NJË ROMAN JOHISTORIK, KU NDODH HISTORIA

25 qershor 2018 | 11:43

Sulejman Dërmaku

(Gazmend Bytyçi, “Mallkimi i shekujve”, KL ‘De Rada’, Ferizaj, 2018)

Kundrim

Pas romanit të parë “Karbaina e gjyshit”, autori Gazmend Bytyçi vjen me romanin e tij të dytë, “Mallkimi i shekujve”. Me rastin e përurimit të romanit të parë, pata dashur ta citoja profesorin tim të nderuar dhe shkrimtarin, gazetarin e publicistin Ramiz Kelmendi. Ai shumë shpesh, në rastet kur në hapat e parë ia mbushte mendjen vepra e një autori, në çfarëdo fushe, thoshte: Mbajeni mend këtë emër! Megjithatë, nuk e thashë atëherë! Duke e cituar profesorin tim, e thashë me rastin e përurimit të romanit të tij të dytë të Gazmend Bytyçit: Mbajeni mend këtë emër!

Ndikime tragjike mbi fatin tonë kolektiv

Dhe, kujtdo që e merr në dorë për ta lexuar këtë roman, doemos që i imponohet një krahasim ndërmjet këtyre dy veprave të këtij autori. Derisa në romanin e tij të parë bota e shpërfaqur është e kufizuar brenda një periudhe disadekadëshe të shekullit XX, në romanin “Mallkimi i shekujve” bota na shpërfaqet që nga thellësia e lashtësisë së shekujve e deri në ditët e sotme, me tërë kompleksitetin e saj, me tërë spektrin, kryesisht të mugët, me tërë ato rrjedha nga më të ndryshmet, që jo rrallë patën dhe ndikime tragjike mbi fatin tonë kolektiv.

Nëse dallon në këtë aspekt ky roman nga i pari, a ka ngjashmëri ndërmjet tyre? Ndonëse në rastin e parë duket se kemi të bëjmë me subjekte të ndryshme të romaneve, megjithatë, me plot gojën mund të themi se edhe ky, si i pari, në instancë të fundit, subjekt themel ka jetën luftë dhe luftën jetë dhe gjakimin e vazhdueshëm të lirisë, asaj së mirëfilltës. Në saje të përvojës së shtresuar të autorit në luftën e fundit për liri, tërë romanin e përshkon pikërisht kjo frymë shumëshekullore e përpjekjeve tona ndër mote. Dallimi i vetëm qëndron në faktin se, derisa në romanin e parë ngjarjet kryesisht janë reale, në këtë roman, me mjeshtëri e sens të mrekullueshëm, me një gjuhë të shpirtit e të qiellit, siç do të thoshte Osho, janë gërshetuar fiksioni e realiteti, imagjinarja e realja, sa nganjëherë kufiri ndërmjet tyre shkrihet tërësisht, aq natyrshëm, saqë ato kompensojnë njëra-tjetrën, siç zaten ndodh edhe në realitetin jetësor, i cili nuk do të ishte i plotë pa fiktiven, pa ëndrrat, pa shpresën, të cilat, thënë figurshëm, janë erëza, që jetës i japin shije e kuptim.

Të mos dish për jetën e njerëzve më të famshëm të lashtësisë, do të thotë të vazhdosh në një gjendje të fëmijërisë gjithë kohën, pohon Plutarku. Mbase duke  mos dashur që autori të mbetej në një gjendje të këtillë fëmijërie, as ta lërë në këtë gjendje kryepersonazhin, Gurin, në roman, duke u trajtuar rrjedha jetësore e këtij, por edhe e shumë personazheve të tjera, spontanisht trajtohet Leka i lashtësisë sonë dhe vetë jeta në tërësinë e saj, përbrenda dy skajeve: lindje-vdekje, shpesh madje, siç e thamë, edhe duke u shkrirë këto skaje njëri në tjetrin.

Në roman sikur është pasqyruar tërë e kaluara jonë si kolektivitet, tërë krusma jonë kolektive ndër mijëvjeçarë, që nga mugëtirë e shekujve tanë paganë, nëpër kohë në të cilat, siç thuhet në roman: “Ndryshe nga herë të tjera, për lutje tani po shkonin vetëm burrat”, e deri në ditët e sotme, me të gjitha katrahurat, kundërthëniet e ndeshtrashat që populli ynë i ka përjetuar. Në kontekst të propagandimit të fesë, përbrenda faqeve të romanit, ndeshim Sadik agën të Belishëve i cili është prototip i shërbyesit të armikut. E, gjatë historisë sonë, mjerisht, patëm e po dalin shumë sadikër, të cilët gjithmonë kahun e historisë e drejtuan në interes të armikut.

Në kërkim të gjurmëve tona

Rrëfimi romanor, që na jepet me diskurs të tri vetave dhe të tri kohëve narrative, nis në varrezat e fshatit të lindjes së kryepersonazhit Guri, i mëhallës së Gashëve, me ekspeditën provokuese të masakruesve tanë, që kishin ardhur kinse për pelegrinazh, në kohën e tashme, për t’u kthyer pastaj narracioni, retrospektivisht, në kohën e shkuar, që nga fëmijëria e Gurit dhe ekspedita arkeologjike, e cila sapo has gjurmë të rrënjëve tona, e urdhëruar nga lart, i mbulon ato dhe ikën nga kishte ardhur. Nëpërmjet diskursit narrativ të rrjedhës jetësore të kryepersonazhit dhe ambicieve për zbulimin e gurit me shtatë fytyra, si amanet fëmijërie, dokumentit sekret, pengesave që atij ia vështirësojnë ecjen, ia rrënojnë ëndrrat si edhe shokut të tij, Bekimit, pasqyrohen ngjarje të shumta të historisë sonë, që nga lashtësia deri në ditët e sotme ose, thënë më mirë, në mënyrë retrospektive, që nga ditët e sotme e deri thellë në lashtësi.

Dhe, fati jetësor individual i këtyre dy personazheve, si dhe i dy pleqve të nacionaliteteve të ndryshme, Bardhit e Mikës, nuk është këtu thelbësor në vetvete, ai është vetëm simbol, vetëm transmision, thënë figurshëm, nëpërmjet të cilit lidhen idetë dhe kohët, duke zbërthyer dhe duke u përpjekur për t’i dekoduar lëvizjet dhe kodet historike e morale, duke kërkuar çelësin e rrugëve të reja, për ta dëshmuar autoktoninë tonë, përherë të mohuar nga pretenduesit e trojeve tona, për ç’arsye mbreti kishte angazhuar shkencëtarin me nam, kroato-hebreun Milan Shuflaj, i cili ishte intriguar nga historia e ilirëve, siç pohon autori Bytyçi, porse edhe zhgënjimet, rëniet e ngritjet njerëzore.

Ndërmjet Bardhit e Mikës, dy pleqve të nacionaliteteve të ndryshme, të cilët ishin shoqëruar që nga fëmijëria, ndonëse në një atmosferë tepër të nderë e armiqësore, pas tërë atyre vrasjeve, masakrave dhunimeve, djegieve e rrënimeve nga militarë, paramilitarë e milicë serbë, megjithatë zhvillohet një dialog tepër human, tepër i njerëzishëm, shoqëruar me lot, që pleqve u përshkojnë rrudhat e moteve dhe puqen në mjekër, i cili prek në shpirt çdo lexues, që sadopak ka përjetuar ose ka mësuar për ato vite kur fqinjët tanë sikur kishin harruar madje edhe që ka Zot dhe mbi ne kishin ushtruar të gjitha të zezat që mendja e shëndoshë as mund t’i imagjinojë, e le më t’i kapë.

Bekimi, shoku i Gurit, tashmë ka mbaruar luftën e vet. Guri nis një luftë tjetër, specifike, në të cilën hyn edhe Bekimi. Bekimi luftoi për shporrjen e pushtuesit, Guri, ndërkaq, bën luftë për ndriçimin e rrënjëve tona aq të mohuara nëpërmjet dokumentit sekret që do ta zhdavarisë errësirën e shekujve, jehona e së cilës vjen si mallkim deri në ditët tona. Midis luftës së tyre, është një luftë tjetër në roman, që transponohet nëpërmjet luftës për jetë të rrogëtarit pa emër dhe lagjeve që gdhihen me hënë, duke braktisur diellin, simbolin e dikurshëm të qenies sonë.

Një jehonë metaforike nga thellësi lashtësie

Përgjatë tërë romanit, si një mit, na shoqëron numri 7 dhe pothuajse gjithçka lidhet me këtë numër. Cili është misteri i këtij numri? Përse ky duket të ketë qenë, mbase dhe mund të jetë, numri më i rëndësishëm? Cili është sekreti i tij i shenjtë?

Që nga arianët dhe babilonasit e lashtë, te hindusët, japonezët e persët, e deri te hebrenjtë, krishterët e myslimanët, praktikisht nuk ka as një të vetme kulturë në të cilën numri 7 nuk luan një rol të rëndësishëm kozmik. As ekziston religjion në të cilin numri 7 nuk është pozitiv, numër i shenjtë.

Numri 7 është një nga numrat më magjikë dhe më të shenjtë për të cilët di raca njerëzore. Pareshtur përsëritet në të gjitha tekstet religjioze dhe vihet në piedestal. Së këndejmi edhe përgjatë tërë romanit del 7-ta e famshme, në formë orësh, ditësh, vitesh, fytyrash…

Po, mallkimi, që e ndeshim jo vetëm në titull të romanit të autorit Bytyçi, si të shpjegohet, vallë? Kush kë mallkoi? Përse shekujt e gjëllimit të racës sonë qenë dhe, mjerisht, po vazhdojnë të jenë të mugët, për të mos thënë të errët e të mallkuar? Ç’mallkim është ky?

E, pra, nga e tërë përmbajtja e romanit, ndonëse jo drejtpërdrejt, një jehonë metaforike nga thellësi lashtësie sikur pareshtur përsëritet: NE! Po, vetë ne! Me veprimet dhe mosveprimet tona! Mid’hat Frashëri, që në krye të herës, paskësh thënë: Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër. Zaten këtë e pohon edhe Guri, i cili në bibliotekën mbretërore po kërkonte dokumentin sekret. Kur e pyet shoku i tij, Bekimi, në kishte gjetur gjë, ai thotë: Mallkim, mallkim, ja çka gjeta. Gjeta mallkim nga historia, asgjë më shumë se mallkim.

Tema e romanit është aktuale, e kohëve të sotme, por gjithnjë me sfond lashtësinë, duke krijuar kështu një ndërlidhje të natyrshme të periudhave të ndryshme të historisë sonë, që nga shekuj antikë. Përgjatë tërë veprës, ndonëse tërthorazi, është e pranishme edhe lufta, që nga koha e Lekës së Madh, e Skënderbeut, deri në luftën e fundit, pjesëmarrës i së cilës ishte Bekimi, që tërë kohën e shoqëron Gurin. Ky nuk kishte pasur guximin të rrokte armët si shoku i tij, porse tashti sikur po vazhdonte një luftë tjetër, natyrisht në një formë tjetër, specifike…

Shpirti i njeriut është më i rëndësishëm se forca fizike, dhe natyra shpirtërore e një kombi është më e rëndësishme se pasuria e tij, thotë Ajzenhauer. Pikërisht mesazhin e kësaj sentence duket ka parasysh edhe Guri, i cili me ngulm do ta vërë në shërbim të kombit të vet tërë potencialin e shpirtit e të mendjes, ani pse do t’i kushtojë shumë, bashkë me shokun e tij, Bekimin.

Duke pasur parasysh të gjitha këto, edhe pse romani nuk mund të quhet historik, praktikisht në roman ndodh historia, duke u bërë kështu edhe vetë romani histori.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Bedri Islami Disa ditë më parë, media të ndryshme…