësimit profesional për 35 gra dhe vajza të Drenasit

17 korrik 2018 | 14:46

Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) në bashkëpunim me Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas ka ndarë certifikatat e kualifikimit për rrobaqepësi për 35 gra dhe vajza.

Kursi katërmujor për rrobaqepësi është mbështetur me fonde të Ambasadës australiane me seli në Vjenë.

Drejtoresha ekzekutive e FIQ-it, Dajana Berisha, në ceremoninë e ndarjes së certifikatave ka theksuar se aftësimi i grave në profesione të ndryshme jo vetëm që mundëson krijimin e të ardhurave për gratë dhe vajzat që nuk kanë pasur mundësi arsimimi dhe punësimi, por ndihmon edhe në socializmin e tyre.

“Të mbijetuarat e luftës nuk kanë nevojë për lëmoshë, por që të përkrahen në aftësimin e tyre në një profesion të caktuar dhe të socializohen nëpërmjet shkëmbimit të përvojave, mendimeve dhe pavarësisë ekonomike”, ka thënë ajo.

Berisha ka deklaruar se FIQ do të vazhdojë të përkrah gratë dhe vajzat sidomos në zonat rurale. Ndërsa drejtoresha e QPDG-së, Kadire Tahiraj, ka thënë se gratë dhe vajzat e komunës së Drenasit janë aftësuar për katër muaj për prerje, qepje dhe dizajnim.

Tahiraj ka kërkuar që të organizohen dhe kurse të tjera për krijimin e shkathtësive të grave dhe vajzave në profesione që i kërkon tregu. “Janë 35 gra dhe vajza që kanë ndjekur kursin, por ka pasur edhe shumë kërkesa tjera që të përfshihen në kurs të rrobaqepësisë”, është shprehur Tahiraj.

Në këtë ceremoni të ndarjes së certifikatave janë prezantuar dhe punimet e grave.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Motra e saj Kimi është më e famshmja nëpër rrjetet…