Nitaj: LDK-ja ka humbur në Istog, AAK-ja sërish do të fitojë

03 dhjetor 2017 | 23:12

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka bërë me dije se koalicioni qeverisës është në ditët më të mira.

Ai ka thënë se deri më tani gjithë partnerët kanë treguar përkushtim të madh për punë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Nitaj ka theksuar se koalicioni qeverisës po tregon vendosmëri që të mos shikohen interesat partiake, por ato kombëtare. “Koalicioni është në ditët më të mira të tij. Ka një përkushtim të të gjithë partnerëve që të bëhet punë. Besoj se ka edhe një vendosmëri që të mos shihen interesat partiake, por para tyre të shihet qeverisja si interes mbipartiak”, ka thënë Nitaj.

Ai ka mohuar se çështja e demarkacionit me Malin e Zi mund ta lëkundë koalicionin qeverisës. Nitaj ka deklaruar se kësaj çështje do t’i jep përgjigje Kuvendit i Kosovës, kur të vije koha. “Demarkacioni do të kalojë edhe në qeveri, edhe në parlament. Ky i fundit e ka në përgjegjësinë e vet që t’i japë përgjigje kësaj çështjeje. Problemi me demarkacionin ka qenë se Kuvendi nuk e ka pasur rastin as të diskutojë para se të nënshkruhej marrëveshja e më pas nuk e ka pasur mundësinë ta japë votën për ose kundër”, ka thënë ai.

Në këtë intervistë, Nitaj ka folur edhe për vendimin e Gjykatës Supreme që Komuna e Istogut të shkojë në rivotim. Ai ka thënë se AAK-ja e respekton këtë vendim por, sipas tij, nuk ka pasur arsye të ndodhë kjo. “Ne jemi parti serioze dhe sigurisht se respektojmë vendimet e institucioneve gjyqësore çfarëdo qofshin ato por, sipas nesh, nuk ka pasur arsye që Komuna e Istogut të shkojë në rivotim. Kam përshtypjen se ankesat e LDK-së për balotazhin janë reagim i humbësit. Mendoj se asgjë nuk ka ndodhur në Istog. Një standard i pranuar në raundin e parë, tash po kontestohet në raundin e dytë”, është shprehur Nitaj.

“Epoka e re”: Z. Nitaj, Gjykata Supreme ka vendosur që Komuna e Istogut të shkojë në rivotim. Cili është qëndrim i AAK-së rreth këtij vendimi?
Nitaj: Ne jemi parti serioze dhe sigurisht se respektojmë vendimet e institucioneve gjyqësore çfarëdo qofshin ato por, sipas nesh, nuk ka pasur arsye që Komuna e Istogut të shkojë në rivotim. Kam përshtypjen se ankesat e LDK-së për balotazhin janë reagime të humbësit. Mendoj se asgjë nuk ka ndodhur në Istog. Një standard i pranuar në raundin e parë, tash po kontestohet në raundin e dytë. Në raundin e parë, me të njëjtën formulë, shumicën e votave me kusht dhe me postë i ka marrë kandidati i LDK-së, Haki Rugova. Në raundin e dytë ka ndryshuar vetëm rezultati dhe shumicën e votave e ka fituar kandidati i AAK-së, Gani Dreshaj. Duket se Dreshaj ka kuptuar dredhinë e Haki Rugovës dhe nuk ia ka lënë rastit raundin e dytë. Ka mundësi që votuesit ta kenë kuptuar se Dreshaj kishte më shumë gjasa të fitonte në raundin e dytë dhe nuk përjashtohet që janë përcaktuar për të. Krejt ajo që ka ndodhur në Istog është ‘dezha vu’, dhe kur i pranon rregullat e lojës, nuk ka më “ping loja”! Vetëm fëmijët kur humbin lojën, thonë t’ia nisim lojës prej fillimit. Unë besoj se Gani Dreshaj do të jetë fitues përsëri në këtë garë.

“Epoka e re”: Po ashtu, PDK-ja ka bërë ankesë në PZAP edhe për Komunën e Rahovecit dhe atë të Klinës, duke kontestuar fitoren e kandidatëve të AAK-së në këto dy komuna. Cili është vendimi që pritni nga PZAP-i?
Nitaj: Fitorja e Smajl Latifit është e ngushtë, por është e pastër, pa asnjë dyshim. Ka pasur një ankesë në Rahovec për rinumërim në një vendvotim dhe, pas rinumërimit, rezultati ka dalë qind për qind i njëjtë. Unë e kuptoj merakun e atyre që nuk kanë fituar, por edhe humbja është pjesë e garës. Mendoj se PZAP-i duhet të këtë qasje profesionale dhe të paanshme dhe t’i mbyllë proceset në mbështetje me provat që ka. Gjithmonë dikush do të jetë i pakënaqur, por ne nuk e kemi komoditetin të shkojmë në pafundësi me ankesa. Demokracia nënkupton që të njihet rezultati. E njëjta situatë është edhe në Klinë. AAK-ja nuk e ka pasur pushtetin as në Rahovec e as në Klinë, madje as në Istog. Por, i ka fituar. Tani është pak e besueshme që AAK-ja të ketë pasur çfarëdo instrumenti e mekanizmi për manipulim të zgjedhjeve. Kemi humbur në Pejë dhe e kemi pranuar rezultatin menjëherë. Në fakt, kudo që kemi humbur i kemi pranuar rezultatet.

“Epoka e re”: Zyrtarët e lartë të LDK-së kanë paralajmëruar se në pranverë mund të ketë zgjedhje të reja nacionale. Sa ka gjasa të ndodhë kjo?
Nitaj: LDK-ja ka filluar të kërkojë zgjedhje që prej rënies së qeverisë që e ka drejtuar Mustafa. Ajo do të vazhdojë të kërkojë zgjedhje në vazhdimësi, por e vërteta është se as asaj nuk i konvenojnë zgjedhjet e reja. Edhe kjo është pjesë e fushatës dhe e marketingut, besoj unë.

“Epoka e re”: Qeveria Haradinaj po mbush tre muaj që po qeveris vendin. Si po funksionon koalicioni qeverisës deri më tani?
Nitaj: Koalicioni është në ditët më të mira të tij. Ka një përkushtim të të gjithë partnerëve që të bëhet punë. Besoj se ka edhe një vendosmëri që të mos shihen interesat partiake, por para tyre të shihet qeverisja si interes mbipartiak.

“Epoka e re”: Analistët politikë kanë paralajmëruar se çështja e demarkacionit do t’i përplasë partnerët e koalicionit. Kur pritet që kjo çështje të shkojë në Kuvend?
Nitaj: Jo, analistët e kanë shumë gabim. Demarkacioni do të kalojë edhe në qeveri, edhe në parlament. Ky i fundit e ka në përgjegjësinë që t’i japë përgjigje kësaj çështjeje. Problemi me demarkacionin ka qenë se Kuvendi nuk e ka pasur rastin as të diskutojë para se të nënshkruhej marrëveshja e më pas nuk e ka pasur mundësinë ta japë votën për ose kundër.

“Epoka e re”: Pas zgjedhjes së Agim Aliut kryetar i Ferizajt, ju jeni aktualisht zëvendësministër i Arsimit. Do ta lini këtë pozitë për karrigen e deputetit?
Nitaj: E çuditshme, por në Kuvendin e Kosovës sot janë 40 deputetë që kanë vota më pak se unë. Mandatin e deputetit për mua, pasi Agim Aliu ta marrë detyrën e kryetarit të Ferizajt, e konsideroj rikthim të një të drejte për mua. E kam për nder të jem deputet i Kuvendit të Kosovës.

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Që nga hyrja në fuqi e vendimit të Ministrisë së…