Nënshkruhet marrëveshja për sigurime sociale mes Kosovës dhe Zvicrës

08 qershor 2018 | 11:18

Në një ceremoni rasti në Prishtinë, sot u nënshkrua marrëveshja për sigurime sociale në mes të Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, e cila i hap rrugë realizimit të së drejtave të qytetarët të të dyja shteteve, në fushën e sigurimeve sociale.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ndërkaq në emër të Qeverisë Zvicerane ajo u nënshkrua nga ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet.

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se kjo marrëveshje është e rëndësisë së veçantë sepse në mënyrë direkte prek qytetarët e Republikës së Kosovës dhe qytetarët zviceranë, të cilët do të realizojnë të drejtat e tyre siç janë, e drejta në pension të moshës, pension familjar dhe pension invalidor të punës.

“Qytetarëve të Kosovës po iu kthehet një e drejtë të cilën nuk e kanë gëzuar shumë vite që nga ndërprerja e marrëveshjes e cila ka qenë e lidhur në mes të ish Jugosllavisë dhe Zvicrës. Po iu kthehet e drejta për të shfrytëzuar të mirat për të cilat me vite qytetarët kanë kontribuar dhe kanë derdhur djersën e tyre”, ka thënë ministri Reçica.

Reçica ka pohuar se ndërprerja e marrëveshjes për sigurime sociale e lidhur në mes Konfederatës së Zvicrës dhe ish-Jugosllavisë e vitit 1962, ka krijuar një zbrazëti ligjore në fushën e sigurimeve sociale në mes dy vendeve. Si rrjedhojë, qytetarët e dy vendeve, që nga viti 2010, në mungesë të kësaj marrëveshje, nuk kanë mundur që të realizojnë të drejtat e tyre në fushën e sigurimeve sociale në vendet e origjinës.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme, po i hapet rrugë realizimit të këtyre të drejtave dhe në këtë rast falënderojë Qeverinë e Zvicrës dhe urojë gjithë qytetarët e Kosovës për këtë arritje të madhe për ta”, ka thënë ministri Reçica.

Ambasadori zviceran në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes është hap i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe të vendeve tona duke shënuar fundin e tri viteve të negociatave, ku në këtë rast ka falënderuar ministrin Reçica dhe ekipin e negociatave për bashkëpunimin e shkëlqyer.

“Një nga qëllimet kryesore të marrëveshjes është që të sigurohet që qytetarët kosovarë që kanë punuar për vite në Zvicër dhe u kthyen në vendin e tyre pas daljes në pension, mund të marrin përsëri pensionet e tyre zvicerane në baza mujore duke jetuar këtu në Kosovë, gjithashtu, marrëveshja synon të forcojë bashkëpunimin midis vendeve tona në luftën kundër abuzimit të mundshëm të sigurimeve shoqërore”, ka thënë ambasadori Lebet.

Marrëveshja për sigurime sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës hyn në fuqi pas ratifikimit nga parlamentet e të dyja shteteve.

Paraprakisht, Republika e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen e parë ndërkombëtare për Sigurime Sociale me Mbretërinë e Belgjikës në shkurt të këtij viti, e cila është nënshkruar nga ministri Reçica dhe ministrja belge e Punëve Sociale dhe Shëndetit Publik, Maggie De Block, në një ceremoni rasti në Bruksel.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz, të enjten e…