>

NË SHENJË KUJTIMI PËR SHKËLZEN RAÇËN

20 shkurt 19:24

Shkruan: Prof. asoc. dr. Fahredin Shabani

Katër vjet pa studiuesin e madh të historisë kombëtare, prof. dr. Shkëlzen Raça, të cilit rrallëkush mund t’i përngjas

Prof. dr. Shkëlzen Raça njihet si studiuesi më i pasionuar në historiografinë tonë për marrëdhëniet shqiptaro-greke. Ky historian, përpos “Allfavitarit shqip” (1872) të Konstadin Kristoforidhit dhe të “Apologjisë” të Jani Vretos, do ta sjellë edhe “Ëvetarin” të Naum Panajot Haxhi Lazër Bredhit. “Evetari” i vitit 1845 i Naum Veqilharxhit ishte gjetur aty ku gjenden librat e rrallë shqip, në Athinë.

Historia jonë kombëtare është e pasur me figura meritore e të dinjitetshme me kontribut të çmuar e me peshë të përmasave kombëtare në fushën e hisorigrafisë. Një vend të rëndësishëm në panteonin e historiografisë së marrëdhënieve shqiptaro-greke zë edhe prof. dr. Shkëlzen Raça, i cili mund të klasifikohet si intelektual i devotshëm e si një atdhetar deri në vdekje erudit i përmasave përtej shqiptare. Mund të krahasohet me shumë intelektualë të shekullit XIX e tutje, për nivelin intelektual, por edhe për vizionin që kishte për të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan. Ai vazhdoi denjësisht rrugën e rilindësve, si Hoxhë Hasan Tahsini, Hasan Prishtina, Mit’hat Frashëri, Faik Konica, Aleks Buda etj. Jeta intelektuale e patriotike e prof. Sh. Raça është me plot refleksione të jetës së një veprimtari të guximshëm për liri të hulumtimit shkencor, ndriçim të së kaluarës sonë. Ky personalitet i takon plejadës së historianëve, që kishin frymën e rilindësve tanë.

Ky personalitet do të jetë katalizator i një perceptimi të ri, i ideuar nga pararendësit e tij, që nga Rilindja Kombëtare. Duke rrumbullakuar kohën dhe jetën e dr. Raçës, mund të vijmë në përfundim se ai në aspektin profesional ishte tejet i përgatitur. Mirëpo pjesa më qenësore e tij ishte niveli prej një atdhetari, që për kohën së cilës i përkiste, i kalonte suazat e nivelit të Kosovës. Pra, për t’u shprehur në trajtën më përmbledhëse, kemi të bëjmë me një figurë shumëpërmasore, që i shpërtheu tabutë si në aspektin e historiografisë, po ashtu edhe për formatin intelektual.

Ta trajtosh figurën e Sh. Raçës hetohet se është e mbrujtur nga faktet, argumentet dhe arkiva të shumta, ngaqë ky autor i çmuar i historiografisë sonë është mbështetur në dokumentacionin e pabotuar burimor, që ruhet në arkivat e Greqisë, Kosovës, AQSh, informata me shkrim dhe me gojë, shënime memoriale, kujtime, deklarata të pjesëmarrësve të ngjarjeve, shënime stenografike, literaturë e botuar historike shtypi i kohës etj. Pra, kemi të bëjmë me një profesionalitet të historianit bashkëkohor që ka arritur pikëpjekjen shkencore me atë historike, duke iu përmbajtur kriterit profesional, dhe duke i dhënë lexuesit trajtesa e një vepra të rëndësishme historike, por edhe shfaqje të mjeshtërisë së shtjellimit të kontekstit të ngjarjeve të hapësirave greke dhe raporteve me shqiptarët.

 

Pak biografi për prof. dr. Shkëlzen Raçën

 

Prof. dr. Shkëlzen Raça, historian i mirënjohur, kur i duhej më së shumti Institutit Albanologjik dhe historiografisë shqiptare, u nda nga familja e dashur, nga shokët dhe nga fjala e tij e pathënë deri në fund në udhën e shkencës, sepse pas një sëmundje të rëndë, para katër vjetësh, më 25 shkurt 2014, pushoi së rrahuri zemra e tij e madhe. Derisa jetoi, prof. Shkëlzeni shquhej për mirësinë, ndershmërinë, korrektesën, mirësjelljen dhe fisnikërinë e tij. Ndaj edhe pse ishte i tillë, vdekja e tij na e mori para kohe. Vdekja e tij, jo vetëm familjarët, por edhe kolegët dhe miqtë e tij, i bëri që ta ndiejnë thellë humbjen e tij.

Rrjedh nga një familje e emancipuar dhe e arsimuar e kohës. Shkëlzen Raça lindi në Skenderaj më 1 janar 1952. Në Prizren mori mësimet e para (deri në klasën e gjashtë, pjesën tjetër të fillores, shkollën e mesme dhe fakultetin në Prishtinë. Me mbarimin e studimeve në Universitetin e Kosovës (Prishtinës), në Degën e Historisë, ai punoi si mësimdhënës i historisë në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë. Krahas punës edukativo-arsimore kreu edhe studimet postdiplomike në Fakultetin Filozofik të UP-së, ku më 1977 mbrojti tezën e magjistraturës, të titulluar “Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe Revolucioni Xhonturk”, ndërsa më 1987 mbrojti edhe temën e doktoraturës me punimin e tij “Marrëdhëniet shqiptaro-greke 1829-1881”. Që nga viti 1977 ai punoi në Institutin Albanologjik në Prishtinë si bashkëpunëtor i lartë shkencor në Degën e Historisë.

Krijimtaria e Shkëlzen Raçës është e gjerë, por pjesa më e madhe e kontributit shkencor është në marrëdhëniet e shqiptarëve me kombet e tjera, veçmas me grekët. Vepra e parë është “Marrëdhëniet shqiptaro-greke 1829-1881”, e botuar më 1990. Kjo vepër u botua në 4 000 kopje, pra me një tirazh rekord. Vepra e dytë e botuar më 2004 është “Shtegtimet dhe ngulimet e shqiptarëve në Greqi shek. XIII-XVI”, ku në mënyrë të dokumentuar dhe bindëse paraqiti shtrirjen e shqiptarëve në një hapësirë të madhe të Greqisë, ku godet tezën mashtruese sllave e greke për, kinse, ekspansionin e shqiptarëve në Ballkan. Vepra e tretë dhe e fundit është “Gjurmime në historinë shqiptare”, përmbledhje e shumë kontributeve studimore, publicistike-historike, pikëpamjeve dhe vlerësimeve të tij. Një prej arritjeve më të mëdha të prof. Xenit ishte zbulimi i “Evëtarit” të dytë të Naum Veqilharxhit të cilën Xeni me modesti rrallëherë e përmendte. Më shumë për këtë zbulim të Xenit shkruante prof. dr. Myslim Islami, i cili thekson se “historiani i ri i Institutit Albanologjik, Shkëlzen Raça, përpos ‘Allfavitarit shqip’ (1872) të Konstadin Kristoforidhit dhe të ‘Apologjisë’ të Jani Vretos, do t’ma sjellë edhe ‘Ëvetarin’ të Naum Panajot Haxhi Lazër Bredhit. ‘Evetari’ 1845 i Naum Veqilharxhit ishte gjetur aty ku kam menduar dhe mendoj se gjenden librat e rrallë shqip, në Athinë”, shkruante Myslim Islami.

Jeta e tij ishte e veçantë në thjeshtësinë e saj. Nëse ajo do të mund të shprehej grafikisht ishte veçse një vijë e drejtë. Por, më e veçanta ishte se ai la përshtypje e mbresa të thella dhe kujtime të pashlyeshme tek të gjithë ata që e njihnin. Dhe kjo ishte veçse ndikimi i asaj jete të thjeshtë, e një njeriu të thjeshtë, por vërtet madhështor në atë thjeshtësi, në formimin e tij tërësor. Shkëlzen Raça ishte i sinqertë dhe i dashur, ishte i ditur dhe i kulturuar si një studiues, ngulmues, miqësor, i drejtë dhe i ndershëm si ai. Përvoja në jetë e në punë ia kishin krijuar edhe tiparet modeste. Mbi të gjitha ai ishte i fortë në karakter dhe në vullnet. Rrallëkush mund t’i përngjasë një personazhi si miku im i paharruar.

Dr. Shkëlzen Raça, me opusin e tij shkencor, mbetet një nga historianët shqiptarë të brezit të mesëm më të arrirë. Ai pa asnjë mëdyshje bartë me vete meritën e madhe të ndriçimit të pjesës më komplekse të historisë sonë të periudhës së Rilindjes, atë të marrëdhënieve tona me fqinjin jugor Greqinë. Vepra e tij do të mbetet një uverturë për studimet e reja në këtë fushë.

Ndërsa dr. Shkëlzen Raça me veprën e tij jetësore do të mbetet miku dhe kolegu i paharruar dhe shumë mbresëlënës për secilin që e njohu. Modestia, çiltërsia, erudicioni, por edhe këmbëngulësia e bëjnë atë personalitet shumë të kompletuar me të cilin mburret sot jo vetëm familja, por të gjithë ne miqtë dhe kolegët e tij. Me veprën e tij njerëzore dhe krijuese pa dyshim se ai e ka të rezervuar vendin në mesin e figurave më meritore të shtetit dhe kombit të tij.

Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe respekti për veprën e tij!

Gjashtëdhjetë e dy vjet të jetës së tij janë të përshkuara me të veçantën e tij, thjeshtësinë. Nëse ajo do të mund të shprehej grafikisht ishte veçse një vijë e drejtë dhe një qëndrim vertikal. Por, më e veçanta e tij është përshtypja e mbresa e thellë dhe kujtimet e pashlyeshme që i la, tek të gjithë ata që e njihnin. Dhe ky ishte veçse ndikimi i asaj jete të thjeshtë, e një njeriu të thjeshtë, por vërtet madhështor në atë thjeshtësi, në formimin e tij tërësor. Shkëlzen Raça ishte i sinqertë dhe i dashur, ishte i ditur dhe i kulturuar si një studiues, ngulmues, miqësor, i drejtë dhe i ndershëm si ai. Përvoja në jetë e në punë i kishin krijuar edhe tipare modeste. Mbi të gjitha, ai ishte i fortë në karakter dhe në vullnet. Rrallëkush mund t’i përngjasë një personazhi sa miku im i paharruar. Profesori Raça ishte i pajisur me njohuri universale e shkencore, por e veçanta e tij ishin marrëdhëniet greko-shqiptare. I tillë mbeti ai në kujtesën e kolegëve e të kujtdo që e njohu figurën e veprën e tij, porositë e së cilës zgjojnë tek brezat ndjenjën e frymëzimit.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
  Është ende herët të thuhet nëse nxënësi mund ta…