Në Ditën Botërore të Teatrit, ministri Gashi ndan çmimet për teatër

27 mars 2018 | 15:25

Në kabinetin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është mbajtur të martën ceremonia e ndarjes së çmimit vjetor për ‘Vepër Jetësore’ dhe çmimeve tjera për teatër.

Çmimi për ‘Vepër Jetësore’ sivjet në bazë të vlerësimit të jurisë profesionale i është ndarë aktores Myrvete Kurtishi, me motivacionin një jetë kushtuar teatrit, me dhjetëra role të shkëlqyeshme në Teatrin e Gjakovës dhe në teatro të tjera që bëjnë aktoren bartëse të denjë të çmimit për vepër jetësore.

Çmimi ka edhe shpërblim financiar në bazë të rregullores për ndarjen e çmimeve për teatër në vlerë prej 5000 euro.

“Ndoshta kisha dalë para një mijë personash për ta dhënë shfaqjen, pa mu dridhur duart dhe goja por kjo është sakrifica ime për dyzetë vite”, ka thënë laureatja Myrvete Kurtishi, e cila ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët që e kanë përkrahur gjatë gjithë karrierës së saj për katër dekada. “Falënderoj edhe publikun tim i cili më ka rritur, më ka krijuar, më ka frymëzuar dhe më ka sjell deri në këtë moment që t’i fitoi këto”, është shprehur aktorja Kurtishi.

Çmimi për shfaqjen më të mirë iu nda Teatrit të Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” për shfaqjen “Armiku i Popullit”, shfaqje me regji të Fatos Berishës. Ndërkaq, çmimin për regjisorin më të mirë iu nda Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Ata që ikin”.

Të dy çmimet shpërblehen me vlerë monetare me nga 2500 euro.

Juria ka arsyetuar se shfaqja “Armiku i popullit” e Teatrit të Prizrenit ka marrë gjithsej nëntë çmime në festivale të ndryshme dhe në një konkurrencë e juri ndërkombëtare.

Ndërsa, regjisorit Bekteshi çmimi i është ndarë me arsyetimin se ka dëshmuar talent të padiskutueshëm në fushën e regjisë së teatrit.

Juria e cila ka qenë në përbërje të Luan Dakës, Liridon Cahanit, Vlora Nikçit, Mirsad Feratit dhe Nentor Fetiut, ka vlerësuar se çmimi për aktorin më të mirë dhe çmimi për prezantimin më të mirë ndërkombëtar të mos ndahen fare.

Ministri Kujtim Gashi, ndarjen e këtyre çmimeve e ka vlerësuar si një lloj respekti dhe mirënjohjeje nga ana e institucioneve për angazhimin dhe punën kreative të artistëve.

“Me rastin e Ditës Botërore të Teatrit, në nderim dhe vlerësim të punës dhe krijimtarisë tuaj të shkëlqyer si artistë kemi vendosur t’i ndajmë këto çmime. Dua t’i uroj edhe Jurinë Profesionale për punën e shkëlqyer që ka bërë ajo. Jam i bindur që vendimi i tyre ka qenë profesional dhe neve si ministri na mbetet të vlerësojmë punën e juaj gjatë vitit 2017, dhe të inkurajojmë artistët që viti 2018 të jetë vit i angazhimit me punën e juaj”, ka thënë ndër të tjera ministri Gashi, duke shtuar se do të jenë mbështetës të gjithë aktorëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari në Malishevë ka njoftuar se…