Ndërmarrjet publike janë të mbipopulluara me punëtorë

19 mars 2018 | 10:19

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka bërë me dije se ndërmarrjet publike janë të mbipopulluara me punëtorë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se në ndërmarrjet publike ka keqmenaxhim.

Ministri Lluka ka treguar se pasi ka ardhur në krye të kësaj ministrie ka ndalur marrjen e bonuseve dhe të shpenzimeve të paarsyeshme në ndërmarrjet publike.

“Që nga dita e parë si shtet në ndërmarrjet publike ka pasur keqmenaxhim, andaj jemi në një situatë kur 11 nga 16 ndërmarrje shtetërore operojnë me humbje dhe duhet të subvencionohen nga buxheti i shtetit”, është shprehur Lluka.

Ai në këtë intervistë ka përmendur humbjet në Telekomin e Kosovës që, sipas tij, janë të paarsyeshme.

Por, ministri ka bërë me dije se për këtë ndërmarrje janë parashikuar masa, zbatimi i të cilave do të fillojë pasi bordi i ri të jetë funksional në muajin prill.

“Shpresoj se Bordi i Telekomit do të zgjedhet në muajin prill dhe pres nga ai bord profesionalizëm dhe rregullim të shpenzimeve operative”, ka thënë ai.

Duke folur për mungesën e Bordit të “Trepçës”, ministri Lluka ka thënë se pret që të krijohet edhe ky bord paralelisht me atë të Telekomit kah mesi i muajit prill.

Ai ka treguar se Ligji për Efiçiencë të Energjisë është draftuar nga ekspertë të Komisionit Evropian dhe çdo gjë është bërë në përputhje me kërkesat e BE-së.

Ky ligji, sipas ministrit Lluka, do të shkojë në Qeveri brenda dhjetë ditëve.
Ministri Lluka ka mohuar lajmet në medie se Lista Serbe t’i ketë vënë kushte në këmbim të votës së deputetëve serbë pro demarkacionit më tepër hise në Bordin e ndërmarrjes “Trepça”.

“Kur është fjala për demarkacionin me Malin e Zi është e rëndësishme të kemi aprovim sa më të gjerë të kësaj marrëveshje, duke përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje. Sa më shumë që ne ia kërkojmë votën Listës Serbe i japim hapësirë të kërkojë më shumë në projekte të tjera. Unë nuk do të thosha se është e përfshirë ‘Trepça’ në marrëveshje me demarkacionin”, ka thënë Lluka.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rrugët “Fehmi Agani” dhe “Hajdar Dushi” të Prishtinës do të…