Ndërmjetësit e Kosovës, pa mbështetje institucionale

19 janar 2018 | 13:31

Shkruan: Ali Dragusha

Ndërmjetësimi si një veprimtari për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në procedurë jashtëgjyqësore, në kuadër të profesioneve të lira, është instaluar në Kosovë kryesisht me ndihmën e faktorit ndërkombëtar që nga viti 2008. Kështu në këtë vit filluan hapat e para me fuqizimin e Ligjit për Ndërmjetësim Nr. 03/L-057, e që më pas rezultoi me aprovimin edhe të shumë akteve të tjera nënligjore.

Mbi këtë bazë u rekrutuan dhe më pas u licencuan shumë ndërmjetës në Kosovë përmes Komisionit për Ndërmjetësim që u zgjodh mbi bazën e këtij ligji.

Më pas ndërmjetësit filluan me entuziazëm zgjidhjen e kontesteve dhe mosmarrëveshjeve të natyrave të ndryshme. Me një fjalë shihej një institucion mjaft premtues i cili do ta ndihmonte dukshëm procesin e gjyqësorit në Kosovë, për faktin se filluan të adresoheshin kontestet sipas kompetencës dhe me pajtimin e palëve dhe kështu po fillonte të bëhej një “zbrazje” pak a shumë e gjykatave të stërngarkuara me lëndë të pazgjidhura me vite.

Mirëpo, fatkeqësisht, veçanërisht në vitet e fundit dhe aktualisht, ky institucion ka ngecje të dukshme, për faktin se përballet me mungesë organizimi dhe kushte veprimi.

Së pari, Komisioni i Ndërmjetësimit, si organ kompetent, i zgjedhur mbi baza ligjore, për përcaktimin e politikave zhvillimore të ndërmjetësimit, gjithashtu si mbikëqyrës i zbatimit të rregullave, kompetent për informimin e publikut etj., veçanërisht këto vitet e fundit nuk ishte në krye të detyrave dhe funksionit për çka ishte zgjedhur.

Që nga themelimi e deri më tani, Komisioni nuk ishte në gjendje që në përbërjen e vet t’i thërrasë dhe t’i takojë ndërmjetësit për të biseduar me ta për progresin e arritur, propozimet, kërkesat, apo vështirësitë me të cilat ballafaqohen ndërmjetësit.
Së dyti, mosgatishmëria për strukturimin e këtij institucioni nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, siç janë Oda e Avokatëve të Kosovës, Noteria e Kosovës, etj., të cilat janë konsoliduar dhe strukturuara me të gjitha organet e veta deri te kryetari.

Për mungesë vullneti të organeve kompetente, për progres dhe rezultate në ndërmjetësim, më së miri e ilustron fakti edhe i pagesave edhe ashtu tepër simbolike për rastet kontestuese. Mospagesat dhe vonesa në pagesa nga ana e organeve kompetente vazhdon të jetë njëra prej pikave të dobëta të këtij institucioni. Thënë të vërtetën muajt e fundit Këshilli Prokurorial është treguar më i konsoliduar dhe i efektshëm në pagesa, përderisa Këshilli Gjyqësor, i cili çuditërisht ka shumë muaj që nuk ua paguan ndërmjetësve shumën obligative financiare pa dhënë asnjëherë arsyetimin për këtë.

Është anakronike të mendojmë në efikasitetin e gjyqësorit në Kosovë kur ky organ nuk i përmbush obligimet e veta, pra nuk i kompenson ndërmjetësit të cilët pikërisht veprojnë dhe ndihmojnë gjyqësorin. Është për çudi dhe keqardhje!

Kështu mungesa e një strukturimi po shkakton edhe ngecje të tjera formale-procedurale. Edhe pse që nga themelimi i këtij institucioni ekziston edhe shërbimi për ndërmjetësim, me disa kushte modeste pune, Komisioni i Ndërmjetësimit në kuadër të kompetencave dhe obligimeve ligjore që ka pasur, nuk i ka informuar ndërmjetësit dhe opinionin, me raporte pune i përcjell me një pasqyrë me të dhëna statistikore individuale dhe kolegjiale të realizimeve apo mosrealizimeve të rasteve, së paku vjetore (të mos flasim për raporte mujore) në mënyrë që t’i shqyrtojmë ngecjet dhe përparimet ne si ndërmjetës.

Së treti, funksionalizimi i mirëfilltë dhe krijimi i kushteve për punë për ndërmjetësit mendoj se do të thoshte shumë. Po ajo çka është më e rëndësishmja që dua ta potencoj këtu, palët kontestuese përfitojnë shumë përmes kësaj procedure: afati kohor për zgjedhjen e kontesteve nuk zgjat me vite, por është 90 ditë deri në lidhjen e marrëveshjes; kostoja e shërbimeve procedurale është më pak apo aspak e kushtueshme në aspektin financiar për palët kontestuese; pala (kryesi i pretenduar i veprës penale) nuk do të futej në evidencën e kryerësve të veprave penale, apo thënë ndryshe kështu bëhej në njëfarë mënyre thënë kushtimisht “shlyerja e gjurmëve të veprës”, që është tepër me rëndësi për palën; marrëveshja si e tillë është më e qëndrueshme për faktin se është shprehje e vullnetit dhe pajtim i të dy palëve në kontest, përderisa me vendim gjyqësor vullneti i palëve është i njëanshëm.

Së fundi, meqë Ministria e Drejtësisë është treguar neglizhente dhe gati e papërfillshme në raport me ndërmjetësit, është tepër emergjente që nga vetë ndërmjetësit të ndërmerret diçka nëse vërtet dëshirojmë të ecim para me ndërmjetësimin. Në të kundërtën, unë nuk shoh një perspektivë në drejtim të zgjidhjeve të kontesteve në procedurën jashtëgjyqësore, përmes këtij mekanizmi respektiv.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një punë të shkëlqyeshme më në fund arrihet suksesi…